Trajtimi i konvertimeve fetare në media kërkon një balancim të kujdesshëm midis interesit publik dhe respektimit të privatësisë së individëve. Kjo çështje mbetet një nga temat më të ndjeshme në gazetarinë bashkëkohore në Kosovë, ku kufiri midis informimit të publikut dhe respektimit të të drejtave personale shpesh bëhet i paqartë.
Festim RIZANAJ, Prizren
Nëse i shqyrtojmë vlerat e lajmit, dobia shoqërore, relevanca, aspekti i pazakontë dhe rëndësia e personave të përfshirë, përbëjnë elementet bazë duke u bazuar në trajtimet e Stephan Russ-Mohl, Missouri Group dhe David Randall për gazetarinë. Në rastin e një konvertimi fetar, ky mund të bëhet lajm nëse personi është një figurë e njohur. Dikur, konvertimet publike ishin të pazakonshme, por tani ato shpesh nuk kanë ndonjë vlerë të veçantë lajmi, përveçse gjenden në një segment të kontestueshëm ndërmjet çështjes private dhe propagandës fetare.
Konvertimi fetar si lajm
Konvertimi fetar mund të jetë lajm, por kjo varet nga konteksti dhe rëndësia që i jepet ngjarjes. Për shembull, nëse një person i njohur si një politikan, figurë publike ose lider fetar, vendos ta ndryshojë fenë, kjo mund ta tërheqë vëmendjen e publikut dhe të konsiderohet si lajm, pasi ky veprim mund të ndikojë në shoqëri ose në komunitetin ku ky person ka ndikim. Po ashtu, nëse konvertimi ndodh në një kontekst specifik shoqëror apo politik, si gjatë një konflikti ose tensioni fetar, ai mund të bëhet lajm për shkak të ndikimit të tij në marrëdhëniet ndërmjet komuniteteve të ndryshme fetare.
Gjithashtu, kur një numër i madh njerëzish konvertohen në një fe tjetër brenda një periudhe të shkurtër, kjo mund të tërheqë vëmendjen e mediave, pasi tregon një ndryshim social ose një trend të caktuar. Ndikimi i këtij konvertimi në komunitetin përkatës mund të jetë gjithashtu një arsye për ta trajtuar si lajm, sidomos nëse sjell ndryshime të mëdha sociale ose kulturore. Në disa raste, kur konvertimi lidhet me ngjarje të mëparshme që kanë qenë të rëndësishme në lajme, ai mund të shihet si një vazhdim i një historie më të gjerë.
Megjithatë, duhet pasur parasysh që, në shumë raste, konvertimi fetar është një çështje private dhe personale, që nuk ka domosdoshmërisht interes publik. Mediat duhet të jenë të kujdesshme në vendimin se çfarë të raportojnë dhe si ta trajtojnë një ngjarje të tillë, duke marrë parasysh ndjeshmërinë dhe ndikimin e mundshëm në individët dhe komunitetet e përfshira.
Konvertimet fetare janë gjithmonë një çështje delikate, veçanërisht në kontekste ku feja është një komponent kyç i identitetit shoqëror. Kohët e fundit, pagëzimi e konvertimi i disa qytetarëve në Kishën e Shën Abrahamit në Llapushnik ngjalli diskutime të shumta në Kosovë, duke u bërë temë lajmesh. Ky akt ngre pyetjen: a duhet konvertimi fetar të trajtohet si lajm?
Në shoqëri ku historia dhe identiteti fetar janë të ndërthurura ngushtë, ndërrimi i besimeve nga figura të njohura mund të ketë ndikime të rëndësishme. Në Kosovë, ku shumica e popullsisë është myslimane, konvertimi i një personi publik në një fe tjetër shpesh shihet si një ngjarje me potencial për të nxitur debat.
Por, a përbën ky akt lajm të rëndësishëm për publikun? Nga njëra anë, lajmi mund të shihet si një reflektim i lirisë fetare dhe diversitetit që ekziston në shoqëri. Për të tjerët mund të duket si një ndërhyrje në privatësinë personale të individëve, ku një vendim i tillë i thellë dhe personal bëhet subjekt i diskutimeve publike. Njëkohësisht, për shkak të nxitjes së debateve në një shoqëri si e jona, media mund ta shfrytëzojë këtë për të krijuar pseudongjarje, me idenë se paraqesin interes për publikun, e që mbeten vetëm në nivelin e nxitjes së klikimeve dhe komenteve nga më të ndryshmet. Glorifikimit i këtyre ngjarjeve mund të përdoret për të manipuluar opinionin publik, duke e bërë të duket se një lëvizje fetare është në rritje dhe po fiton terren, ndërkohë që realiteti mund të jetë më kompleks dhe më i ndërlikuar.
