Kongresi i SHBA-së ka certifikuar zyrtarisht fitoren e presidentit të zgjedhur Donald Trump në zgjedhjet e 5 nëntorit, duke shënuar hapin e fundit para inaugurimit të tij më 20 janar, transmeton Anadolu.
Zv/presidentja Kamala Harris, e cila humbi në garën presidenciale ndaj Trumpit, kryesoi seancën në rolin e saj kushtetues si presidente e Senatit të SHBA-së.
“Kongresi certifikon fitoren tonë të madhe zgjedhore sot, një moment i madh në histori. MAGA (Bëje Amerikën Përsëri të Madhe”, shkroi Trump në platformën sociale Truth Social.
Në një video të postuar në mediat sociale para certifikimit, Harris tha se “tranferimi paqësor i pushtetit është një nga parimet më themelore të demokracisë amerikane”.
Certifikimi ka tërhequr një krahasim me 6 janarin e vitit 2021, kur një turmë e dhunshme pushtoi Kapitolin e SHBA-së, duke i sulmuar forcat e zbatimit të ligjit derisa u futën në legjislaturën kombëtare në një përpjekje për të bllokuar presidentin Joe Biden nga marrja e detyrës.
Seanca u zhvillua me shpejtësi dhe pa protestë, me rezultatet shtetërore të lexuara me zë të lartë me pjesëmarrjen e zv/presidentit të zgjedhur James David Vance.
Trump në zgjedhjet e 5 nëntorit siguroi 312 vota të Kolegjit Zgjedhor ndaj 226 votave të siguruara nga Harris.
Ligjvënësit u mblodhën nën siguri të shtuar dhe reshje të dendura të borës që mbuluan kryeqytetin Washington, D.C.