Koncepte ekonomike sipas dijetarëve të hershëm myslimanë

Dr. Islam Hasani

Ekonomia është pjesë e pandashme e çdo shoqërie. Edhe në ligjet më të vjetra të shkruara,(1) ekzistojnë ligje që trajtojnë aktivitetet ekonomike. Prandaj, ky shkrim i shkurtër ka për qellim të diskutoj në mënyrë shumë të shkurtër kontributin e dijetarëve të hershëm myslimanë në ekonomi, duke i përmendur disa koncepte ekonomike të diskutuara dhe të elaboruara në librat e tyre, që edhe sot e kësaj dite ekzistojnë dhe janë në dispozicion për lexuesit. Burimet kryesore te ekonomisë janë Kurani dhe i i Pejgamberit a.s., pastaj vijnë burimet e tjera të Sheriatit. Ekzistojnë shume ajete kuranore që diskutojnë aspekte ekonomike, si p.sh., inkurajimi për punë, etika në biznes, drejtësia në tregti, ndalimi i kamatës në transaksione financiare, kushtet e kontratave, koncepti i pasurisë, etj. Gjithashtu edhe tradita e Pejgamberit në biznes dhe themelimi i parimeve dhe institucioneve(2) të rëndësishme financiare gjatë kohës së tij, i japin një rëndësi të veçantë aspektit ekonomik si një pjesë apo pore e pandashme e jetës së njeriut. Të gjithë dijetarët e hershëm kanë folur për koncepte ekonomike, sepse ekonomia është pjesë e pandashme e jetës së njeriut dhe në vazhdimësi ka pasur reforma për t’iu përgjigjur nevojave të kohëve të ndryshme.
Tema është e rregulluar që të diskutoj në mënyrë kronologjike për disa nga dijetarët e hershëm në kohë të ndryshme. Është bërë një krahasim ndërmjet kohërave dhe koncepteve të politikës ekonomike dhe koncepteve të ndryshme që ende janë aktuale dhe që shoqëria e tanishme përballet me të njëjtat probleme.

Ebu Jusufi (731-798)

