Ballina Ekonomi Koronavirusi zyrtarisht mbylli mbi 400 biznese në Kosovë

Koronavirusi zyrtarisht mbylli mbi 400 biznese në Kosovë

Dukagjin Bardhi nga Gjakova, katër vjet më parë kishte nisur biznesin e tij për energji të ripërtëritshme, por për shkak të pandemisë COVID-19, në prill të këtij viti, ai u detyrua ta mbyll biznesin.

Bardhi ka shitur gjeneratorë për prodhimin e energjisë së ripërtëritshme, kryesisht në vende të Evropës.

Ai thotë për Radion Evropa e Lirë se nuk u ndihmua nga shteti dhe u detyrua të largojë punëtorët nga puna dhe të pushojë biznesin.

“Gjeneratorë që prodhojnë energji me erë, energji e ripërtëritshme thirret. Edhe këtu me biznese të Kosovës kemi punuar, por me ndërkombëtarë më shumë, Zvicër, Gjermani, Bullgari…Dhjetë i kam pasur, në kushte normale të lajmëruar. Kur kemi pasur punë shumë, i kemi marr nga 20 ose 22 punëtorë në ditë, i kemi paguar me orë ose me ditë. Varësisht prej porosive që i kemi pasur”, thotë Bardhi.

Njëjtë si ky biznes në Kosovë, kanë pësuar edhe qindra të tjerë. Nga muaji mars kur u konfirmuan rastet e para me koronavirus e deri më 24 gusht, në Kosovë janë mbyllur 447 biznese.

Llojet e bizneseve që janë mbyllur janë tregtia me shumicë dhe pakicë, riparimi i mjeteve motorike dhe motoçikletave.

Por, kryetari i Agjencisë Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini, thotë për Radion Evropa e Lirë se numri i bizneseve të mbyllura është rreth 5 mijë.

“Në bazë të informacioneve që ne posedojmë anë e mbanë vendit, nga pandemia mund të jenë mbyllur rreth 5 mijë biznese, të cilat një numër i tyre ka falimentuar, një numër tyre ka pushuar aktivitetin dhe pret ditë të mira dhe një numër i tyre është shuar”, thotë Shahini.

Valentina Bytyçi nga Administrata Tatimore të Kosovës thotë për Radion Evropa e Lirë se numri i kërkesave për mbyllje të bizneseve, dallon prej numrit të bizneseve të çregjistruara.

Ajo tregon procedurat se si duhet të mbyllet një biznes në Kosovë.

“Deklarimi i të gjitha periudhave, mosmbetja e obligimeve të pashlyera në ATK nga tatimpaguesi si dhe verifikimi në terren për të shikuar nëse biznesi në fjalë e ka mbyllur aktivitetin e tij dhe nuk është duke operuar. Kur të kryhen të gjitha këto procedura, tatimpaguesi merr certifikatën që e ka të mbyllur aktivitetin e tij dhe pastaj bëhet çregjistrimi në ARBK”, thotë Bytyçi.

Kosova pa ligj për rimëkëmbje ekonomike

Në seancën e fundit të mbajtur më 14 gusht (e premte) Kuvendi i Kosovës, nuk e ka miratuar projektligjin për rimëkëmbje ekonomike.

Në bazë të këtij projektligji synohet që përmes politikave fiskale dhe monetare të ndihmohen bizneset, pas humbjeve të shkaktuara nga pandemia e koronavirusit.

Po ashtu, krijohen mundësitë që kontribut-paguesit t’i tërheqin 10 për qind të kursimeve pensionale në Fondin e Kursimeve Pensionale të Kosovës, po ashtu lejohet transferimi i 100 milionë eurove nga Agjencia Kosovare e Privatizimit në buxhetin e Kosovës, për tu shfrytëzuar për rimëkëmbje të ekonomisë se vendit, të ketë kreditim të bizneseve me kushte më të favorshme, si dhe reduktim të normës se Tatimit Mbi Vlerën e Shtuar nga 18 për qind, sa është aktualisht, në tetë për qind për hoteleri dhe gastronomi.

Me miratimin e këtij ligji mundësohet zbatimi i Pakos për rimëkëmbje ekonomike që kap vlerën e 385 milionë eurove.

Sipas kryetarit të Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, nëse vazhdon kjo situatë deri në fund të vitit, do të mbyllen mijëra biznese.

“Me shpresën që do të ketë përkrahje, shumë biznese me shumë vështirësi e kanë shtyrë aktivitetin e tyre. Nëse kjo përkrahje vonohet, atëherë goxha një numër i madh, mijëra biznese nuk do të mund ta presin pranverën e vitit 2021”, thotë Rukiqi.

Përndryshe, ky ligj, do të mbetet në fuqi deri më 31 dhjetor, 2021. Pas kësaj date, të gjitha dispozitat e këtij ligji do të shfuqizohen në mënyrë automatike.

Exit mobile version