Banorët e fisit Ajrulafa që jetojnë në provincën Afar të Etiopisë, pas agjërimit përcëllues gjatë ditës në muajin e Ramazanit, bëjnë iftar në sofrat në të cilat gjendet vetëm kosi dhe buka.
Popullata e fisit Ajrulafa, e cila jeton jetën në baraka në sipërfaqe prej 5-10 metrash katrorë, prej kohësh lufton me mungesën e ujit dhe urinë që ka përfshirë vendin si pasojë e thatësirës. Megjithatë, edhe krahas tërë skamjes, ata janë mirënjohës për gjendjen e tyre.
Habib Muhammed Musa, imami i fisit Ajrulafa i cili përbëhet prej afër 200 shtëpish, për Anadolu Agency (AA) rrëfen lidhur me atë se si ky fis e kalon muajin e Ramazanit.
“Në iftar, ngjyejmë bukën në kos. Nga ndonjëherë pijmë edhe qumësht deveje, mirëpo devet aktualisht nuk i kemi këtu”, tregon Musa.
Ndërkaq, siç thotë Musa, në syfyr ata pijnë qumështin të cilin e mjelin gjatë ditës dhe e lënë për t’u ftohur. Pas syfyrit, Musa thotë se nuk shkojnë për të fjetur, por qëndrojnë zgjuar deri në namazin e sabahut.
Agjërim në temperatura nga 40 deri në 50 gradë
Imami Musa thekson se në Afar, ku temperaturat lëvizin mes 40 dhe 50 gradë celsius, muaji i Ramazanit u kalon me vështirësi. Për shkak të temperaturave të larta, ai thotë se fëmijët i dërgojnë t’i kullosën bagëtitë qysh në orët e hershme të mëngjesit.
Megjithatë, ai thekson se kjo gjendje nuk është e njëjtë për të gjitha familjet, pasi që familjet që nuk kanë fëmijë obligohen që punët t’i bëjnë vetë.
“Ata që kanë fëmijë kanë mundësi të pushojnë, por ata që nuk kanë fëmijë detyrohen që bagëtitë t’i dërgojnë deri në male. Zakonisht, ata kthehen rreth orës 17:30”, shprehet Musa.
Musa falënderon Zotin për arsye se, siç thotë, u është mundësuar që ta arrijnë edhe Ramazanin e këtij vit.
“Kërkojmë mirësi nga Zoti ynë në Ramazan. E falënderojmë atë për atë që kemi. E lusim Zotin ta pranojë agjërimin tonë dhe të na shpërblejë me parajsë. Gjithnjë lutemi edhe për botën islame”, thotë Musa.
Në ndërkohë, e shoqja 62 vjeçare e Musait, Merjem Ali, thotë se kërkon që uria dhe etja e saj të jenë pastrues të mëkateve.
Një pjesë e popullatës në Afar, thuajse shumica muslimanë, jetojnë në rajonin e Eritresë dhe Xhibutit. Në rajon flitet gjuha me po të njëjtin emër, Afar, kurse rajoni gjatë historisë ka qenë vendi i shteteve të rëndësishme islame, siç është Sulltanati i Aussa-s.
Në Etiopi, rreth tetë milionë njerëz kanë nevojë për ndihma ushqimore për shkak të thatësirës, ndërsa më të prekurit nga gjendja aktuale janë popullata e Afarit, e cila siguron jetesën përmes blegtorisë.