Koreja e Veriut refuzon vaksinat

Koreja e Veriut kërkoi që gati tre milionë vaksinat që i janë ofruar për të luftuar koronavirusin, të dërgohen diku tjetër.

Një zëdhënës i Kombeve të Bashkuara tha se Phenjani kërkoi që ato të dërgohen në vende më të goditura, për shkak të mungesave globale të vaksinave.

Programi Covax i Organizatës Botërore të Shëndetësisë i ka ofruar shtetit komunist vaksina kineze Sinovac.

OBSH-ja tha se, deri më 19 gusht, Koreja e Veriut nuk ka regjistruar asnjë rast me koronavirus.

Rreth 37,000 njerëz – përfshirë punonjës të kujdesit shëndetësor – janë testuar dhe të gjithë kanë dalë negativë, tha OBSH-ja në raportin e saj javor për situatën.

Koreja e Veriut ka vendosur masa të rrepta kundër koronavirusit që nga fillimi i pandemisë.

Ajo ka qenë ndër vendet e para që ka mbyllur kufijtë në janar të vitit të kaluar.