Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Koreja e Jugut shqyrton ofrimin e ndihmës më të madhe për Ukrainën...

Koreja e Jugut shqyrton ofrimin e ndihmës më të madhe për Ukrainën pas mbështetjes së Veriut për Rusinë

Presidenti i Koresë së Jugut, Yoon Suk-yeol, tha se Koreja e Jugut mund të konsiderojë ofrimin e mbështetjes më të madhe për Ukrainën në përgjigje të vendosjes së trupave të Koresë së Veriut në Rusi, transmeton Anadolu.

Duke folur për agjencinë spanjolle të lajmeve EFE, Yoon Suk-yeol tha se Pheniani i ka ofruar Moskës edhe armatim.

“Nëse ata të dy nuk e ndalin aventurën e tyre të rrezikshme ushtarake, ne jemi të përgatitur të zbatojmë masat e duhura efektive, duke përfshirë forcimin e mbështetjes për Ukrainën, në bashkëpunim me aleatët tanë dhe vendet me të njëjtin mendim”, citohet të ketë thënë Yoon.

Muajin e kaluar, Yoon tha se vendi i tij mund të konsiderojë ofrimin e armëve për Ukrainën “në varësi të shtrirjes së bashkëpunimit ushtarak midis Rusisë dhe Koresë së Veriut”.

Dje, agjencia e inteligjencës e Koresë së Jugut, Shërbimi Informativ Kombëtar, pretendoi se ushtarët e Koresë së Veriut ishin zhvendosur në rajonin e vijës së parë të Kurskit, Rusi, për të luftuar forcat ukrainase atje.

Të martën, një zyrtar ukrainas pohoi gjithashtu se 50 mijë trupa ruse dhe koreano-veriore ishin vendosur në Kursk për të luftuar forcat ukrainase, por Pheniani nuk i ka konfirmuar pretendimet.

Exit mobile version