Konjufca: Rënia e policëve në krye të detyrës, shembull si mbrohet atdheu

Në 13 vjetorin e rënies heroike të policit Enver Zymeri, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca bashkë me zëvendëskryeministren, Donika Gërvalla, ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sfeçla kanë vizituar familjen e Zymerit dhe rreshterit, Afrim Bunjaku, poashtu i vrarë në krye të detyrës në Banjskë të Zveçanit vitin e kaluar.

Kryeparlamentari Glauk Konjufca, ka theksuar se rënia e policëve në krye të detyrës, tregon shembullin për ta mbrojtur atdheun kur rrezikohet e sulmohet.

“Po siç e dini sot jemi në përvjetorin e rënies së heroit Enver Zymeri është caktuar edhe dita e rënies së policëve për t’i përkujtuar ata. Ishim edhe në familjen e Afrimit e tash te familja e Enverit dhe shprehëm rëndësinë që e ka kjo datë e cila përkujton të gjithë policët e rënë në detyrë por të gjithë atyre u prin Afrim Bunjaku e Enver Zymeri që janë heronjtë tanë e të cilët ranë në krye të detyrës për ta mbrojtur atdheun tonë, për ta mbrojtur atë nga Serbia, për ta mbrojtur kur u sulmua nga Serbia në të dy rastet dhe ky është shembulli më i vlefshëm e të cilin duhet ta kujtojmë sepse është shembulli që kur atdheu rrezikohet e sulmohet, nuk duhet të kursejmë asgjë nga vetvetja. Kështu bën Afrimi dhe Enveri sepse dhanë më të shtrenjtën e tyre sepse nuk u frikësuan që ta japin jetën”, është shprehur Konjufca.

Më pas Konjufca, Bislimi, Sfeçla e pjesëtarë të Policisë së Kosovës kanë bërë homazhe në Zupç të Zubin Potokut, vendin ku u vra heroi, Enver Zymeri.

Me këtë rast kryeparlamentari, Konjufca ka thënë se kujtojnë sakrificën e Enverit dhe Afrimit dhe gjithë policëve të rënë në krye të detyrës.

“Duke e dhënë jetë e tyre dhe dukë dhënë shembullin se për të mbrojtur sigurinë e ardhmërisë tonë, sigurinë e fëmijëve tanë nuk duhet të kursehet as jeta. Institucionet e Republikës së Kosovës do të qëndrojnë pranë familjeve të heronjve tanë, dhe të policëve të tjerë të rënë sepse veç kështu tregojmë që jemi shtet serioz, shtet i cili e ngre në nivelin më të lartë shembullin e sakrificës për të mirën tonë të përbashkët. Lavdi gjithë policëve të rënë në detyrë! Lavdi Enverit e Afrimit”, ka theksuar Konjufca.