Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka thënë se prezantimi i draft-statutit të Asociacionit nga Ekipi Menaxhues ka qenë kundër interesave të Kosovës.
Ai tha se më këtë propozim u tentua të futet një republikë brenda Republikës së Kosovës dhe se kjo është e papranueshme.
Konjufca pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit të mërkurën tha se nuk do të heqin dorë nga respektimi i Kushtetutës së Kosovës.
“Ky Ekip Menaxhues e prezantoi një draft-statut i cili ishte një republikë brenda Republikës së Kosovës. Kjo normalisht që ishte e papranueshme për neve. Gjithçka do të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës. Çdo zgjidhje që jepet përtej kornizave të Kushtetutës së Kosovës është e papranueshme”, tha Konjufca, raporton teve1.info
Ai duke folur për përbërjen Ekipit Menaxhues, pjesë e të cilit ishte edhe një deputete e Serbisë, ka kritikuar qeveritë e kaluara të Kosovës se kanë emëruar njerëz që nuk mbrojnë interesat e Kosovës.
“Gjithçka ishte e pritshme lidhur me atë çfarë ndodhi. Ekipi Menaxhues i vendosur nga qeveritë e mëparshme, pati një qëndrim tronditës për neve, pasi atje prezantoi interesat e Republikës së Serbisë jo të Republikës së Kosovës. Pra po e shihni edhe vet se çarë ekipi kanë vendosur qeveritë e më pashme, kanë vendosur zyrtarë që nuk kanë lidhje me interesat e Kosovës”, tha ai para gazetarëve.
Konjufca ka mirëpritur vendimin e Qeverisë për shkarkimin e EM.
“Fort mirë që u shkarkuan”, tha Konjufca.
Versioni i Kurtit për Asociacionin sipas tij është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.
Konjufca ka thënë se nuk pret ndonjë marrëveshje të shpejtë me Serbinë.
“Pozicionet janë shumë të largëta, të papajtueshme. Nuk pres fare të ketë një marrëveshje të shpejt mes Kosovës dhe Serbisë dhe kjo nuk mund të ndodhë për shkak të drejtimit politik që ka Serbia sot”, tha kryeparlamentari.
Kryeministri Kurti ka refuzuar në Bruksel propozimin e draft-statutit për Asociacionin e Komunave me Shumicë serbe, të prezantuar nga Ekipi Menaxhues.
Këtë ekip e ka liruar nga detyra ministri Elbert Krasniqi të enjten pas propozimit të tyre në Bruksel