Për të vendosur nëse një konvertim duhet të bëhet lajm, media shpesh vlerëson ndikimin e mundshëm shoqëror dhe interesin publik. Kur një figurë publike ose një person me ndikim ndërron fenë, media e sheh këtë si një ngjarje me vlerë informuese, që mund të reflektojë mbi tendencat më të gjera shoqërore ose të nxisë një dialog mbi çështjet fetare dhe identitare në vend. Publikimi i këtyre konvertimeve nga ana e institucioneve fetare në rrjetet sociale dhe, më pas, përcjellja e tyre nga mediat, mund të ketë disa nënkuptime.
Së pari, duke iu referuar burimeve zyrtare të kishës, mediat legjitimojnë informacionin dhe i japin atij një lloj autoriteti. Kjo mund ta rrisë besueshmërinë e ngjarjes dhe ta forcojë ndikimin e saj në publik. Nëse këto konvertime trajtohen në mënyrë pozitive dhe glorifikohen nga institucionet fetare, mediat që raportojnë mbi to mund ta përforcojnë këtë narrativë, duke e prezantuar ngjarjen si një sukses fetar ose moral.
Së dyti, raportimi i tillë mund të përdoret për të përhapur një mesazh të caktuar dhe për të ndikuar në perceptimin publik mbi fenë ose komunitetin përkatës. Nëse ngjarjet e konvertimit paraqiten si diçka e madhe dhe e rëndësishme, kjo mund të krijojë një perceptim se ka një valë të madhe të përqafimit të fesë në fjalë, edhe pse në realitet kjo mund të mos jetë plotësisht e vërtetë.
E nëse mediat u japin hapësirë të madhe këtyre publikimeve pa një analizë kritike ose pa përfshirë perspektiva të ndryshme, ato mund të perceptohen si të anshme ose si pjesë e një agjende më të gjerë.
Në fund të fundit, trajtimi i konvertimeve fetare në media kërkon një balancim të kujdesshëm midis interesit publik dhe respektimit të privatësisë së individëve. Kjo çështje mbetet një nga temat më të ndjeshme në gazetarinë bashkëkohore në Kosovë, ku kufiri midis informimit të publikut dhe respektimit të të drejtave personale shpesh bëhet i paqartë.
Konvertimet si mjet dezinformimi në media sociale
Mediat dhe rrjetet sociale kanë filluar ta përqendrojnë vëmendjen e tyre në çështjen e konvertimeve fetare. Kjo temë u bë e njohur për publikun për herë të parë rreth një vit më parë, kur u prezantua një iniciativë në Deçan, e quajtur “Lëvizja për Braktisjen Vullnetare të Fesë Islame”.
Kjo nismë ngjalli shumë reagime në publik, ndërsa në rrjetet sociale u postuan vazhdimisht video dhe foto të individëve që janë konvertuar nga feja islame në atë katolike.
Në këtë debat është përfshirë edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri, Albin Kurti, megjithëse duket se kjo ka ndodhur pa dëshirën e tyre. Në rrjetin social TikTok, prej disa ditësh, po qarkullojnë përmbajtje që pretendojnë se presidentja Osmani dhe kryeministri Kurti kanë ndërruar fenë ose janë pagëzuar. Në TikTok janë postuar disa video, ku pretendohet se presidentja Osmani e ka ndërruar fenë nga myslimane në katolike dhe se madje e ka ndryshuar edhe emrin nga Vjosa në Gonxhe. Ky profil pretendon gjithashtu se për shkak të këtij ndryshimi, Presidentja kishte probleme në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit më 1 gusht të këtij viti. Përveç këtyre pretendimeve, janë postuar edhe komente si: “Pse nuk ka foto me familjen për Bajram?” dhe “Pse nuk ka asnjë foto duke ngrënë bakllava gjatë Bajramit?”. Këto pretendime janë bërë edhe nga profile të tjera në TikTok, duke përhapur informacion të pakonfirmuar në lidhje me besimin fetar të Presidentes.
Fenomeni i konvertimeve fetare është bërë temë diskutimi në media dhe rrjete sociale në vendin tonë. Kur një temë ngjall reagime të forta në opinionin publik, ajo shpesh çon në përhapjen e informacionit të pasaktë, duke nxitur faqe dhe llogari në mediat sociale që të krijojnë dhe shpërndajnë përmbajtje të pakonfirmuara dhe keqinformuese. /revistashenja