Konjufca akuza të rënda drejt Qeverisë Hoti: Qeverisja e mirë do të rikthehet shpejt

Ish-ministri i Punëve të Jashtme në Qeverinë Kurti, Glauk Konjufca, ka hedhur akuza të rënda në drejtim të Qeverisë Hoti.

Konjufca përmes një statusi në Facebook ka paralajmëruar se “Qeverisja e mirë do të rikthehet shpejt”, duke iu referuar Qeverisë Kurti.

Nënkryetari i Vetëvendosjes ka kritikuar ministrat e Qeverisë Hoti, duke i quajtur veprimet e tyre si të neveritshme.

Po ashtu në këtë status të gjatë, Konjufca ka përmbledhur në mënyrë kronologjike ngjarjet nga fillimi i pandemisë, por edhe qeverisjen me LDK-në e deri te prishja e koalicionit.

Ky është statusi i tij i plotë:

Qeverisja e mirë do të rikthehet shpejt

Sa të neveritshme këto fotot e ministrave në kulmin e pandemisë! Ta krijojnë përshtypjen e fotosesioneve. Plot krekosje, në fytyrat e tyre nuk sheh asnjë kokërr serioziteti për gjendjen shëndetësore në Kosovë. Fytyrat e tyre delirante dhe të vetëmjaftueshme me pozitat e pamerituara, janë në një univers krejt tjetër në raport me gjendjen në ambientet e QKUK-së. Nuk mund te gjesh kurrfarë pikëprerje mes këtyre dy botëve paralele.

E rrëzuan Qeverinë Kurti me arsyetimin se nuk po e menaxhon mirë pandeminë. Por numri i rasteve atëherë ishte vazhdimisht nën 30.

E sot kur 200 raste në ditë janë bërë normalitet, del Arban Abrashi me një cinizëm të gërditshëm e thotë që situata është stabile, duke e fajësuar VV-në.

Ditën që i patëm 19 raste me COVID 19 Agim Veliu në koordinim me Thaçin propozoi gjendje të jashtëzakonshme.

E me 219 raste gjendja iu duket e zakonshme.

Kjo tregon se së bashku me PDK-në ata nuk e kishin mendjen te virusi, por te rrëzimi i Qeverisë Kurti.

LDK-ja e Isa Mustafës bëri aleancë me ata që gjatë zgjedhjeve ishin “hajnat e pushtetit”, për ta hequr nga qeverisja e mirë fituesin e zgjedhjeve.

Nuk është e rastit, pra, që ka degraduar çdo gjë:

– Në menaxhimin e pandemisë qëndrojmë më së keqi në Evropë.

– Sa më keq menaxhohet pandemia në përpjestim me të do të ketë pasoja ekonomia. Zgjidhja e Qeverisë është e tmerrshme: le të vdesin edhe me mijëra qytetarë, por nuk do të ketë shtrëngim të masave.

– Disa qytetarë mund të kenë gjetur vdekjen jo nga COVID-i, por nga keqmenaxhimi i aparaturave të oksigjenit. Askush nuk jep përgjegjësi.

– Dialogu me Serbinë jo vetëm që ka degjeneruar toralisht, por duke e parë këtë Qeveri pasive, xhandarmëria e Vuçiqit ka marrë hov për t’i kapërcyer lehtësisht edhe kufijt e shtetit tonë.

– Në krye të negociatave është caktuar një person pa kurrfarë legjitimiteti popullor.

Në këtë kohë kur qytetarët janë lënë nën mëshirën e fatit ne çdo aspekt, është me rendësi që të mos e humbim vullnetin dhe shpresën. Momenti po vjen shumë shpejt kur populli do ta përdor votën për ndëshkim. Dhe do t’i japin fund politikanëve hajna e të pangopshëm njëherë e përgjithmonë. Qytetarët mezi po presin që shtetit tonë t’ia rikthejnë qeverisjen e mirë e cila filloi në shkurt por u ndërpre në mars. Kur fitorja është në zemrat dhe mendjet e njerëzve, ajo bëhet e pashmangshme.