Jakub ibën Ibrahim el-Ensari, i njohur si Ebu Jusufi. Ai ishte nxënës i Ebu Hanifes, i cili ka kontribuar në shtrirjen e ndikimit të shkollës juridike hanefite përmes shkrimeve të tij dhe pozitës të cilën e pati në qeverinë e atëhershme. Ai ishte caktuar si gjykatës në Bagdad, dhe më vonë kryegjykatës në kohën e kalifit abasid, Harun al-Rashid.
Ebu Jusufi ishte juristi i parë i cili i kushtoi trajtim ekskluziv çështjeve të politikave ekonomike apo më saktësisht politikave fiskale. Kjo fushë studimi ishte ndjekur edhe nga dijetarë të tjerë të kohës së tij dhe më vonë për shkak të rëndësisë që ka. Libri i tij i njohur Kitab al-Haraxh apo libri i taksave mbi tokën e agrikulturës është një shpjegim i taksave dhe problemeve fiskale të shteteve të përgatitura me kërkesën e kalifit Harun al-Rashid. Deri në atë kohë ekzistonin disa fletushka të shkruara në kohën e Muaviut, në bazë të të cilave edhe punohej deri atëherë. Por më vonë, me shkrimin e librit nga Ebu Jusufi, libri i tij u bë politikë shtetërore mbi taksat.
Çështja e haraxhit (taksa mbi tokën e agrikulturës) ishte njëra prej gjërave shumë të rëndësishme në kohën e mesjetës, sepse ka qenë burimi kryesorë për mbushjen e buxhetit të shtetit. Edhe në kohën e hershme të Islamit kjo ka pasur një rëndësi të madhe për arsye se territoret e shtetit islam zgjeroheshin, dhe kostoja e menaxhimit dhe administrimit të shtetit rritej dhe kërkonte financim. Prandaj, për ta mbushur thesarin e shtetit nevojiteshin politika fiskale të qëndrueshme dhe të drejta.
Buxheti shtetëror në sistemin modern në përgjithësi ndahet në dy lloje: buxheti rrjedhës dhe buxheti kapital.
– Buxheti rrjedhës përgatitet për financimin e shpenzimeve në administratën civile, mbrojtje, shpenzimet buxhetore dhe shpenzimet e kësaj natyre.
– Ndërsa, buxheti kapital përgatitet për financimin e projekteve kapitale, ndërtimi i infrastrukturës, institucionet edukative, telekomunikacion, infrastrukturë rrugore, hekurudhave etj.
Buxheti i shtetit në një sistem islam është pak më ndryshe nga ai që u përmend. Të gjitha të ardhurat nga pagesa e zekatit dhe sadakaja transferohen në bayt al-mal (thesari shtetëror) për financimin e projekteve të mirëqenies sociale për kategoritë e varfra dhe të nevojshme. Kurse të ardhurat e tjera nga taksat e ndryshme, dedikohen për financimin e projekteve të administratës civile, mbrojtjes, projekteve për zhvillim ekonomik, pagesa e borxheve të shtetit (nëse ekzistojnë), etj. Kjo shpjegon se buxheti i shtetit islam ndahet në dy lloje tjera: 1. buxheti për mirëqenie sociale dhe 2. buxheti gjeneral.(3)
Kurani dhe i kanë dhënë instruksione të qarta në lidhje me politikën shtetërore rreth formimit të buxhetit dhe shpenzimit të tij. Në kohën para-islame, të ardhurat e shtetit janë konsideruar të ardhura personale për udhëheqësin e shtetit, mirëpo me ardhjen e Muhamedit a.s., ai e konsideroi të ndaluar zakatin për vete dhe për familjen e tij.
Ashtu siç është e ditur, kur Islami ka filluar të predikohet, nuk ka qenë fe shtetërore, përkundrazi është dashur të luftoj kundër shumë fenomeneve negative për të mbijetuar. Numri i simpatizuesve është rritur në mënyre graduale, por ky numër i vogël i myslimanëve nuk kishin siguri për ekzistencë, e lëre më të organizojnë diçka në nivel më të lartë. Mësimet islame ishin të bazuar në nivelin më të lartë të moralit, andaj është normale që Pejgamberi a.s. i ka udhëzuar shokët e vet që të japin lëmosh (sadaka). Këtë e argumenton edhe Kurani, ku në kaptinat të cilat janë zbritur në periudhën mekase, përmenden edhe termet zekat (pastrim, rritje, që do të thotë të dhënit e pasurisë së rritur, për ta pastruar atë), sadaka (lëmoshë, vërtetësi, që do të thotë argument i besimtarit të vërtetë), hakk, (e drejta, do të thotë nëse lëmosha është e drejta e të varfrit, atëherë kjo është detyrë e të pasurit për ta dhënë atë), nafakah, (shpenzim në rrugën e Allahut).
Të gjitha këto kontribute, derisa Muhamedi a.s. dhe besimtarët ishin në Meke, janë dhënë në mënyrë private dhe vullnetare, e jo në mënyrë të organizuar nga autoritetet qendrore siç është rasti pas hixhretit.

Organizimi pas hixhretit

Me kalimin nga Meka në Medinë, gjendja e myslimanëve ka ndërruar krejtësisht. Atje themeluan shtetin, kishin lirinë të jetojnë ashtu si dëshironin, pa pasur persekutime dhe frikë. Shteti i cili u themelua në Medinë, nuk ishte një vazhdimësi e diçkaje që ka ekzistuar apo një ndërrim dinastie, por ishte një evolucion prej organizimit fisnor, në një rregull superior të shoqërisë, në fillim një qytet-shtet, kurse më vonë një shtet i gjerë. Natyrisht, çdo gjë është dashur të themelohet prej fillimit, sepse personat në udhëheqje, Muhamedi a.s. dhe pasuesit e tij, nuk patën trashëguar ndonjë traditë qeverisjeje apo institucione administrative. Në aspektin e financimit të administratës është bërë një zhvillim gradual, duke filluar me rekomandime, e duke përfunduar në obligime të mbështetura me tërë forcën që një shoqëri mund të ketë.
Menjëherë pas shpërnguljes, një nga prioritetet ishte rehabilitimi i të shpërngulurve dhe vëllazërimi ndërmjet veti.4 Në fazën e dytë, vërehet një sistem i organizuar për shpërndarjen e lëmoshës. Pejgamberi a.s. i mblidhte ato vet, e pastaj i shpërndante te njerëzit e nevojshëm. Në fazën e tretë, lëmosha bëhet obligim shtetëror, një taksë e vërtetë dhe ibadet (adhurim ndaj Zotit). Ndërsa në fazën e katërt, organizimi i mbledhjes dhe i shpërndarjes bëhet nga ana e zyrtarëve të shtetit, dhe kjo sipas disa dokumenteve ka ndodhë në vitin e 8 hixhrij.
Kur flitet për taksat e kësaj natyre, në bazë të asaj që u tha më lart rreth formimit dhe shpenzimit të buxhetit të shtetit, është shumë e qartë se të ardhurat nga ky burim kanë një rëndësi të madhe për funksionimin e shtetit.

