Tensionet ishin të larta rreth rezidencës presidenciale ndërsa hetuesit u nisën për të arrestuar presidentin e Koresë së Jugut, Yoon Suk Yeol, transmeton Anadolu.
Dhjetëra mbështetës të Yonit janë duke kampuar jashtë rezidencës presidenciale për të penguar çdo lëvizje të Zyrës së Hetimit të Korrupsionit për Zyrtarët e Lartë (CIO) për të arrestuar Yoonin.
Skenat jashtë rezidencës së Yoonit në rrethin Yongsan në kryeqytetin Seul u bënë të tensionuara kur mbështetësit konservatorë të presidentit u përfshinë në përleshje fizike, duke bërë që policia të ndërhynte, sipas të përditshmes “JoongAng”.
Grupi i dytë i udhëhequr nga liberalët po kërkon arrestimin e presidentit pas urdhër-arresteve të lëshuara nga Gjykata e Qarkut Perëndimor të Seulit të martën. Urdhri skadon të hënën e ardhshme.
Yoon është akuzuar për organizimin e ligjit ushtarak jetëshkurtër të 3 dhjetorit, kryengritje, tradhti, si dhe abuzimin me pushtetin e tij. Ai është presidenti i parë në detyrë që përballet me akuza të tilla për kryengritje, tradhti, ndalim udhëtimi, si dhe një urdhër arresti të paprecedentë.
Tensionet jashtë rezidencës presidenciale filluan pasi një nga mbështetësit e Yoonit kaloi kordonin e policisë, tha media lokale.
Ndërsa hetuesit zakonisht janë të shpejtë për të zbatuar urdhër-arrestet, CIO ka qenë e kujdesshme në rastin e Yoonit, ndihmësi kryesor i të cilit, ish-ministri i Mbrojtjes, Kim Yong-hyun, është arrestuar tashmë, përveç disa komandantëve ushtarakë, për ligjin e dështuar ushtarak.
Sipas agjencisë së lajmeve Yonhap me bazë në Seul, agjencia kundër korrupsionit ka të ngjarë të vazhdojë me arrestimin e Yoonit gjatë ditës së sotme.
Yoon nuk i mbijetoi një vote shkarkimi (impiçmenti) më 14 dhjetor nga Parlamenti dhe po përballet me një gjyq nga Gjykata Kushtetuese, e cila mund të marrë gjashtë muaj për të vendosur nëse do ta shkarkojë atë nga detyra.
Më herët, Yoon kundërshtoi katër thirrjet për të marrë pjesë në marrje në pyetje ndërsa siguria e tij bllokoi hyrjen e hetuesve në zyrën e tij.
Megjithatë, shefi i CIO-s, Oh Dong-woon ka paralajmëruar sigurimin presidencial se çdo përpjekje për të bllokuar arrestimin e Yoonit mund të çojë në shpërfillje të detyrës dhe pengim të detyrave zyrtare.
Në një fjalim me shkrim drejtuar mbështetësve të tij të mërkurën mbrëma, Yoon tha se do të “luftonte deri në fund për të mbrojtur vendin”.
“Për shkak të forcave të brendshme dhe të jashtme që cenojnë sovranitetin e saj dhe aktivitetet e grupeve antishtetërore, Koreja e Jugut është tani në rrezik”, tha Yoon, i cili ka mohuar akuzat për kryengritje dhe tradhti.