Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka thënë se Kosova mban përkushtimin për anëtarësim në Këshillin e Evropës.
Ai ka pritur të mërkurën delegacionin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, të kryesuar nga Petra Bayr.
“Kryekuvendari Konjufca ritheksoi se Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës, ashtu siç ka qenë dhe vijon të mbetet e angazhuar në ruajtjen dhe zhvillimin e mëtejshëm të demokracisë në vendin tonë, për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe fuqizimin e sundimit të ligjit“, thuhet në komunikatën e Kuvendit.
Konjufca e ka njoftuar më tej delegacionin me ecurinë aktuale politike dhe ka thënë se procesi i fushatës zgjedhore që përfundon me zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit është duke u zhvilluar konform përcaktimit të tij ligjor.
“Në takim u diskutua rreth ligjit të zgjedhjeve në Republikën e Kosovës që e definon këtë proces, si dhe në lidhje me pritshmëritë që këto zgjedhje të vazhdojnë traditën e mirë demokratike, si një vend që aspirojmë zhvillim sa më të madh në këtë drejtim, me aspirata të anëtarësimit në strukturat ndërkombëtare dhe evropiane”, thuhet më tej në komunikatë.