Administrata Kombëtare Oqeanike dhe Atmosferike (NOAA) e SHBA-së ka bërë të ditur se korriku i vitit 2021 ishte muaji më i ngrohtë i regjistruar ndonjëherë, teksa vazhdojnë të rriten shqetësimet mbi efektet shkatërruese të ndryshimit të klimës, transmeton Anadolu Agency (AA).
“Në këtë rast, vendi i parë është vendi më i keq për të qenë,” tha në një deklaratë administratori i NOAA-s Rick Spinrad.
“Korriku është zakonisht muaji më i ngrohtë në botë i vitit, por korriku i vitit 2021 e tejkaloi veten si korriku dhe muaji më i nxehtë i regjistruar ndonjëherë. Ky rekord i ri shton rrugën shqetësuese dhe përçarëse që ndryshimi i klimës ka vendosur për globin”, shtoi ai.
Temperaturat e kombinuara të sipërfaqes dhe ujit ishin për 0,93 gradë celcius mbi mesataret e shekullit të 20-të për korrikun, dhe ishte më e nxehta e matur që kur filluan regjistrimet 142 vjet më parë. Temperatura ishte gjithashtu për 0,01 gradë celcius më e nxehtë se rekordi i mëparshëm i vendosur në korrik 2016.
Ai rekord u barazua në vitet 2019-2020 para se të tejkalohej këtë vit, dhe të dhënat e korrikut e vënë vitin 2021 në rrugën e duhur për të qenë një nga 10 vitet më të nxehta të regjistruara ndonjëherë.
OKB paralajmëroi të hënën se Toka po kalon një ndryshim të pakthyeshëm dhe të paparë nga ngrohja globale, me efekte që prekin çdo cep të planetit.
Raporti parashikon që në dekadat e ardhshme, ndryshimet klimatike do të rriten në të gjitha rajonet.
Për 1,5 gradë celcius të ngrohjes globale, do të ketë rritje të valëve të nxehtësisë, stinë më të gjata të ngrohta dhe stinë të shkurtra të ftohta, si dhe ndryshime në modelet e reshjeve që ndikojnë në përmbytje dhe thatësira.
Në 2 gradë celcius të ngrohjes globale, ekstremet e nxehtësisë më shpesh do të arrinin pragjet kritike të tolerancës për bujqësinë dhe shëndetin, thuhet në raport.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, e quajti raportin e Panelit Ndërqeveritar të OKB-së për Ndryshimet Klimatike “një kod të kuq për njerëzimin”, duke kërkuar “përpjekje të përshpejtuara”.
“Kambanat e alarmit janë shurdhuese dhe provat janë të pakundërshtueshme: emetimet e gazrave serrë nga djegia e lëndëve djegëse fosile, si dhe shpyllëzimi, po mbytin planetin tonë dhe po vënë miliarda njerëz në rrezik të menjëhershëm”, tha ai. /aa