Qeveria e Koresë së Jugut ka shpallur shtatë ditë zie kombëtare pas rrëzimit të aeroplanit që mori jetën e 179 personave, ndërsa dy anëtarë të ekuipazhit u shpëtuan, transmeton Anadolu.
Presidenti në detyrë, Choi Sang-mok, njoftoi zinë kombëtare në një takim urgjent të sigurisë disa orë pasi aeroplani i pasagjerëve u rrëzua.
“Ne shprehim ngushëllimet tona më të thella për familjet e viktimave të atyre që humbën jetën në këtë tragjedi të papritur”, tha Choi.
Ministria e Financave e Koresë së Jugut njoftoi se do të ndërtohen altarë përkujtimor në vendin e përplasjes, si dhe në 17 qytete dhe provinca.
Ministria koreano-jugore po ashtu tha se zyrtarët publik do të mbajnë shirita zie si shenjë respekti për viktimat.
Një fluturim i kompanisë ‘Jeju Air’ me 181 pasagjerë në bord, përfshirë gjashtë anëtarë të ekuipazhit, mori flakë gjatë uljes pasi kishte probleme me pajisjet e uljes. Incidenti ndodhi rreth orës 09:07 me kohën lokale të kontit Muan, 288 kilometra në jugperëndim të kryeqytetit Seul.
Aeroplani ‘Boeing 737-800’ me dy motorë, duke u kthyer nga qyteti tajlandez Bangkok, doli nga pista dhe u përplas me një gardh, para se të përplaset me një mur në një shpërthim që mori flakë.
Përplasja shënon një nga aksidentet më vdekjeprurëse të aviacionit në Korenë e Jugut në vitet e fundit.