Koreja e Veriut njoftoi dje se testoi një lloj të ri rakete balistike hipersonike me rreze të mesme veprimi, duke theksuar se testi përfundoi me sukses, transmeton Anadolu.
Agjencia Qendrore e Lajmeve e Koresë së Veriut (KCNA) raportoi se lideri i Koresë së Veriut Kim Jong-un, ka ndjekur personalisht testimet raketore.
Kim pohoi se në botë vetëm disa vende mund të kenë një sistem të tillë armësh.
Duke vënë në dukje se raketa hipersonike “mund të përdoret kundër të gjithë kundërshtarëve në rajonin e Paqësorit”, Kim tha se testimi i raketës u krye për qëllime “mbrojtjeje”.
Në lajmin e KCNA-së u pretendua se kanë përfunduar me sukses shkrepjet testuese të tipit të ri të raketës balistike hipersonike me rreze të mesme veprimi, e cila përdor një përbërës të ri të fibrës së karbonit në trupin e motorit.
Koreja e Jugut raportoi dje se Koreja e Veriut lëshoi një raketë që konsiderohet të jetë hipersonike drejt Detit të Japonisë (Detit Lindor), duke njoftuar se raketa ra në ujë pasi fluturoi përafërsisht 1100 kilometra.