Pas takimit historik të liderëve të dy Koreve, vjen dhe hapi i parë që do të bashkojë më shumë Veriun me Jugun: njëhsimi i zonave kohore. Vendimi u mor nga udhëheqësi koreano-verior Kim Jong-un, të cilit duket se nuk i kanë lënë shije të mirë kohët e ndryshme të treguara nga akrepat e orëve, gjatë takimit të tij historik me presidentin koreano-jugor.
Koreja e Veriut do të zhvendosë me 30 minuta akrepat e orës, me qëllim që t’i bashkohet zonës kohore të Koresë së Jugut, duke filluar nga data 5 maj. Lajmi u raportua nga zyrtarët koreano-jugorë.
Ky hap do të shënojë një moment të rëndësishëm në pajtimin dhe bashkimin kombëtar të dy vendeve, pas tensioneve të vazhdueshme mes tyre për shkak të ndarjes së kufinjve që me kohën u përshkallëzuan në kërcënime bërthamore. Por duket se një kapitull i ri do të hapet në historinë e dy vendeve.
Në lidhje me këtë vendim, udhëheqësi koreano-verior Kim Jong-un ka thënë se kishte qenë “pikëlluese” për të, fakti se gjatë takimit historik të datës 27 prill me presidentin jugor Moon Jae-in, dy orët e varura në mur tregonin kohë të ndryshme.
Koreja e Veriut kishte adoptuar zonën kohore të veriut, të krijuar në vitin 2015 me rastin e 70-vjetorit të çlirimit të Koresë nga Japonia, pas Luftës së Dytë Botërore. Aktualisht, Koreja e Jugut dhe Japonia gjenden të njejtën zonë kohore dhe janë 9 orë përpara orës së Greenwich-it, meridiani fillestar që shënon kohën referencë.