Kitab el-Haraxh (libri mbi taksat)

Ebu Jusufi ka dhënë një kontribut shumë të çmuar në këtë lëmi. Në librin e tij të njohur diskutohen më gjerësisht idetë rreth taksave dhe implementimit të tyre, financave publike dhe prodhimeve të agrikulturës. Ai favorizon taksat proporcionale bazuar në prodhime, duke zëvendësuar taksat fikse dhe në mënyrë paushallë pa bërë ndonjë analize për t’u ikur taksave të padrejta në pasuri. Kjo është konsideruar më superiore si një stimulim për të sjell më shumë tokë në kultivim dhe rritje të prodhimit. Ai gjithashtu sugjeroi politiken e faljes së taksave, e cila i favorizon prodhuesit dhe administratën qendrore të taksave me qëllim të ruajtjes nga korrupsioni. Ai gjithashtu sugjeroi se udhëheqësi i drejtë mund të ngrit apo ulë taksat, duke i bërë analizë situatës dhe kërkesave të shtetit dhe në të njëjtën kohë duke konsideruar mundësinë e pagesës së taksa paguesve.

Muhamed bin el-Hasani (750-804)

Sikurse Ebu Jusufi edhe Muhamed bin el-Hasani ishte nxënës i Ebu Hanifes. Punimet e tij janë të përqendruara në lëmi të ndryshme duke përfshirë edhe sjelljet ekonomike të myslimanëve si individ dhe si shoqëri. Ai shkroi një broshurë të vogël në lëmin e ekonomisë, gjegjësisht fitimit (Kesb), broshura është e titulluar Kitab el iktisab fil rizk el-Mustehab (Libri mbi fitimin e një pasurie të pastër). Në këtë libër diskutohet për aktivitetet fitimprurëse, mënyrën dhe kushtet e aplikimit të tyre, siç janë: qiradhënia, tregtimi, agrikultura dhe industria sipas rregullave të Sheriatit.
Ai gjithashtu diskutoi edhe për vetitë konsumuese të një myslimani të devotshëm dhe i dha rëndësi të madhe inkurajimit të dhënies për bamirësi në njërën anë dhe dekurajimit të kërkimit të lëmoshës në anën tjetër. Ai i kritikoi disa sufist (asket), të cilët refuzojnë aktivitetet ekonomike me arsyetime të ndryshme, por nuk hezitojnë të pranojnë ushqim nga të tjerët, të cilët është dashur ta fitojnë atë me ndërmarrje apo aktivitete ekonomike. Sipas tij, secili duhet të fitoj së paku atë që i mjafton për shpenzimet e veta në modesti dhe të shpenzoj edhe për të tjerët, posaçërisht për ata të cilët e kemi obligim financim e tyre.
Libri i tij Kitabul Asl, diskuton transaksione të ndryshme financiare me të cilat edhe sot e kësaj dite bankat islame punojnë mbi këto baza. Këto transaksione janë diskutuar edhe në atë kohë, sepse sfera ekonomike është shoqëruese e historisë njerëzore. Libri diskuton për shitjen në kontratën Selem (parapagim), Sharikah apo Musharakah (partneritet në shoqëri aksionare), Mudarebeh (partneritet me ndarje të humbjes dhe fitimit).

Ebu Ubejd el-Kasimi (774-837CE)

Ka dhënë kontribut në lëmi të ndryshme, siç janë shkenca e hadithit, shkenca e tefsirit, por edhe në shkencën e ekonomisë. Libri i tij më i njohur në shkencën ekonomisë është Kitabul emval. Libri, Kitabul emval është një libër shumë i kompletuar në financat publike apo politiken fiskale sipas Islamit. Ky libër është studiuar dhe ende studiohet nga dijetarë të ndryshëm për të kuptuar më mirë organizimin e politikës fiskale që nga koha e Pejgamberit a.s. e deri në kohën të cilën Ebu Ubejdi jetoi. Ky libër vë në pah shumë gjera të rëndësishme rreth jetës dhe historisë ekonomike si pjesë përbërëse e historisë së myslimanëve duke treguar edhe për etapat e ndryshimit të politikes ekonomike në faza të ndryshme.
Ky libër fillon diskutimin me një kapitull të vogël rreth ‘të drejtave të udhëheqësit mbi popullin dhe të drejtave të popullit mbi udhëheqësin’, duke vazhduar me llojet e pasurisë të cilat një udhëheqës mund dhe obligohet të menaxhoj sipas rregullave të Kuranit dhe Sunetit.
Pjesa tjetër e librit diskuton rreth mbledhjes së shpërndarjes së llojeve të ndryshme të të ardhurave në buxhetin e përgjithshëm të shtetit, Zekat, Fej, Infak dhe të ardhurave të tjera, të cilat nuk i takojnë kategorive të para, p.sh. pasuritë e humbura dhe të gjetura, pasuritë e lëna pa asnjë trashëgimtarë, etj. Libri gjithashtu diskuton burimet primare dhe sekondare të buxhetit të shtetit dhe menaxhimin e tyre nga udhëheqësit e shtetit. Ndarjen e buxhetit të shtetit në pjesën për mbulimin e shpenzimeve të administratës shtetërore për të vënë rregull dhe kujdes për mirëqenie shoqërore dhe investimeve për zhvillim të përgjithshëm.(5)
Libri përveç të tjerash, është shumë i pasur me historinë ekonomike të dy shekujve të parë të Islamit si dhe produktet tregtare të asaj kohe. Aty flitet edhe për vende të ndryshme si dhe burimet ekonomike të tyre.

