Kore e Jugut, hetuesit pezullojnë ekzekutimin e urdhër-arrestit për presidentin Yoon

Zyra e Hetimit të Korrupsionit për Zyrtarët e Lartë (CIO) e Koresë së Jugut vendosi sot të pezullojë ekzekutimin e urdhrit të arrestit kundër presidentit Yoon Suk Yeol, ndaj të cilit parlamenti tashmë ka votuar një mocion shkarkimi (impiçment), transmeton Anadolu.

Vendimi erdhi pas një përplasjeje 5-orëshe midis ekipit të përbashkët hetimor të udhëhequr nga CIO dhe forcave presidenciale të sigurisë, të cilët penguan hetuesit të arrestonin Yoonin, raportoi agjencia e lajmeve Yonhap me bazë në Seul.

Rezidenca presidenciale gjendet brenda kompleksit të Ministrisë së Mbrojtjes që kur Yoon u zgjodh në vitin 2022. Hetuesit vendosën se ishte e pamundur të vazhdonin sot me ekzekutimin e urdhrit dhe u larguan nga ambientet.

Urdhri i arrestit, i lëshuar javën e kaluar, mbetet i vlefshëm deri të hënën. Ditët e fundit, qindra mbështetës janë mbledhur pranë rezidencës për të protestuar kundër shkarkimit të Yoonit dhe për të parandaluar arrestimin e tij. Disa janë larguar me forcë nga policia.

Ndërkohë, grupet rivale kanë organizuar gjithashtu protesta duke kërkuar arrestimin e menjëhershëm të Yoonit.

Yoon nuk i mbijetoi një vote shkarkimi më 14 dhjetor nga parlamenti dhe po përballet me një gjyq nga Gjykata Kushtetuese, e cila mund të marrë gjashtë muaj për të vendosur nëse do ta shkarkojë atë nga detyra.

Yoon është presidenti i parë në detyrë në historinë e Koresë së Jugut që përballet me akuza për kryengritje dhe tradhti, krahas një ndalese udhëtimi. Kjo është gjithashtu hera e parë që lëshohet një urdhër arresti për një president në Korenë e Jugut.

Në një zhvillim të ngjashëm, prokurorët sot ngritën aktpadi ndaj shefit të Shtabit të Ushtrisë së Koresë së Jugut, Gjeneral Park An-su dhe kreut të Komandës së Luftës Speciale të Ushtrisë, gjeneral Kwak Jong-keun, me akuza për kryengritje dhe shpërdorim pushteti.

Dy komandantët janë mes disa zyrtarëve të lartë ushtarakë të arrestuar në lidhje me tentativën e dështuar për vendosjen e ligjit ushtarak më 3 dhjetor.

Yoon kishte caktuar Parkun për të mbikëqyrur funksionimin e ligjit ushtarak.

Ish-ministri i Mbrojtjes, Kim Yong-hyun, i cili gjithashtu është arrestuar, ishte zyrtari i parë ndaj të cilit u ngrit aktakuzë në hetimin ndaj ligjit ushtarak.