Konjufca: Kosova e Shqipëria duhet të jenë bashkë që t’i përfaqësojnë interesat e kombit shqiptar

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, tha se mbledhja e përbashkët e dy kuvendeve të Kosovës dhe Shqipërisë është dëshmi e unitetit mes dy vendeve përballë sfidave në rajon.

Ai para të pranishmëve tha se Kosova dhe Shqipëria duhet të jenë bashkë dhe të përfaqësojnë interesat e kombit shqiptar.

“Jemi mbledhur në këtë seancë të përbashkët të kuvendeve tona në fund të këtij viti për ta dëshmuar unitetin tonë përballë sfidave politike dhe atyre gjeopolitike, të sigurisë që e shoqërojnë rajonin dhe kontinentin tonë edhe gjatë këtij viti”.

Ai falënderoi Shqipërinë dhe institucionet e saj për ndihmën që i ka dhënë Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Kryekuvendari kosovar përmendi edhe sulmin terrorist në kanalin e Ibër-Lepencit, që sipas tij kishte synim dëmtimin e infrastrukturës kritike të Kosovës.

“Sulmi që u bë para pak ditësh ndaj kanalit të ujësjellësit të Ibër-Lepencit nuk mund të konsiderohet ndryshe përpos sulm terrorist nga ata që refuzojnë ta pranojnë Kosovën si një realitet sovran dhe një rend ligjor e demokratik që nuk ka alternativë në tërë territorin e Republikës tonë. Mos të harrojmë që ky sulm i rëndë ndaj infrastrukturës sonë kritike të furnizimit me ujë dhe energji vjen një vit pas sulmit tjetër të rëndë që e përjetoi Republika jonë e që ishte sulmin në Banjskë, organizatori dhe mbështetës i këtij sulmi është Radoiçiqi dhe i mbështetur drejtpërdrejt nga presidenti Vuçiq e i cili mbetet ende i pandëshkuar nga drejtësia në Serbi e cila pothuajse nuk ekziston fare”.

Kjo është seanca e fundit në mes këtyre legjislaturave meqë edhe Kosova edhe Shqipëria do të mbajnë zgjedhje të cilat do të sjellin përbërje të re të deputetëve në të dyja vendet.