El-Gazali (1058-1111)

Ebu Hamid Muhamed ibn Muhamed el-Gazali, është i lindur në Tus, në provincën e Horasanit të Persisë – Iranit të sotshëm.
Ai ishte një dijetar i cili i ka takuar shkollës juridike shafiite. Kontributi i tij është përqendruar në lëmi të ndryshme, edhe pse Gazali kontributin më të madhe e ka dhënë në fusha të tjera, jo të drejtpërdrejta me ekonomi, ai i ka kushtuar rëndësi të veçantë shkencës dhe problemeve ekonomike. Gazali e ka klasifikuar ekonominë si një shkencë të lidhur me fenë së bashku me metafizikën, etikën dhe psikologjinë.
Vëmendje kryesore i ka kushtuar sjelljes së individit, të cilën ai e diskuton në detaje nën dritën e Kuranit, Sunetit, transmetimeve të cilat i referohen shokëve të Pejgamberit a.s. dhe atyre të cilët e pasuan gjeneratën e Pejgamberit a.s. dhe gjithashtu thënieve të dijetarëve të deriatëhershëm të cilët ishin të shquar për devotshmëri.
Gazali i ka dhënë rëndësi të madhe qëllimit të mirë dhe synimit të aktiviteteve. Prandaj sipas tij, një tregtar duhet të synoj që puna apo tregtia e tij të shërbej për ta kryer një prej detyrave apo obligimeve shoqërore (furud el-kifajah).
Një person duhet të fitoj së paku aq sa i duhet atij për ushqim, veshje dhe banim, duke mos u bërë barrë e askujt në mënyrë të padrejtë. Lista e gjërave bazike përfshinë banimin dhe pajisjet të cilat janë të nevojshme për banim, martesa dhe rritja e familjes dhe disa pasuri. Sipas tij, kur populli kanë ndonjë krizë dhe nuk gjejnë ndonjë punë për të fituar dhe plotësuar gjërat e nevojshme për jetë, është detyrë e udhëheqësve për t’iu ndihmuar atyre me ushqim dhe para të gatshme nga thesari i shtetit.
Analizat analitike të Gazalit rreth disa problemeve ekonomike e kanë pasuruar literaturën e ekonomisë islame me tematika të veçanta siç është, ndarja e punës dhe jetës shoqërore, evolucioni i parasë dhe si janë organizuar shoqëritë civile për shkak të nevojës. Ai gjithashtu e ka shpjeguar ndalimin e kamatës (riba el-fadl) duke argumentuar se ajo vjen në kundërshtim me natyrën dhe funksionimin e parasë dhe e ka kundërshtuar largimin e parasë nga tregu, ngase paraja është e dizajnuar për t’i ndihmuar tregtisë si mes i ndërrimit të mallrave të ndryshme dhe largimi i saj nga tregu e pengon këtë proces.
Gazali ka diskutuar edhe për monetarizimin e ekonomisë dhe nevojën e largimit nga ekonomia bartare (ekonomi e ndërrimit të mallrave), duke e shpjeguar në mënyrë shumë të thjeshtë me një arsyetim ekonomik. Dhe me të drejtë ai edhe konsiderohet njëri nga ekonomistët e parë që ka diskutuar këtë problematikë dhe më vonë mendimet e tij janë pasuar nga ekonomistë të tjerë. Njëri prej ekonomistëve të mëdhenj i cili konsiderohet si baba i ekonomisë moderne ka huazuar mendimet e Gazalit për të shpjeguar nevojën e monetarizimit të ekonomisë, gjashtë shekuj më vonë se Gazali.
Gazali ka diskutuar edhe për organizimin e këmbimeve, tregjeve dhe tregtisë si dhe funksionin e parasë si mes i ndërrimit të mallit. Ai gjithashtu ka shpjeguar edhe nevojën dhe organizmin e tregtisë së brendshme dhe ndërkombëtare.6

