Konservatorët vazhdojnë të akuzojnë Elon Muskin për censurë mes mosmarrëveshjeve mbi emigracionin

Elon Musk, një manjat amerikan i biznesit që zotëron kompanitë ‘SpaceX’, ‘Tesla’, si dhe rrjetin e mediave sociale X, vazhdon të përballet me akuza për censurë nga konservatorët mes një mosmarrëveshjeje mbi emigracionin, transmeton Anadolu.

Sipas një artikulli nga ‘NBC News’, rrjeti social X të enjten në mbrëmje revokoi verifikimin me shenja te të paktën 14 llogari konservatore, duke i shkëputur ato nga një sërë veçorish premium, përfshirë aftësinë për të fituar para nga llogaritë e tyre përmes abonimeve dhe ndarjes së të ardhurave nga reklamat.

Pas këtyre ngjarjeve, Musk postoi në X për t’u kujtuar përdoruesve se algoritmi është programuar për të maksimizuar “sekondat e përdoruesve të pa penduar”.

“Nëse llogaritë shumë më të besueshme, të verifikuara të abonentëve (jo bots) heshtin/bllokojnë llogarinë tuaj në krahasim me ata që pëlqejnë postimet tuaja, shtrirja juaj do të bjerë ndjeshëm”, shkroi Musk në postim.

Kjo vjen pasi konservatorët kundër emigracionit dhe figurat pro-emigracionit si Musk dhe Vivek Ramaswamy përplasen për politikën në fjalë.

Ramaswamy dhe Musk kanë bërë postime të shumta në X duke pretenduar se vizat H-1B janë të nevojshme, sepse kultura amerikane nuk i jep përparësi suksesit në karrierën shkencore dhe inxhinierike siç bëjnë vendet e tjera.

Konservatorët kundër emigracionit reaguan ndaj këtyre prononcimeve, me një ndikues që denoncoi të dy, Musk dhe Ramaswamy, se po përpiqen të “vjedhin vendin tonë” dhe se ata planifikojnë të vazhdojnë të luftojnë Musk-in për të siguruar që presidenti i zgjedhur Donald Trump të ndjekë politikat kufizuese të imigracionit.