Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Kongo ndalon protestat në kryeqytet pas sulmeve ndaj disa ambasadave

Kongo ndalon protestat në kryeqytet pas sulmeve ndaj disa ambasadave

Autoritetet kongoleze kanë ndaluar demonstratat në Kinshasa, kryeqyteti i Republikës Demokratike të Kongos (RDK), pas protestave të dhunshme gjatë të cilave u sulmuan disa ambasada, përfshirë ato të Francës dhe të SHBA-së, raporton Anadolu.

Guvernatori i Kinshasës, Daniel Bumba, në një fjalim tha se vendimi ishte marrë në përgjigje të protestave të dhunshme që synonin disa ambasada.

Ai tha se ndalimi do të hyjë në fuqi të mërkurën dhe u kërkoi qytetarëve të rifillojnë aktivitetet e tyre normale. Pas protestave të dhunshme të martën, SHBA-ja mbylli ambasadën e saj në Kinshasa dhe u kërkoi amerikanëve të largoheshin nga Kongo.

Zv.ministrja e Brendshme e Kongos, Eugenie Kamba, në një video të postuar në mediat sociale, fajësoi Ruandën për sulmet ndaj ambasadave në kryeqytet.

Ndërkohë, sekretari amerikan i shtetit Marco Rubio, dje zhvilloi një bisedë telefonike me presidentin e Ruandës, Paul Kagame, duke kërkuar një armëpushim të menjëhershëm në Kongon lindore, sipas zëdhënëses Tammy Bruce.

Rubio theksoi se SHBA-ja është “thellësisht e shqetësuar nga përshkallëzimi i konfliktit të vazhdueshëm në lindje të RDK-së, veçanërisht nga rënia e qytetit Goma në duart e grupit të armatosur M23 të mbështetur nga Ruanda”. Ai bëri thirrje për një armëpushim të menjëhershëm në Kongon lindore dhe respektim të sovranitetit dhe integritetin territorial nga të gjitha palët.

Në një postim në X, Kagame i përshkroi diskutimet me Rubion si “produktive për nevojën për të siguruar një armëpushim në RDK-në Lindore dhe adresimin e shkaqeve rrënjësore të konfliktit njëherë e përgjithmonë”.

Grupi rebel M23, i cili supozohet se mbështetet nga Ruanda, ka intensifikuar ofensivën e tij në Kongon lindore, duke pushtuar qytetet kryesore dhe duke avancuar drejt Gomas, kryeqyteti i provincës Kivu Veriore.

Që nga java e kaluar, të paktën 42 persona, përfshirë 17 paqeruajtës të huaj, janë vrarë në Goma, ndërsa qindra të tjerë janë plagosur në përleshjet e vazhdueshme midis ushtrisë kongoleze dhe forcave rebele.

Ministrja e Jashtme e Kongos, Therese Kayikwamba Wagner i tha Këshillit të Sigurimit të OKB-së se mbi 100 njerëz janë dërguar në qendrat shëndetësore ditët e fundit, më shumë se 500 mijë janë të zhvendosur dhe se situata humanitare është përkeqësuar më tej.

Mes raporteve të diskutueshme se kush e kontrollon qytetin Goma, një zyrtar kongolez i tha Këshillit të Sigurimit se forcat qeveritare, të mbështetura nga paqeruajtësit rajonalë të OKB-së dhe Afrikës Jugore, “vazhdojnë të luftojnë me guxim në Goma”.

Grupi M23 pretendon se lufta e tij nxitet nga ankesat për diskriminimin e supozuar ndaj komuniteteve Tutsi në rajon. Ata pretendojnë se qeveria kongoleze nuk i ka trajtuar shqetësimet e tyre, veçanërisht për sigurinë dhe integrimin e tyre në ushtrinë kombëtare.

Qeveria kongoleze, nga ana tjetër, akuzon grupin M23 për destabilizimin e rajonit me mbështetje të jashtme, kryesisht nga Ruanda fqinje.

Exit mobile version