Kongresmenia demokrate, Ilhan Omar paraqiti në Dhomën e Përfaqësuesve të ShBA një p/rezolutë për zbatimin e sanksioneve kundër Princit të Kurorës Mohamed bin Salman të Arabisë Saudite për vrasjen e gazetarit Jamal Khashoggi.
Në një deklaratë me shkrim, Omar theksoi se zbatimi i sanksioneve kundër Princit të Kurorës është “një sprovë për njerëzimin“.
“Nëse ShBA-ja është me të vërtetë një mbështetëse e lirisë së shprehjes, demokracisë dhe të drejtave të njeriut, nuk mund të ketë asnjë arsye për të mos e ndëshkuar Mohamed bin Salmanin, për të cilin inteligjenca jonë ka arritur në përfundimin se ai ka aprovuar vrasjen e gazetarit saudit, Jamal Khashoggi, që ka jetuar në Amerikë”,- theksoi ajo.
Në vijim të deklaratës së saj kongresmenia amerikane thotë se çdo moment që Mohamed bin Salmani vazhdon të mbetet pa u ndëshkuar, kjo është një ndëshkim për interesat e Shteteve të Bashkuara, të drejtat e njeriut dhe për jetën e kundërshtarëve sauditë. Arabia Saudite duhet të përfshihet në listën e vendeve që kryejnë veprime destabilizuese dhe të dhunshme të tilla si Irani dhe Rusia.
Princi saudit i Kurorës nuk duhet të trajtohet ndryshe. Sepse askush nuk duhet të lirohet pasi ka kryer një vrasje, thekson Omar dhe shton: “Ne duhet të veprojmë sipas vlerave tona si një superfuqi globale që jemi.”
Raporti i publikuar të premten nga Departamenti i Inteligjencës Kombëtare (DNI), sipas të cilit bin Salmani ka miratuar vrasjen e Khashoggi, kishte bërë jehonë të madhe, por administrata Biden nuk ka marrë ndonjë vendim për të sanksionuar princin e kurorës./TRT