Kombëtarja e Kosovës ka pësuar rënie në ranglistën e FIFA-s, të publikuar të enjten nga Shtëpia Botërore e Futbollit.
Në renditjen e re, Kosova ka rënë për tri pozita në krahasim me ranglistën e publikuar në muajin prill. Aktualisht, Kosova renditet e 105-ta dhe është kaluar nga vendet si Mozambiku e Madagaskari që kanë më shumë pikë.
Në ranglistën e re, Kosova ka 1203 pikë, dy më pak sesa në renditjen e muajit prill. Kosova gjatë muajit qershor ka luajtur vetëm një ndeshje miqësore, të cilën e humbi me rezultatin 3:0 nga Norvegjia në Oslo.
Ndërkohë, sa i përket Shqipërisë që po merr pjesë në “Euro 2024”, ekipi i Sylvinhos nuk ka ndryshuar pozitë edhe pse në ranglistën e re ka më shumë pikë.
Shqipëria mbetet në pozitën e 66-të, por tani ka 1379 pikë dhe po synon të kaloj fazën e grupeve në Evropianin që po mbahet në Gjermani. Renditjes i prinë Argjentina duke e lënë pas vetes Francën, Belgjikën, Brazilin e Anglinë që plotësojnë top-pesëshen.