Të mbledhur për të bërë homazhe në Kompleksin Memorial në Reçak, krerët shtetërorë kanë dhënë edhe mesazhet e tyre nga atje.
Kryeparlamentari Glauk Konjufca ka thënë se Masakra e Reçakut është ndër aktet më mizore të gjenocidit serb.
Ai ka theksuar se nëpërmjet Reçakut, bota demokratike e kishte kuptuar se “gjuha të cilën e njeh Serbia është gjuha e forcës”.
“Ky ishte njëri ndër aktet më mizore të gjenocidit të Serbisë, e po ashtu për botën demokratike shënoi edhe vijën e kuqe për Serbinë okupatore e cila i solli edhe bombardimet e NATO-s pastaj. Gjë që i hapi rrugë edhe çlirimit të plotë të Kosovës. Pas Reçakut, e gjithë bota demokratike e kuptoi se gjuha të cilën e njeh Serbia është gjuha e forcës, sepse nuk do të ndalej lufta dhe masakrat që po i kryente gjithandej Kosovës. Prandaj, gjithmonë do të mblidhemi këtu, për t’i kujtuar edhe martirët e Reçakut, por mos të harrojmë edhe dëshmorët që ranë në përpjekje për të mbrojtur popullatën civile të Reçakut”, ka shtuar ai.
Homazhe në Reçak krah krerëve po bën edhe ambasadori, William Walker kontributi i të cilit u vlerësua lart.