Kore e Jugut, i gjithë kabineti ofron dorëheqje pas përpjekjes së dështuar për ligj ushtarak

I gjithë kabineti i Koresë së Jugut ka ofruar të japë dorëheqje pas përpjekjes së dështuar të presidentit Yoon Suk Yeol për të vendosur ligjin ushtarak në vend, transmeton Anadolu.

Sipas transmetuesit KBS, kabineti ka ofruar dorëheqje pasi paraprakisht stafi i lartë presidencial dorëzoi dorëheqje kolektive.

Këtë mëngjes, Zyra Presidenciale njoftoi dorëheqjen masive të shefit të kabinetit dhe sekretarëve të lartë.

Kryeministri Han Duck-soo u zotua se do të vazhdojë t’u shërbejë njerëzve pasi urdhri i ligjit ushtarak u hoq brenda natës.

Dorëheqjet vijnë pas deklaratës së paprecedentë të ligjit ushtarak, e cila u rrëzua shpejt nga parlamenti, duke krijuar turbulenca të theksuara politike në Korenë e Jugut.

Yoon, për herë të parë në 45 vjet, kishte shpallur gjendjen ushtarake mbrëmë në orën 22:25 sipas kohës lokale, por njoftoi heqjen e saj në orën 04:27 të mëngjesit të sotëm sipas kohës lokale. Megjithatë, 190 ligjvënës në parlamentin prej 300 vendesh votuan kundër masës së tij, duke e bërë të detyrueshme për të që të përmbushë mocionin e tyre.

Në një mbledhje të kabinetit, të kryesuar nga kryeministri Han Duck-soo, u miratua rezoluta pasi Yoon u tërhoq nga vendimi i tij për të vendosur ligjin ushtarak, i cili ishte refuzuar nga shumica e ligjvënësve.