Konvertime ndodhin përditë e do ndodhin dhe në të ardhmen. Por, apostazia nga Islami si program dhe akt politik dhe kulturor tregon se Islami në Kosovë ka një problem vetë-perceptimi, respektueshmërie dhe imazhi. Në të kundërt, pretendimi i një feje universale si Islami ka qenë përherë se është relevant teologjikisht, intelektualisht dhe kulturalisht për çdo vend dhe kohë.
Besnik SINANI, Tiranë
Për të krishterët, historia e Palit përbën idealin e konvertimit. Rrugës për në Damask, ku ai ishte nisur me qëllim të persekutonte të krishterët, atij i shfaqet një vizion i Jezu Krishtit. Ky kthehet në një moment transformativ për Palin dhe për tërë Krishterimin pas tij. Por, për shumicën e të krishterëve ose aderuesve të feve të tjera, konvertimi nuk është reflektim i një eksperience të tillë supranaturale, por proces në të cilin të konvertuarit ndryshojnë botëkuptimin, pritshmëritë, aspiratat e tyre njerëzore. Konvertimi në Kishën Katolike – sidomos për ata që nuk janë pagëzuar më parë në kisha të tjera të krishtera – është një proces gati njëvjeçar me disa faza. Kandidatit për konvertim (katekumeni) i duhet të kalojë një periudhë studimi të doktrinës së Kishës, i duhet të riafirmojë dëshirën për t’u konvertuar në fazën e dytë të këtij procesi, gjatë ritualit të përzgjedhjes dhe duhet të mësojë së paku kuptimin e formulimeve esenciale të kredos katolike si lutja e apostujve:
Besoj, në Hyjin, Atin e gjithëpushtetshëm, Krijuesin e qiellit e të tokës. E në Jezu Krishtin, birin e tij një të vetmin, Zotin tonë, i cili u zu për virtyt të Shpirtit Shenjt. U lind prej Virgjërës Mari, pësoi mundimet nën Poncin Pilat, u vu në Kryq, vdiq e u varros, zbriti në ferr; të tretën ditë u ngjall së vdekuri; u ngjit në qiell, rri në të djathtë të Hyjit, Atit të gjithëpushtetshëm; andej do të vijë për të gjykuar të gjallët e të vdekurit. Besoj në Shpirtin Shenjt, Kishën e shenjtë Katolike, shoqërinë e shenjtërve, faljen e mëkateve, ngjalljen e korpit dhe jetën e pasosur. Amen!
Historianët na tregojnë se historikisht, kisha ka patur një qëndrim dyshues ndaj të konvertuarve nga fe të tjera. Ka studime, për shembull, që tregojnë se Kisha investigonte muslimanë që kishin përfunduar gjatë mesjetës në Gjermani si robër lufte, duke dyshuar se pretendonin konvertimin vetëm për t’i shpëtuar robërisë. Këto investigime në disa raste vazhdonin me vite, për të siguruar që konvertimi kishte qenë i sinqertë dhe reflektonte pranimin e vërtetë të kredos së kishës. Ajo që të bën përshtypje në rastin e të konvertuarve këto kohët e fundit në Kosovë është mungesa e plotë e teologjisë, e artikulimit të motiveve fetare ose e evokimit të kredos së krishterë.
Para ca kohësh, mediat kosovare njoftonin se një ish-trajner i FC Prishtinës, Ejup Mehmeti, kish ndërruar mbiemrin dhe kish shkruar në mediat sociale:
PËRSHENDETJE MIQT E MIJ,UNË VENDOSA TA NDROJ MBIEMRIN PREJ MEHMETI NE KAPITI.MJAFT MA TINGLLOJKE TURK-QE ,JO SE STERGJYSHI IM ISHTE JO ATËDHETAR PERKUNDRAZI , NDER UDHËHEQESIT E BETEJES SE KULINES KUNDER TURQVE PO UNË JAM KAPIT DHE NE GJIMNAZ EDHE SHOKËT EDHE PROFESORET ME THIRNIN “KAPIT”.PO MU KA MBUSH MENDJA TA NDROJ EDHE FEN SEPSE NE SHQIPTARET ISHIM TE PARET QE PRAUAM KRISHTERIZMINP POR DO DEBILA HOXHOLLAR JO SE FEJA KATOLIKE ESHT MA E MIRË POR PERHIR TE INTERESAVE KOMBTARE .FTOJ JU VLLAZERVE QE TA NDROJM FEN MASOVIKISHT
Konvertimi “për interesa kombëtare” shfaqet edhe tek deklarimet e fundit në Deçan, jo vetëm në dramaticitetin e veshjeve të kostumeve kombëtare në ceremoninë e pagëzimit ose mbështjelljes me flamurë, por edhe në vetë deklarimet e të konvertuarve. Siç u njoftua në Klan Kosova dhe media të tjera, Myftari, një prej të konvertuarve, tha për mediat se
“Gjithë këtë e kemi ba për me u bashku shqiptarët dhe për komb… me dalë prej ktyne xhihadistave e me hy në fe…”
I zhveshur nga teologjia, akti i konvertimit shpërfaqet si manifest politik, kulturor dhe sociologjik.
