Policia e Kosovës, konkretisht njësia anti-drogë e rajonit të Pejës që vepron në kuadër të drejtorisë për hetimin e trafikimit të narkotikëve (DHTN), në luftën e saj të pakompromis për parandalimin dhe luftimin e rasteve të trafikimit të substancave narkotike në bashkëpunim edhe me njësitet tjera policore gjatë një operacioni operativ-hetimor në fshatin Llapnasellë, komuna e Graqanicës ka konfiskuar një sasi të konsiderueshme të substancës së dyshuar narkotike të llojit marihuanë dhe ka arrestuar një person të dyshuar.
Policia në koordinim edhe me prokurorinë kompetente pas hetimeve intensive të kryera dhe sigurimit të informacioneve relevante se: i dyshuari R. ZH. mashkull serb kosovar (viti i lindjes 1983) posedon në shtëpinë e tij sasi të substances narkotike dhe të njëjtën gjatë ditës pritej ta transportonte në një vend tjetër, me datë 19.12.2016, në Llapnasellë, Policia ka realizuar një operacion taktik bastisjeje në lokacionin e të dyshuarit dhe në pronën e tij janë gjetur të mbushur tre thasë me substancë narkotike të dyshuar e llojit marihuanë, pesha e së cilës rezultonte të jet 25 (kg) kilogramë e 400 gramë.
Sasia e substancës së dyshuar është konfiskuar përderisa me urdhër të prokurorit kompetent të dyshuarit të arrestuar iu është shqiptuar masa e ndalimit për 48 orë për procedura të mëtejme ligjore.