Ibën Tejmije (1263-1328 )

Takiuddin Ebu el-Abbas Ahmed ibën el-Halim ibën Ab-dusalam ibën Tejmije el-Hanbel, lindi në vitin 1263 në Haran, vend që tani gjendet në Turqi afër kufirit me Irakun dhe vdiq në Damask në vitin 1328.
Ibën Tejmije është i njohur si një dijetar me karakter të fortë dhe autoritet në shkencë, hafëz i Kuranit dhe me autoritet në literaturën e hadithit. Në moshën 20 vjeçare ai u bë profesor i shkollës juridike hanbelite dhe komentimit të Kuranit dhe për një kohë të shkurt ai u bë i njohur si dijetar me autoritet në fusha të ndryshme. Edhe pse ishte një anëtar i shkollës së themeluar nga Ibën Hanbeli, ai kishte synuar kthimin e Islamit te burimet e tij, Kurani dhe Suneti.

Kontributi në ekonomi

Fokusimi i Ibën Tejmijes ishte shoqëria, bazat morale të saj dhe mënyra se si duhet të sillet që të mbetet në akordance me Sheriatin. Në arritjen e këtij rregulli, dijetarët duhet të udhëzojnë shoqërinë, por gjithashtu edhe udhëheqësit shtetërorë duhet të ndiejnë këtë për obligim. Ai i diskutoi rregullat islame për aktivitetet ekonomike të njerëzve, dhe i kushtoi më shumë vëmendje çështjeve shoqërore siç janë: kontratat dhe fuqizimi i tyre, çmimet dhe cilat janë kushtet që ato çmime të konsiderohen të drejta dhe të arsyeshme, mbikëqyrja e tregut, financat publike dhe roli i shtetit për plotësimin e gjërave të nevojshme.
Ibën Tejmije bëri thirrje për forcimin e moralit të shoqërisë dhe jo për forcimin e ideve individuale rreth devotshmërisë, të cilat krejtësisht e detyrojnë personin të tërhiqet nga shoqëria e cila pak ofroi hapësirë për sukses për të devotshmin. Ai ishte i mendimit se duhet definuar limitet e lejueshmërisë në aktivitetet ekonomike dhe në ushtrimin individual të së drejtës së pronësisë, duke shpresuar se nëse agjentët ekonomik i përfillin rregullat siç duhet morali i shoqërisë mund të mbijetojë.
Mendimet dhe përgjigjet e tij së bashku me shkrimet e tij të cilat janë burimet kryesore dhe kontributi i tij më i madhi në fushën e mendimit ekonomik konsiderohen punimet e tij, El-Hisbah (Institucioni i kontrollit) dhe El-Sijasah el-Sheri- yeh fi Islah el-Rai ve Raiyah (Politikat ligjore për reformim të udhëheqësit dhe të udhëhequrit). Libri i tij El-Hisba¸ nuk është kontributi i tij më i madh, por është njëri prej kontributeve të tij, i cili i përket fushës së studimit rreth shoqërisë dhe vendosjen e rregullit dhe drejtësisë në sferën ekonomike.
Ka shumë punime të shkruara rreth El-Hisba si institucion. Ibën Tejmije nuk është i pari i cili ka shkruar në këtë fushë, shkrimet rreth institucionit El-Hisba ndahen në dy grupe apo kategori, ato të cilat flasin për aspektin teorik, arsyeshmërinë, funksionalitetin dhe kufizimet e këtij institucioni të rëndësishëm dhe grupi i dytë sjell udhëzimet dhe kushtet që duhet të plotësoj personi i cili punon në këtë drejtim si el-muhtesib si dhe çfarë pozite duhet të ketë el-Muhtesib në shoqëri.
Funksionimi i El-Hisba është pjesë përbërëse e skemës socio-ekonomike të shoqërisë islame, edhe vetë Muhamedi a.s. ka dalë në treg për të kontrolluar dhe vërtetuar se sjelljet e individëve dhe shoqërisë ne qytetin e Medinës janë në pajtueshmëri me rregullat islame. Prandaj, edhe konsiderohet se themeluesi i këtij institucioni është vetë i Dërguari i Allahut, edhe pse në kohën e tij nuk është themeluar si një institucion i tillë duke u bërë pjesë e qeverisë siç ishte bërë më vonë.(7) Funksionimi i Hisba mirëmban rregullin dhe ligjin publik dhe mbikëqyr sjelljet e shitësve dhe blerësve për të siguruar drejtësi. Në fillim, Hisba ka funksionuar në mënyra të ndryshme, por gradualisht ka marrë formën e një institucioni shumë te rëndësishëm, i cili ka pasur hierarkinë e një zyrtari shtetëror, që ka qenë përgjegjës për moralin publik dhe etiken ekonomike. Muhtesibi (personi i cili ka qenë përgjegjës për funksionalitetin e Hisba) ka pasur forcë dhe autoritet në shoqëri.(8)

