Një prej kombinimeve më të shijshme por edhe me një pasuri të jashtëzakonshme vlerash është ai i kosit me boronica. Ekspertët thonë se këto dy ushqime nxjerrin në pah më të mirën e njëri tjetrit.
Boronicat janë shumë të pasura me fibër. Një filxhan çaji me boronica përmban thuajse 4 gramë fibër. Kosi nga ana tjetër është shumë i pasur me baktere të shëndetshme, ose siç njihen ndryshe si probiotikë. Fibra dhe ushqyesit e tjerë që ofrojnë boronicat, ndihmojnë probiotikët në rrugëtimin e tyre drejt aparatit tretës, duke i bërë ato më efikase.
Kur probiotikët mbërrijnë në sistemin tretës, ato lehtësojnë përthithjen e fibrës që ofrojnë boronicat. Ky kombinim fitues është i domosdoshëm jo vetëm për sistemin tretës, por edhe për shëndetin e zemrës, trurit, rënien nga pesha dhe qarkullimin e gjakut.
Hani boronica 3 herë në javë
Një studim i universitetit të Harvardit, thonë se konsumi i rregullt i boronicave përmirëson ndjeshëm shëndetin e zemrës. Sipas studimit, gratë që hanë më pak fruta pylli, e në veçanti boronica, janë më të rrezikuara nga ataku në zemër. Ekspertët e Harvardit këshillojnë që njerëzit të hanë tre ose më shumë racione boronicash, luleshtrydhesh dhe frutash pylli në javë për të marrë përfitimet maksimale për shëndetin e zemrës.
Arsyet përse duhet të hani kos çdo ditë
Ekspertët thonë se kosi është fantastik për shëndetin, sidomos nëse keni marrë një kurë antibiotikësh. Këto të fundit shkatërrojnë bakteret e këqija, por nuk kursejnë as ato të mirat, ndaj kosi vjen në ndihmë me probiotikët e pasur. Kosi nxit prodhimin e vitaminës B e cila ju mbron nga sëmundjet autoimunitare dhe ato nervore.
Kosi vendos ekuilibrat e sheqernave në gjak. Ai përthithet ngadalë në stomak dhe zorrë dhe rrjedhimisht ka një ndikim të ulët në rritjen e nivelit të sheqernave në gjak. Acidi laktik tek kosi parandalon prodhimin e qelizave kancerogjene dhe lehtëson fuqizimin e sistemit imunitar. Ai e bën më të fortë të gjithë sistemin tretës dhe e pastron atë nga bakteret e këqija. Kombinimi i këtyre vlerave në një filxhan të vetëm është mburoja që ju duhet kundër sëmundjeve.