Konfirmohet kalimi i Berishës te Petroluli

Sulmuesi Albin Berisha është larguar nga Ballkani për ta vazhduar karrierën në Rumani. Ekipi nga Suhareka ka bërë të ditur të hënën se Berisha i është bashkuar ekipit Petrolul 52 nga Poliesti i Rumanisë.

Ballkani nuk i ka bërë të ditura detajet e transferimit, por Berisha të hënën është prezantuar edhe nga Petroluli, ekip me të cilin ka firmosur kontratë deri në fund të edicionit 2026/27.

23-vjeçari në vitet e fundit ka qenë pjesë e Ballkanit dhe me ekipin nga Suhareka ka fituar tre trofe, dy tituj kampioni të Kosovës dhe një Superkupë. Në 18 paraqitje këtë edicion në kampionatin e Kosovës, Berisha ka shënuar 7 gola për skuadrën nga Suhareka.

Aktualisht, skuadra e Petrolulit zë vendin e nëntë në elitën e futbollit të Rumanisë.