Ibën Halduni (1332-1406)

Ibën Haldunit Abd el-Rahman ibën Halduni lindi në Tunizi më 1 maj 1332. Ai ka marrë një edukim të shëndoshë në shkencat islame, logjikë, filozofi dhe poezi, të cilat ishin për të kontribuar në formimin e një personaliteti me aftësi të madhe siç ishte ai. Prandaj, nuk është befasi për të lexuar për rolin e tij kryesor në politikën e Afrikës së Veriut dhe Spanjës, ku ai ishte i ekspozuar ndaj mundësive shumë të veçanta. Libri i tij Kitab el-Ibar (libri i këshillave) është me vlerë të pakrahasueshme, si një burim apo referencë kryesore për analizën e historisë së kohës së tij. Një punim tjetër i quajtur “Historia e Berberëve”, qëndron si një udhëzues shume me vlerë për fushën e llogaritjes në fiset arabe dhe berbere në Marok dhe historinë mesjetare të tij. Në të vërtetë, libri i tij “Mukaddimeh” edhe sot mbetet një burim referimi, me vlerë të patejkalueshëm dhe të pakrahasueshme me asnjë punë tjetër të dijetarëve myslimanë dhe atyre jomyslimanë në historinë e atij regjioni. Ibën Halduni vdiq në Kajro me 19 mars 1406, në muajin Ramazan, në të njëjtin muaj të shenjtë në të cilën edhe është lindur.

Analizat e Ibën Haldunit rreth çështjeve ekonomike

Ibën Halduni është dijetari më i njohur nga radhët e dijetarëve mysliman deri në kohën e tij për kontributin e dhënë në fusha të ndryshme, por edhe në fushën e ekonomisë. Sipas disa shkrimeve dhe konferencave të mbajtura në lidhje me Ibën Haldunin, ai konsiderohet baba i ekonomisë moderne. Ibën Halduni ka dhënë një kontribut shumë të madh në teorinë e ekonomisë politike duke diskutuar teori të ndryshme në librin shumë të famshëm të quajtur “Mukaddimeh” (parathënie) në diskutimin rreth historisë së botës.
Ai shënoi në librin e tij se rritja dhe zhvillimi stimulojnë pozitivisht furnizimin dhe kërkesën, dhe se forca e kërkesës dhe furnizimit janë ato që përcaktojnë çmimin e produkteve. Ai gjithashtu shprehet se forca makroekonomike e rritjes së popullsisë, zhvillimit të kapitalit njerëzorë dhe zhvillimit teknologjik kontribuojnë në zhvillim të përgjithshëm. Sipas tij, shtimi i popullsisë është drejtpërdrejt funksionim i pasurisë.

