Konjufca dhe të tjerët deklarohen të pafajshëm për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend

Janë deklaruar të pafajshëm për hedhje të gazit lotsjellës në Kuvend në dhjetor të vitit 2015, kryekuvendari Konjufca, deputetët Lekaj e Kadrijaj, si dhe ish deputetet Haxhiu e Dërguti. E akuza për “Pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare”, me të cilën ngarkoheshin të akuzuarit, ka arritur parashkrimin absolut për të gjithë të akuzuarit.

Për ndodhitë e seancave të dhjetorit të vitit 2015, janë ende nëpër Gjykata.

Por, për kryekuvendarin Konjufca, deputetët Lekaj e Kadrijaj, si dhe ish deputetet Haxhiu e Dërguti, vepra penale “Pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare”, u parashkrua.

“Duke pasur parasysh kohën e kryerjes së veprës penale që është 14.12.2015, si dhe kohën e vendosjes së kësaj çështje penale juridike….Gjykata konstaton se për veprën penale ka arritur afati i parashkrimit absolut i ndjekjes penale”, tha Adnan Kamberi- gjykatës.

Një përmbledhje të aktakuzës aktive, e lexoi prokurori i shteti në shqyrtimin fillestar.

“Me datë 14.12.2015 rreth orës 10:00, pas hapjes së mbledhjes në sallën plenare të Kuvendit të Republikës së Kosovës, të pandehurit veç e veç, Glauk Konjufca, Pal Lekaj dhe Besa Baftiu, ndërsa rreth orës 11:00, e pandehura Aida Dërguti, në hapësirat e sallës së mbledhjes së Kryesisë së këtij Kuvendit, paraprakisht ka aktivizuar me dorë armët për shpërndarjen e gazit, ku për pasojë është liruar gazi lotsjellës”, deklaroi Valdrin Krasniqi- prokuror.

Veprën e njëjtë, sipas prokurorisë e kanë kryer të nesërmen edhe Haxhiu e Kadrijaj.

“Të pandehurat, Teuta Haxhiu dhe Time Kadrijaj, me datë 15.12.2015 kanë mbajtur në posedim armë duke shkelur ligjin e zbatueshëm për armë”, tregoi Krasniqi.

Për këto vepra, fajësinë nuk e pranoi asnjëri prej të akuzuarve.

“Deklarimi im është që jam i pafajshëm”, u shpreh Konjufca

“Jo, nuk e ndjej veten fajtor”, tha Lekaj.

Ish-deputetja Aida Dërguti tha se hedhja e gazit ishte veprim politik.

“Ka qenë veprim politik. Përgjegjëse jam, por nuk e ndjej veten fajtore.”

“Jo, nuk e ndjej veten fajtore”, tha ish-deputetja Besa Baftiu

Teuta Haxhiu ish-deputete u deklarua “Plotësisht e pafajshme”

“E pafajshme”, tha se ndihet edhe deputetja Time Kadrijaj.

Seanca e shqyrtimit fillestar kishte dështuar disa herë të mbahej, shkak i mungesës së të akuzuarve.