Konsumi global i qymyrit do të rikthehet në nivelet rekorde të vitit 2013

Konsumi i qymyrit në mbarë botën u rikthye me rreth 6 për qind në 2021 pasi ekonomia globale u rikuperua me shpejtësi nga tronditja fillestare e pandemisë COVID-19

Konsumi global i qymyrit pritet të rritet këtë vit deri në ekuivalentin e nivelit rekord që arriti gati një dekadë më parë, sipas një raporti të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë (IEA) të botuar të enjten, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas Përditësimit të Tregut të Qymyrit të IEA-së – Korrik 2022, konsumi i qymyrit në Bashkimin Evropian pritet të rritet me 7 për qind në vitin 2022, krahas rritjes prej 14 për qind të vitit të kaluar.

IEA parashikon që bazuar në trendet aktuale ekonomike dhe të tregut, konsumi i qymyrit në nivel global do të rritet me 0,7 për qind në vitin 2022, në 8 miliardë tonë, duke presupozuar se ekonomia kineze do të rimëkëmbet siç pritej në gjysmën e dytë të vitit.

Sipas raportit, Kina dhe India së bashku konsumojnë dyfishin e sasisë së qymyrit sesa pjesa tjetër e botës së bashku, me vetëm Kinën që përbën më shumë se gjysmën e kërkesës në botë.

“Kjo totale globale do të përputhej me rekordin vjetor të vendosur në vitin 2013 ndërsa kërkesa për qymyr duket se do të rritet më tej vitin e ardhshëm në një nivel të ri rekord të të gjitha kohërave”, theksoi raporti.

Konsumi i qymyrit në mbarë botën u rikthye me rreth 6 për qind në 2021 pasi ekonomia globale u rikuperua me shpejtësi nga tronditja fillestare e pandemisë COVID-19.

Për shumë vende, qymyri mbetet lënda djegëse kryesore për prodhimin e energjisë elektrike dhe një sërë procesesh industriale, megjithëse djegia e sasive të mëdha të qymyrit ka rritur shqetësimet mbi klimën, pasi kjo lëndë është burimi më i madh i vetëm i emetimeve të karbonit.

IEA shpjegoi se rritja e konsumit në BE po nxitet nga kërkesa nga sektori i energjisë elektrike ku qymyri po përdoret gjithnjë e më shumë për të zëvendësuar gazin, i cili është në mungesë dhe ka përjetuar rritje të mëdha të çmimeve pas pushtimit rus të Ukrainës në shkurt. /aa