Koronavirusi përhapet me shpejtësi nëpër Evropë

Raste të reja të koronavirusit janë raportuar nëpër Evropë, duke e rritur shqetësimin për shëndetin publik, raporton Anadolu Agency (AA).

Sipas Qendrës Evropiane për Parandalim dhe Kontroll të Sëmundjeve, të paktën 35 persona kanë humbur jetën në Itali nga virusi i cili zyrtarisht njihet si Covid-19, ndërsa 1.689 raste janë konfirmuar deri më tani në vend.

Greqia ka raportuar për tre raste të reja gjatë vikendit, me ç’rast numri i përgjithshëm i rasteve të konfirmuara është rritur në 7.

Franca deri dje ka konfirmuar gjithsej 130 raste, duke e rritur numrin nga 100 rastet e regjistruara më herët gjatë ditës.

116 presona nga të infektuarit janë hospitalizuar, 9 prej të cilëve janë në gjendje të rëndë klinike. Paraprakisht, 12 persona të infektuar janë shëruar, ndërsa 2 persona kanë humbur jetën nga virusi.

Në Paris, muzeu Louvre mbetet i mbyllur, ndërsa u anulua edhe gjysma-maratona e Parisit, e cila ishte paraparë të zhvillohej të dielën.

Rusia gjithashtu ka raportuar një rast të ri të koronavirusit.

Ekipi i urgjencës i formuar për të kontrolluar dhe monitoruar situatën rreth koronavirusit, njoftoi se bëhet fjalë për një turist që kthehej nga Italia kishte një formë të butë të infektimit.

Ky ishte rasti i tretë në Rusi dhe rasti i parë i infektimit të një shtetasi rus, pasi dy pacientët e mëparshëm kishin qenë shtetas kinezë që jetonin në Rusi. Ata u trajtuan dhe u lëshuan nga spitali.

Gjermania tani ka 129 raste të konfirmuara, ndërsa Spanja 83.

Mbretëria e Bashkuar ka raportuar për 36 raste, Zvicra 24, Norvegjia 19, Suedia 14, Austria 13 dhe Holanda 13.

Sipas agjencisë, ka gjithsej 2.199 raste të konfirmuara në Evropë, ndërsa numri i përgjithshëm i vdekjeve është rritur në 38.

Islanda ka konfirmuar tre raste të reja, të cilët kohën e fundit kishin vizituar pjesën veriore të Italisë.

Sipas komisarit të tregut të brendshëm të BE-së, Thierry Breton, të ardhurat e turizmit në Evropë ranë për 1 miliardë euro në muaj që nga përhapja e virusit.