Kosova alarmohet për një valë të re me Covid-19

Kur Kosova u përball me rastet e para me COVID-19, pati vetëm 82 respiratorë funksionalë në sektorin publik, tash pas tetë muajve sektori publik ka në dispozicion mbi 300 të tillë. Institucionet shëndetësore po zotohen se janë duke bërë planin për menaxhimin e situatës në rast të përkeqësimit të gjendjes me pandeminë. Ku sipas tyre, do të jenë në dispozicion rreth 1000 shtretër. Ndërkaq, sa i përket vaksinës anti-COVID, Kosova do të sigurojë donacione për 20 për qind të popullatës.

Fjalimi i plotë i Zemajt:

Të nderuar media dhe qytetarë,
Dëshiroj të ndaj me ju dhe qytetarët rezultatet e arritura gjatë 100 ditëshit të parë të punës sonë si Ministri e Shëndetësisë, në një kohë shumë sfiduese dhe të shënuar nga pandemia Covid-19.
Pas njëqind ditë pune, mund të themi se përkundër sfidave të mëdha dhe marrjes së detyrës në një fazë të hapjes së parakohshme, ja kemi dalë të kemi nën kontroll pandeminë Covid-19 në Kosovë dhe duke mbajtur në të njëjtën kohë gjallë jetën edhe në rrafshin sociale e ekonomik.
Megjithatë, sot është momenti për të tërhequr vërejtjen se rezultate e mira të shënuara kohëve të fundit rreth Covid-19, duhet t’i përkthejmë në aktivitete konkrete për ta mbajtur nën kontroll pandeminë.
Në dy ditët e fundit kemi pasur rritje të rasteve me Covid-19, që na jep të kuptojmë se nuk është momenti për të ulur ritmin e angazhimeve, inspektimeve dhe masave të tjera kundër këtij infeksioni.
Për më tepër, shohim se mungesa e disiplinës në institucione të ndryshme, komunitet dhe gjithashtu edhe fluksi I ardhjes së qytetarëve tanë nga vendet me rrezik më të lartë, kanë bërë që të ketë një rritje, e cila nga ne kërkon angazhim dhe kujdes maksimal.
Në dy ditët e fundit kemi rritje të rasteve me të infektuar me Covid 19: dje kemi pasur 79, kurse sot 80 raste pozitive nga 764, përkatësisht nga 566 mostra të 24 orëve të fundit.
Pra, e shohim që Covid-19 nuk zgjedh profesione dhe nuk bën dallime.
Prandaj, lirimi i masave që është bërë më 25 shtator, është bërë me kushtin që të gjitha aktivitetet e lejuara, sikur dhe ato që janë lejuar më parë të zhvillohen duke u bazuar ekskluzivisht në protokollet e udhëzimet përkatëse sektoriale dhe në udhëzimet e Manualit për ndalimin e përhapjes së Covid-19 dhe duke respektuar masat anti Covid 19.
Nëse nuk veprohet kështu në ditët në vijim, masa të reja shtrënguese janë të domosdoshme.
U bëj thirrje qytetarëve që të vazhdojmë me disiplinë në:
• Bartjen e maskës
• Ruajtjen e distancës dhe
• Mbajtjen e higjienës.
Tash më lejoni të theksoj disa nga rezultatet e punës së njëqind ditëshit .
Kapacitetet
Rëndësi të madhe i kemi kushtuar ngritjes së kapaciteteve dhe në këtë aspekt, gjatë menaxhimit të pandemisë kemi mobilizuar përveç QKUK-së dhe disa klinikave të saj edhe repartet infektive në spitalet e përgjithshme duke vënë në dispozicion rreth 700 shtretër për të prekurit e Covid-19.
Pas përmirësimit të situatës, klinikat e tjera i janë kthyer funksionit primar, ndërsa Klinika Infektive dhe Mjekimi Intensiv mbesin qendrat ku vazhdon trajtimi i pacientëve me Covid-19, krahas spitaleve të përgjithshme, përveç atij të Vushtrrisë.
