Kam shkruar edhe më parë për Kongresin e Manastirit si dhe rëndësinë dhe kontributin e Perandorisë Osmane në organizimin dhe mbarëvajtjen e Kongresit. Megjithatë, vlerësimi i këtij kontributi në historiografinë shqiptare mbetet i zbehtë. Ky kongres, i njohur për vendimet që formësuan “standardizimin e alfabetit” të gjuhës shqipe, u financua dhe u mbështet nga Perandoria Osmane. Kjo është një pikë që nuk duhet anashkaluar, sepse dëshmon për një bashkëpunim të ndërsjellë ndërmjet shqiptarëve dhe Portës së Lartë. Fatkeqësisht, në diskursin publik, ky fakt mbetet në hije, duke lënë jashtë një dimension të rëndësishëm të historisë sonë.
Kur diskutohet për Kongresin e Manastirit, shpesh krijohet përshtypja se kjo është “ngjarja” prej së cilës filloi të shkruhej gjuha shqipe. Në fakt, gjuha shqipe ka qenë e shkruar shumë më herët, si me alfabetin latin, ashtu edhe me atë osman. Trajtimi i Kongresit të Manastirit si një “pikë zero” e shkrimit të shqipes jo vetëm që është keqinterpretim, por nënvlerëson përpjekjet e mëparshme të rilindësve shqiptarë, duke krijuar një narrativë të kufizuar që e shkëput historinë e shqipes nga rrënjët e saj.
Një tjetër çështje që meriton kritikë është përdorimi i termit “Alfabeti Shqip”. Ky term është i pasaktë. Alfabeti që u miratua në Manastir në vitin 1908 nuk është një “alfabet shqip” në origjinë, por është një version i alfabetit latin, i përshtatur për tingujt e gjuhës shqipe. Për më tepër, gjuha shqipe vazhdoi të shkruhej me alfabetin osman edhe pas Kongresit të Manastirit, siç dëshmohet nga dokumentet e kohës. Kjo tregon se Kongresi nuk e mbylli përdorimin e alfabeteve të tjera për gjuhën shqipe, por thjeshtë nënvizon vazhdimësinë e shkrimit të saj në forma të ndryshme.
Në përfundim, Kongresi i Manastirit nuk duhet parë as si pika fillestare e shkrimit të shqipes me alfabet latin, as si fundi i përdorimit të alfabetit osman. Ajo ishte një ngjarje, shumë e rëndësishme në historinë tonë, por nuk është fillimi i një epoke apo mbyllja e një epoke tjetër.
Për më tepër, bashkëngjitur gjeni dy abetare të gjuhës shqipe të shkruara me alfabet osman: njëra i përket vitit 1906, ndërsa tjetra vitit 1910.