Në pamje të parë pretendimi se ky konvertim kryhet për hir të bashkimit kombëtar nuk ka meritë. Nuk ka asnjë gjasë reale që në të ardhmen e përfytyruar fushata e konvertimeve të arrijë një masë kritike që të realizojë një bashkim kombëtar të imagjinuar si arritje e homogjenitetit fetar në katolicizëm. Por, ajo ngrihet mbi një perceptim më të gjerë se identiteti musliman i shqiptarëve të Kosovës bie në kundërshtim me interesat dhe aspiratat politike të shqiptarëve. Ligjërime fetare antiperëndimore, tejet të politizuara dhe konfliktuale, si dhe historia jo fort e largët e një sasie proporcionalisht e lartë pjesëmarrësish nga Kosova në konflikte, si ai sirian, duket ta bëjë më pak naiv deklarimin e Myftarit, të cituar më sipër, se konvertimi është largim nga “xhihadistët”. Krijimi i një kulture kolektive përreth xhamive, që shihet të bjerë ndesh me aspiratat kolektive të popullsisë së Kosovës e ka përforcuar perceptimin e Islamit si një problem kombëtar.
Vizioni i Islamit në mënyrë paradoksale po vuan edhe në kredencialet e veta kombëtare. Kontributi real në luftë i kaq e kaq hoxhallarëve e medresistëve anulohet në imagjinatën kolektive nga lajthitja e një hoxhe që përdhos flamurin kombëtar. Një kuptim i cekët teologjik mbi monoteizmin kthen gjithë trashëgiminë islame në Kosovë në armik të vizionit të përbashkët komb-formues. Imazhi në emisione butaforike televizive që tregojnë hoxhallarë topless duke folur për “shurrën e devesë” është sa grotesk, po aq dhe demoralizues. Për shumë kosovarë, të cilët kanë një memorie familjare të hoxhës së urtë me xhyben e nderuar dhe çallmën e bardhë, këto imazhe janë sa shokues dhe tëhuajëzues.
Sot, zërat më publikë të ligjërimit fetar në rrjetet sociale të Kosovës përfaqësohen nga njerëz që jo vetëm kanë dije të pakët të diskursit të lartë të dijeve klasike islame, por që shpalosin edhe një kuptim të varfër të kompleksitetit të realiteteve moderne që natyrshëm po formatojnë shoqërinë kosovare. Zbrazëtia intelektuale mbushet përkundër me një ligjërim shpesh arrogant, në mënyrë gati-krenare provincial, që të krijon përshtypjen se kërkon të shokojë publikun. Sa më shokues ligjërimi mediatik, aq më autentik të tillë ligjërues besojnë se janë. Ndoshta do duhet të ishte e mjaftueshme të vinim në dukje se kur gjuha e një rrepisti bëhet më toksike pas konvertimit fetar sesa në jetën paraprake si rrepist, ky është tregues i mjaftueshëm se ligjërimi fetar që i është ofruar është qartazi problematik.
Kjo prezencë fetare është e ngritur mbi një pretendim të vetëm se gjithë çfarë shqiptarët kanë njohur si fe islame ka qenë gabim, se gjithë memoria e tyre mbi të shenjtën në jetën komunitare duhet shuar, se gjithë trashëgimia materiale, e shkruar apo e jetuar, duhet fshirë përgjithmonë në emër të kinse një kuptimi të pastruar teologjik mbi Zotin. Për rrjedhojë, nga sa thamë më sipër, duket se më shumë se konvertim kemi të bëjmë me apostazi dhe kjo apostazi nuk kufizohet vetëm me ata që i kontribuojnë spektaklit të konvertimeve në një katund atje tej, por përfshin shumë të tjerë, të cilët pa spektakël fare, pa konvertim, thjesht tehuajëzohen nga tradita e tyre fetare. Për të tillë, ndoshta feja nuk ishte vajtje në xhami apo falje të rregullta. Ndoshta kufizohej në një falje xhumaje ose qoftë edhe vetëm Ramazan, por sociologjikisht kjo nuk është fare më ndryshe se shumë shoqëri të tjera bashkëkohore, përfshi shumë prej tyre muslimane, përfshi në Lindjen e Mesme. Për rrjedhojë, ajo që po shohim është largim, por edhe zbim, zbim nëpërmjet tëhuajëzimit. A nuk tha një hoxhë me profil të njohur mediatik se ata që agjërojnë, por nuk falin namazin, nuk janë fare muslimanë?
