Kontingjenti i dytë i karabinierëve nga Inspektorati i Përgjithshëm i Karabinierëve (IGC) të Moldavisë është vendosur për të marrë pjesë, me rotacion, në misionin paqeruajtës ndërkombëtar në Kosovë në kuadër të KFOR-it.
Pjesëmarrja e karabinierëve moldavë në misionet paqeruajtëse ndërkombëtare është dëshmi konkrete e kontributit të këtij vendi në stabilitetin dhe sigurinë rajonale, tha ministri i Punëve të Brendshme i Moldavisë, Adrian Efros, në ceremoninë e dislokimit.
“Profesionalizmi dhe përkushtimi i karabinierëve tanë njihen ndërkombëtarisht dhe këto misione forcojnë bashkëpunimin tonë me partnerët e jashtëm dhe forcojnë prestigjin e Moldavisë në skenën ndërkombëtare”, tha ministri Efros, raporton “radiomoldova”.
Ambasadori italian në Republikën e Moldavisë, Lorenzo Tomassoni, vlerësoi përfshirjen e karabinierëve moldavë në misionin e KFOR-it, duke theksuar se ky bashkëpunim kontribuon në forcimin e sigurisë rajonale dhe paraqet një hap të rëndësishëm në procesin e integrimit evropian të vendit.
Sipas autoriteteve, pjesëmarrja e karabinierëve në këto misione është shembull i angazhimeve të Republikës së Moldavisë ndaj Kartës së OKB-së dhe traktateve ndërkombëtare, duke dëshmuar kështu dëshirën e vendit për të promovuar paqen dhe sigurinë globale.
Moldavia është një prej shteteve që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.