Puna dhe vlera

Zoti i krijoi për njeriun gjithçka që është në botë. Dhe njerëzit posedojnë në partneritet çdo gjë në botë. Pasi që, një individ posedon gjithçka, asnjë person tjetër nuk mund të përshtatet me të, përveç nëse ai jep në këmbim një vlerë të barabartë. Për këtë arsye, përderisa njeriu ka siguruar forcë të mjaftueshme, ai përpiqet të fitoj të ardhura në mënyrë që të shkëmbej ato me gjërat të cilat janë të nevojshme për jetë. Dhe ky fitim mund të vijë edhe pa përpjekje, sikur shiu që përmirëson të mbjellat e kështu me radhë, mirëpo edhe atëherë natyra aktron si një ndihmë e cila nuk mund të veprojë, vetëm nëse njeriu bashkëvepron me të. Prandaj, fitimi mund të vijë vetëm nga përpjekjet dhe puna. Kjo shihet qartë në vepra artizanale, ku puna është e dukshme, është gjithashtu e vërtetë për të ardhurat që rrjedhin nga mineralet, bujqësia, blegtoria etj., pa punë nuk do të kishte as prodhim e as fitim. Të ardhurat që një njeri merr nga puna në artizanat është vlera e punës së tij, në zanate të caktuara, por edhe kosto e lëndëve të para duhet të merret parasysh, për shembull, dru për zdrukthëtari dhe fill apo fije për thurje (endje), megjithatë vlera e punës është më e madhe sepse puna luan rolin kryesore në artizanat. Në profesione të tjera përveç veprave artizanale, gjithashtu, vlera e punës futet në koston e prodhimit, pa punë nuk do të kishte prodhim.
Në shumë profesione të tilla, roli i luajtur nga puna është i dukshëm, dhe një pjesë e madhe apo e vogël e vlerës është e rezervuar për të. Në raste të tjera, siç janë, çmimi i produkteve ushqimore, pjesët e punës nuk mund të jenë të dukshme. Por meqë kostoja e punës ndikon në çmimin e grurit, kjo nuk është e dukshme, përveç një numri të vogël të kultivuesve, në vendet ku kostot bujqësore janë të ulëta. Prandaj, është e qartë se të gjitha, ose shumica e të ardhurave dhe fitimeve përfaqësojnë vlerën e punës së njeriut.

Kërkesa

Artizanati përmirësohet dhe rritet kur kërkesa për produktet e tyre rritet. Arsyeja për këtë është se njeriu nuk do të japë mundin e tij falas, sepse ai është burim i tij i jetesës dhe fitimi e burimi i tij i vetëm i fitimit gjatë gjithë jetës së tij. Për pasojë ai do të drejtojë atë në drejtim të atyre gjërave që kanë vlerë në qytetin e tij, në mënyrë që të bëjnë një fitim prej tyre. Dhe kur një zeje është objekt i kërkesës, duke tërhequr shumë shpenzime (d.m.th nga ana e konsumatorëve), ai bëhet si një mall, i cili, duke qenë i kërkuar, erdhi në shitje në kuantitet më të madh. Rrjedhimisht, njerëzit e atij vendi do të përpiqen për të mësuar (aftësitë e nevojshme për të) në mënyrë që të kenë të ardhura të mjaftueshme.
Mirëpo, nëse zeja nuk ka kërkesë, shitja e atij prodhimi do të bjerë dhe nuk do të ketë përpjekje për të mësuar atë. Kjo pastaj do të lihet pas dore dhe e harruar.
Ky është kuptimi i thënies së Aliut r.a.: “Vlera e çdo njeriu qëndron në aftësitë e tij”. Kjo do të thotë se zeja apo zanati që e zotëron njeriu është masa e vlerës së tij, ose me saktësisht vlera e punës së tij e cila është burim i jetesës së tij.
Është një tjetër faktor që përcakton gjendjen e artizaneteve, ai është shkalla apo niveli i cili është kërkuar nga shteti. Ajo është për mallrat e kërkuara nga shteti të cilat gëzojnë shitje më të lartë. Mallrat e tjera, jo të kërkuar nga shteti, por vetëm nga individë privatë, nuk mund të krahasohen ndërmjet veti, sepse shteti është treg më i madh.

Furnizimi

Kostoja e prodhimit bujqësor gjithashtu ndikon në vlerën e produkteve ushqimore dhe përcakton çmimin e tyre. Sepse, kur bujqit u detyruan të shpërnguleshin në krahinat kodrinore, dhe toka ishte e papërshtatshme për bujqësi, këta të fundit ishin të detyruar për përmirësimin e kushteve të këtyre fushave dhe plantacioneve. Ata e bënë duke ushtruar punë të vlefshme, të plehut organik dhe materiale të tjera të kushtueshme. E gjithë kjo ka ngritur koston e prodhimit bujqësor, shpenzimet të cilat ata i morën në konsideratë kur i rregullonin çmimet e tyre për shitje dhe prodhimet dolën në shitje me një çmim më të lart. Ibën Halduni e ka marrë si rast studimi atë që kishte ndodhur në Spanje në kohën e tij, kur myslimanët ishin detyruar të shpërnguleshin në vende të largëta dhe të papërshtatshme për bujqësi dhe si konsekuencë çmimet e prodhimeve bujqësore u ngritën si rezultat i rritjes së kostos së prodhimit.