Në librin e tij “Shtegtim për në shtëpi: Ese mbi Islamin në Europë”, dijetari bashkëkohor musliman në Britaninë e Madhe, Prof. Tim Winter (Abdal Hakim Murad) e cilëson këtë lloj prirjeje zbimi, shokimi, tëhuajëzimi si “tenfir”. Tenfiri, vëren ai, shpaloset para syve të njerëzve si formë e shëmtuar, si shpirt i trazuar (gati përherë i dëgjojmë të tillët duke bërtitur) dhe si zbues. Tenfiri, vë në dukje ai, është në esencë herezi (bidat), pasi shembulli profetik është në të kundërt – ftues e përgëzues, shpaloset nëpërmjet të bukurës, sepse “Zoti është i bukur dhe e do të bukurën” dhe fton drejt së mirës ku dhe kuptimi i së mirës reflekton perceptimin kulturor dhe sociologjik të saj në kohën dhe vendin ku shpaloset (bi-l-ma’ruf).
Konvertime ndodhin përditë e do ndodhin dhe në të ardhmen. Por, apostazia nga Islami si program dhe akt politik dhe kulturor tregon se Islami në Kosovë ka një problem vetë-perceptimi, respektueshmërie dhe imazhi. Në të kundërt, pretendimi i një feje universale si Islami ka qenë përherë se është relevant teologjikisht, intelektualisht dhe kulturalisht për çdo vend dhe kohë. Por, ky pretendim është aplikuar në histori nëpërmjet një aftësie mbresëlënëse për të përqafuar dhe hyrë në dialog me kontekste e kultura lokale, duke refuzuar uniformitetin dhe shovinizmin kulturor si kundërshtuese të natyrë primordial njerëzore (fitrës).
Deklarimet e Ipeshkvisë së Kosovës se nuk kërkojnë të konvertuar që urrejnë tjetrin e përforcon atë që kemi thënë më sipër, se spektakli mediatik i Deçanit është shfaqur më shumë si apostazi sesa si konvertim. Problemi është se, pa vënë në dyshim këto deklarime zyrtare të kishës, praktikisht pakkush do i besojë si të vërteta. Kjo do të rezultojë, sipas të gjitha gjasave, në rritjen e tensioneve ndërfetare në Kosovë. Në një kohë që Kosova e ndjen veten vazhdimisht e kërcënuar dhe me status pavarësie të pakonsoliduar, destabilizime kulturore dhe sociale në forma tensionesh e transformimesh fetare nuk mund t’i shërbejnë kësaj nevoje për stabilitet. Ndërkohë, është e pamohueshme se teksa kemi për arsyet e përmendura më sipër, por jo vetëm, një ftohje të publikut të gjerë ndaj traditës fetare të trashëguar, kemi një rritje në numrin e praktikantëve në xhami, në proporcione që nuk ka gjasa t’i paralelizojë asnjë iniciativë tjetër fetare. Por, shpesh ky fetarizëm përjetohet si tension familjar në rrethin familjar të këtyre të rinjve, si rezultat të një zelli që përjetohet kulturalisht si i huaj. Por, teksa është normale që një fe të kërkojë të shpërndajë premtimin e shpëtimit në amshim, që përbën esencën e çdo feje monoteiste, pyetja mund të shtrohet se si do artikulohet kjo në shoqërinë më të gjerë. Në kushtet kur shoqëria kosovare jo vetëm synon, por është në vlerat dhe aspiratat e veta europiane, a do mundin predikuesit muslimanë të artikulojnë dhe implementojnë një frymë fetare që është shëruese e jo konfliktuale, që pasuron nga ana shpirtërore aspiratat shoqërore në vend që të prodhojë reagime të mjera reaksionare? A do i rrijë Islami në Kosovë besnik idealit të vet universalist dhe a do të vazhdojë ta shoqërojë udhëtimin e shqiptarëve? Nëse po, forma dominante e Islamit në Kosovë do të duhet të transformojë vetë-perceptimin dhe imazhin e vet. /revistashenja