Kore e Jugut, zyrtarisht arrestohet Yoon i cili u hoq nga posti i presidentit

Yoon Suk Yeol, i cili u hoq nga posti i presidentit dhe u ndalua në kuadër të hetimeve për shpalljen e ligjit ushtarak në Korenë e Jugut, zyrtarisht është arrestuar, transmeton Anadolu.

Siç raporton ‘Yonhap News’, Yoon, i cili u ndalua më 15 janar me akuzën për “rebelim” dhe “shpërdorim të autoritetit” është arrestuar nga Gjykata e Qarkut Perëndimor në Seul.

Drejtoria e Hetimeve e Korrupsionit tha se prokuroria do ta përgatisë aktakuzën para përfundimit të 20 ditëve.

Zyra e presidentit të Koresë së Jugut kritikoi urdhër-arrestin e gjykatës.

Dje, Gjykata e Qarkut Perëndimor në Seul lëshoi një urdhër-arrest ndaj Yoon Suk Yeol-it, i cili u hoq nga posti i tij si president dhe u ndalua në kuadër të një hetimi për vendosjen e dështuar të ligjit ushtarak.

Mbështetësit e Yoon-it sulmojnë sallën e gjyqit

Pas arrestimit të Yoon-it, protestuesit sulmuan ndërtesën e Gjykatës së Qarkut Perëndimor në Seul për të protestuar ndaj vendimit.

Ka pasur një përplasje mes policisë dhe protestuesve, të cilët thuhet se “hynë me forcë në ndërtesë, thyen xhamat dhe përdorën zjarrfikës kundër forcave të sigurisë të vendosura përreth ndërtesës”. Policia ndaloi 45 protestues.

Nga ana tjetër, derisa dje po diskutohej urdhër-arresti ndaj Yoon-it, rreth 44 mijë persona zhvilluan një demonstratë në mbështetje të ish-presidentit para gjykatës.

Mësohet se në protestën e djeshme kanë marrë pjesë 45 protestuesit e ndaluar nga policia.

Prokuroria e Lartë njoftoi se është formuar një ekip prej nëntë personash për të hetuar këto protesta.

Yoon bëri thirrje për “protesta paqësore” në një letër që shkroi në qendrën e paraburgimit ku po mbahet.

Ndalimi i Yoon-it

Yoon, i cili u hoq nga detyra pasi Asambleja Kombëtare e Koresë së Jugut kërkoi shkarkimin e tij me arsyetimin se shpallja e ligjit ushtarak ishte jokushtetues, u ndalua më 15 janar në kuadër të një hetimi për vendosjen e ligjit ushtarak.

Hetuesit e ndaluan Yoon-in në rezidencën presidenciale dhe e çuan në zyrën e Byrosë së Hetimit të Korrupsionit në Gwacheon në jug të kryeqytetit Seul.

Yoon, i cili ditën e parë u mor në pyetje për më shumë se 10 orë, nuk pranoi të japë deklaratë. Yoon, kreu i parë i shtetit që u ndalua në historinë e Koresë së Jugut, u transferua në një qendër paraburgimi pas seancës gjyqësore.

Ai është nën hetim për “rebelim” dhe shpërdorim detyre” për shpalljen e ligjit ushtarak më 3 dhjetor të vitit 2024.