Konferenca e Rektorëve kërkon nga Kuvendi, Qeveria dhe opozita të bëhen bashkë si në kohën e pavarësisë

Rektorët e universiteteve publike në Kosovë kanë kërkuar unifikim të partive politike, në pozitë dhe opozitë, për t’u ballafaquar me problemet me të cilat po përballet shteti prej pandemisë e deri te Gjykata Speciale.

“Konferenca e Rektorëve thekson se klasa politike e Kosovës duhet të akordojë një politikë nacionale të Kosovës dhe të mos e bëjë atë politikë viktimë të luftës për pushtet”, thuhet në Deklaratën e Konferencës së Rektorëve.

Aty bëhet thirrje për unifikim dhe një tryezë për të definuar rrugën e shtetit drejt interesit nacional.

“Qeveria, Kuvendi i Kosovës dhe opozita, pavarësisht prej dallimeve politike, duhet të ulen në një tryezë të rrumbullakët dhe të përkufizojnë cilat janë çështjet themelore të interesit nacional dhe të angazhohen të njëjtat t’i zhvillojnë e t’i mbrojnë. Klasa e sotme politike duhet të inspirohet në përvojën e bashkërenditjes së interesave nacionale në vitet 2005-2008, nga fillimi i procesit të pavarësisë e deri te shpallja e pavarësisë”, shkruan më tej në Deklaratë.

Njoftimi i plotë

Konferenca e Rektorëve të Universiteteve Publike të Republikës së Kosovës, në mbledhjen virtuale mbajtur më 10 korrik 2020, ku morën pjesë Prof. Asoc. Dr. Bajram Kosumi, kryesues, Prof. Dr. Marjan Demaj, Prof. Dr. Alush Musaj, Prof. Dr. Fadil Millaku, Prof. Dr. Agron Bajraktari dhe Prof. Ass. Dr. Artan Nimani,

Miratoi këtë

D E K L A R A T Ë

  1. Konferenca e rektorëve konstaton se Kosova po kalon një fazë shumë të rëndësishme në rrugën e vet të shtetndërtimit. Janë disa faktorë potencialë që e vështirësojnë këtë proces, si: mosuniteti dhe armiqësia e klasës politike edhe në çështjet me interes nacional; epidemia Covid 19; bashkëveprimi i politikës së Kosovës me SHBA dhe BE; politizimi i Gjykatës Speciale të Hagës etj. Pasojat e këtyre politikave tashmë kanë filluar të shihen. Mosvotimi i marrëveshjeve financiare ndërkombëtare në Kuvendin e Kosovës, me c’rast Kosova humbë shumë, është vetëm një tregues i këtyre dështimeve.
  2. Konferenca e Rektorëve thekson se klasa politike e Kosovës duhet të akordojë një politikë nacionale të Kosovës dhe të mos e bëjë atë politikë viktimë të luftës për pushtet. Për çështjet me interes nacional, si është çështja e dialogut me Serbinë, bashkëveprimi i politikave me SHBA-në dhe BE-në, strategjia anti-Covid 19, mbrojtja e shqiptarëve në Serbi etj., duhet të krijojë një platformë të përbashkët, të cilën do ta mbrojë secila parti dhe secili institucion. Qeveria, Kuvendi i Kosovës dhe opozita, pavarësisht prej dallimeve politike, duhet të ulen në një tryezë të rrumbullakët dhe të përkufizojnë cilat janë çështjet themelore të interesit nacional dhe të angazhohen të njëjtat t’i zhvillojnë e t’i mbrojnë. Klasa e sotme politike duhet të inspirohet në përvojën e bashkërenditjes së interesave nacionale në vitet 2005-2008, nga fillimi i procesit të pavarësisë e deri te shpallja e pavarësisë.
  3. Epidemia Covid 19 është shndërruar në problem nacional dhe botëror, ndërsa qeveria dhe agjencitë e tjera qeveritare ende janë duke e trajtuar ad hoc. Ende nuk ka një strategji anti-Covid 19. Nuk mjafton vetëm një ligj, por duhet hapur një debat të thellë e të gjerë të ekspertëve për masat që duhet ndërmarrë qeveria dhe shoqëria për t’u mbrojtur nga ky armik i madh dhe më i përhershëm se sa është menduar.
  4. Konferenca e Rektorëve fton klasën politike që të intensifikojë takimet dhe akordimin e politikave nacionale të Kosovës me SHBA, BE dhe Britaninë e Madhe. Republika e Kosovës është krijuar dhe ka pasur sukses falë këtij koordinimi. Çdo devijim a mënjanim nga kjo rrugë është i dëmshëm për Kosovën.
  5. Kuvendi i Kosovës ka themeluar Gjykatën Speciale për krimet e luftës në Kosovë (2015) për të zbardhë dhe dënuar krimet e pretenduara të luftës në Kosovë. Kohët e fundit me të drejtë qytetarët janë shqetësuar për politizim të kësaj gjykate, sidomos me rastin e publikimit të emrave të të akuzuarve nga propozim-aktakuza e pakonfirmuar. Ne besojmë te drejtësia ndërkombëtare, ashtu si kemi besuar në dekadat e fundit, ne besojmë se kjo gjykatë do të qartësojë pastërtinë e luftës çlirimtare të UCK, në njërën, dhe do të markojë krimet masive të ushtrisë dhe forcave policore e paramilitare serbe në Kosovë.
  6. Konferenca e Rektorëve është e gatshme të mbështesë, të inkurajojë, të ndihmojë klasën politike dhe agjencitë qeveritare të Kosovës me ekspertë për secilin prej problemeve të theksuara në drejtim të ruajtjes dhe zhvillimit të procesit shëndetësor, politik e ekonomik të Kosovës.