Konjufca: Vendosja e Ambasadës së Kosovës në Kuds nuk ka qenë veprim i mençur

Partia politike kosovare në opozitë, Lëvizja Vetëvendosje konsideron se në rast se rruga e integrimit të Kosovës drejtë Bashkimit Evropian do të kushtëzohet me ndërrimin e lokacionit të Ambasadës së Kosovës në Kuds drejt Tel Avivit, do ta shqyrtojnë një gjë të tillë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Kështu tha në emër të kësaj partie nënkryetari Glauk Konjufca në një debat televiziv vendor ku disa nga kandidatët për deputetë si dhe kreu i kësaj partie, Albin Kurti shpalosën planprogramin e tyre qeverisës para zgjedhjeve të 14 shkurtit.

Konjufca u pyet për marrëdhëniet e reja të vendosura të Kosovës me Izraelin, konkretisht për vendimin Qeverisë në detyrë për të hapur Ambasadën e Kosovës në Kuds, veprim të cilin ai e cilësoi si “jo të mençur”.

“Tashmë në Kuds ka ndodhur faktikisht (është vendosur për t’u hapur aty). Mirëpo, unë konsideroj se nuk ka qenë politikë e mençur e Ministrisë sonë të Punëve të Jashtme dhe e ish-kryeministrit të paligjshëm Avdullah Hoti”, theksoi ai.

Konjufca tha se ambasada do të mbetet në Kuds deri nëse eventualisht Kosova kushtëzohet gjatë proceseve të ndryshme ndërkombëtare që të zhvendosë atë drejtë Tel Avivit.

“Për shembull nëse Kosova kushtëzohet prej BE-së gjatë procesit të saj të integrimeve evropiane: që hyrja jonë në BE të kushtëzohet përmes ndryshimit të lokacionit të ambasadës sonë, unë mendoj që kjo do të duhej të rishqyrtohej me qenë se është vitale për Kosovën, pra është jetike që ne të bëhemi pjesë e BE-së”, shtoi Konjufca.

Kosova nëpërmjet ministres në detyrë të Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla dhe Izraeli nëpërmjet ministrit të Punëve të Jashtme, Gabriel Ashkenazi nënshkruan më 1 shkurt marrëveshjen për vendosjen e plotë të marrëdhënieve diplomatike midis të dyja vendeve, ndërsa kjo marrëveshje sipas kryeministrit kosovar në detyrë, Avdullah Hoti, derivon nga Marrëveshja e 4 shtatorit në Shtëpinë e Bardhë në Washington, ku ai kishte komunikuar nëpërmjet telefonit me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu.

Hoti dhe Haradinaj-Stublla theksuan pas nënshkrimit të kësaj marrëveshje se tani mbetet që Kosova dhe Izraeli të zhvillojnë takime për të konkretizuar Ambasadën e Kosovës në Kuds.

Pas marrëveshjes Kosovë-Izrael, zëdhënësi i Komisionit Evropian, Peter Stano, në konferencën për media, shprehu keqardhjen ndaj vendimit të Kosovës për të hapur ambasadë në Kuds, duke thënë se “Ky vendim e tërheq Kosovën në një kah tjetër nga ai i BE-së në lidhje me Kudsin”, duke rikujtuar se ambasadat e vendeve të BE-së në Izrael ndodhen në Tel Aviv.

Përpos BE-së, për këtë çështje ka reaguar edhe Turqia, nëpërmjet zëdhënësit të Ministrisë së Jashtme të Turqisë, Hami Aksoy, i cili deklaroi se “Angazhimi i Kosovës për të hapur ambasadë në Kuds përbën kundërshtim ndaj ligjit ndërkombëtar, kryesisht ndaj rezolutave të Kombeve të Bashkuara (OKB) të miratuara për këtë çështje”.