Ballina Lajmet Kosovë Konjufca: Kosova mbetet e përkushtuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës

Konjufca: Kosova mbetet e përkushtuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka thënë se Kosova mban përkushtimin për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

Ai ka pritur të mërkurën delegacionin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, të kryesuar nga Petra Bayr.

“Kryekuvendari Konjufca ritheksoi se Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës, ashtu siç ka qenë dhe vijon të mbetet e angazhuar në ruajtjen dhe zhvillimin e mëtejshëm të demokracisë në vendin tonë, për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe fuqizimin e sundimit të ligjit“, thuhet në komunikatën e Kuvendit.

Konjufca e ka njoftuar më tej delegacionin me ecurinë aktuale politike dhe ka thënë se procesi i fushatës zgjedhore që përfundon me zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit është duke u zhvilluar konform përcaktimit të tij ligjor.

“Në takim u diskutua rreth ligjit të zgjedhjeve në Republikën e Kosovës që e definon këtë proces, si dhe në lidhje me pritshmëritë që këto zgjedhje të vazhdojnë traditën e mirë demokratike, si një vend që aspirojmë zhvillim sa më të madh në këtë drejtim, me aspirata të anëtarësimit në strukturat ndërkombëtare dhe evropiane”, thuhet më tej në komunikatë.

Exit mobile version