Në gusht, kam themeluar një Komision për gjetjen e mundësive apo hapësirave të reja spitalore për pacientë me Covid dhe i njëjti komision, pas hulumtimit të disa hapësirave, ka konstatuar se objekti më i përshtatshëm për të krijuar hapësira për trajtim të pacientëve me Covid, është objekti i pa përfunduar i Klinikës Emergjente në QKUK.
Në shtator, pas rekomandimeve të këtij Komisioni dhe pas konsultimeve edhe me Avokatin e Popullit, kam caktuar këtë klinikë si destinacion të radhës për adaptim për spital Covid-19, me mundësinë që të pranojë akomodojë rreth 500 shtretër dhe, pas përfundimit të Covid-19, i njëjti t’i kthehet qëllimit fillestar.
Shtimi i resurseve humane
Luftimi i pandemisë ka qenë i pamundur pa angazhimin e resurseve humane shtesë. Në fillim të mandatit kemi rekrutuar 200 specialistë shëndetësorë (100 mjekëve -në mesin e të cilave edhe mikrobiologë, 62 infermierë, 20 inspektorë sanitarë, 4 specialistëve të mikrobiologjisë, 8 laborantëve dhe 6 të tjerëve-staf teknik mbështetës).
Pastaj kemi shpallur konkursin për 1500 specializantë, duke përfshirë këtu edhe rreth 70 vende për kuadrin nga Lugina e Preshevës (konkursi është në përfundim), derisa përmes riorganizimit të Projektit të Shëndetësisë Kosovare (huamarrja nga Banka Botërore) kemi rekrutuar edhe 375 profesionistë të fushave të ndryshme mjekësore dhe staf mbështetës, në funksion të fuqizimit të kapaciteteve njerëzore profesionale kundër Covid-19.
Testimet
Në rrafshin e monitorimit të situatës epidemiologjike dhe mbajtjes nën kontroll të saj, MSh dhe IKSHPK kanë vazhduar me forcimin e përgjigjen ndaj pandemisë përmes: gjurmimit aktiv të rasteve; testimeve; izolimit të rasteve pozitive dhe të kontaktit dhe trajtimit të prekurve (qoftë në mënyrë spitalore apo tretmanit shtëpiak-vetë-izolimit dy javor).
Sa u përket testimeve, është hartuar dhe miratuar Plani i Veprimit për procedurat e testimit për Covid-19, me objektiv strategjik: Rritjen e mbulueshmërisë së shkallës së testimeve në popullatë.
IKSHPK ka sot 6 aparate PCR dhe nga dje ka filluar rritja e ndjeshme e numrit të testimeve, përmes Grantit të Bankës Botërore është lidhur kontrata edhe për blerjen e 6 aparateve PCR që do të vendosen në Qendrat Rajonale të Shëndetësisë Publike dhe kësisoj, po rrumbullakësohet edhe procesi i decentralizimit të testimeve.
Në sektorin privat gjithashtu janë 126 institucione të cilat kanë licencuar shërbimin e testimeve, prej të cilave 4 kryejnë testime me PCR.
Përveç aparaturave të reja për PCR të kontraktuara tashmë, jemi të furnizuar me teste dhe jemi shumë afër të përmbyllim edhe ciklin e sigurt të mbi 200 000 testeve PCR (nga blerjet tona dhe donacionet), që do të na mundësojnë të kemi stabilitet edhe në këtë aspekt të rëndësishëm të menaxhimit të Covid-19.
Në fund, dëshiroj të falënderoj në mënyrë të veçantë të gjithë ata që kanë kontribuar në menaxhimin e pandemisë Covid-19, duke filluar nga Profesionistët shëndetësor të SHSKUK-së, IKSHPK-së, Kujdesit Dytësor dhe Parësor Shëndetësor, Policinë e Kosovës, Inspektoratet, Forcën e Sigurisë së Kosovës, Komunat, kryetarët e tyre dhe shtabet emergjente, zjarrfikësit, Kabinetin, administratën e MSh-së dhe shërbimet e tjera të cilat u angazhuan gjatë kësaj kohe. Gjithashtu edhe Qeverinë e Republikës së Kosovës dhe Kryeministrin Hoti si dhe deputëtët e Kuvendit që na ndihmuan me miratimin e Ligjit për luftimin e pandemisë Covid-19.