Çmimi

Detyrimet doganore e rritin çmimin e mallrave. Të gjithë ndërmjetësuesit dhe tregtarët shtojnë në çmimin e mallrave të tyre të gjitha ato që i kanë shpenzuar në to, duke përfshirë edhe shpenzimet e tyre. Si rrjedhojë, detyrimet doganore janë të përfshira edhe në vlerën dhe çmimin e mallrave të shitura.
Në qoftë se rrethi është i begatë, me popullsi të dendur, dhe plot luks, do të jetë kërkesa e madhe për mallra të tilla (p.sh. përveç atyre të domosdoshmeve), secili duke u përpjekur për të rritur konsumin e mallrave të tilla në përputhje me gjendjen e tij.
Furnizimi, ka zvogëlim të kërkesave; blerësit rriten pav rësisht nga kualiteti i vogël që është në dispozicion, ndërsa të pasurit paguajnë çmimet e larta për këto mallra, për shkak të nevojave të tyre relativisht të mëdha. Dhe kjo çon në një rritje të çmimeve.
Mallrat industriale dhe shërbimet janë të mirëseardhura në mjedis për tri arsye. Së pari, për shkak të nevojës së madhe, që rrjedh nga luksi i përhapur në rrethe të tilla dhe të përmasave të mëdha të popullimit në ato vende. Së dyti, për shkak të lehtësisë së fitimit të të ardhurave për jetesë, dhe sasia me bollëk e produkteve ushqimore në qytete, e bëri që mjeshtrit mos të jenë të gatshëm të pranojnë kushte të dobëta të punësimit dhe të shërbimit. Së treti, për shkak të pranisë së një numri të madh të njerëzve të pasur, të cilët kishin nevojë të madhe për punësimin e nëpunësve dhe zejtarëve, të cilët kishin konkurrencë për klasën punëtore dhe i paguanin ata më shume se sa duhet. Kjo përforcoi pozitën e mjeshtrit, punëtorëve dhe profesionistëve, dhe çoi në një rritje të vlerave dhe të shërbimeve të tyre.

Ndërvarësia e çmimeve

Nëse çmimi i çdo malli mbetet i ulët, qoftë ushqim, artikull veshje ose ndonjë prej mallrave të tjera në përgjithësi, dhe nuk ka rritje, kompensim në shitje (ose ndërkohë që tregu nuk tregon shenja të përmirësimit), atëherë humbjet janë shkaktuar dhe tregu për këto mallra është në recesion. Tregtarët pra nuk do të kërkojnë të punojnë në këtë linjë dhe kapitali i tyre zvogëlohet.
E konsiderojnë këtë, së pari, në rastin e prodhimit bujqësor. Një kualitet i dobët i vazhdueshëm në mallra të tilla, do të çojë në përkeqësimin e gjendjes së të gjithë atyre që janë të angazhuar në operacionet e bujqësisë, fitimet e tyre do të shkurtohen ose të zhduken, dhe kapitali i tyre do të ndërpres rritjen, ose do të rritet shumë ngadalë. Në të vërtetë, ata duhet të shpenzojnë nga kapitali i tyre, të cilat së shpejti do t’i çojnë ata drejt varfërisë. Dhe kjo do të pasohet nga përkeqësimi i gjendjes së tyre të angazhuar në operacione të lidhura me bujqësinë, p.sh. mulliri, pjekja dhe industritë e tjera për t’i transformuar prodhimet bujqësore në ushqime. Në mënyrë të ngjashme, pozita e zyrtarëve shtetërore do të përkeqësohet, në rastet kur të ardhurat e tyre varen nga taksat mbi popullsinë bujqësore. Taksat e paguara nga bujqit do të bien dhe kjo do të bëhet e vështirë për të mbështetur njerëzit që përbëjnë një pagesë në nivelin e qarkut dhe pozita e tyre do të përkeqësohet për këtë arsye.
E njëjta gjë do të ndodhë, nëse duhet të këtë çmime të ulëta në artikujt si sheqeri, mjalti ose veshje, duke çuar në një ngecje biznesin me këto mallra. Një çmim tepër i ulët është i dëmshëm për ata që kanë të bëjnë me mallra, çmimi i të cilave ka rënë. Një rritje e tepruar e çmimeve është gjithashtu i dëmshëm për shkak të mos shitjes së mjaftueshme për shkak të çmimit të lart. Prosperitet është siguria sa më e mirë, çmime të moderuara dhe qarkullim të shpejtë.

Pasuria është një produkt shoqëror

Përqendrimi i pronës së patundshme dhe pasurisë në duart e individëve (qytetare apo fshatare) nuk vjen papritur, as në një brez, sepse nuk ka njeri, as edhe më të pasurit, që kanë një pasuri të mjaftueshme për të mundësuar atij që të fitoj një pasuri jashtëzakonisht të madhe. Pasuri të tilla janë ndërtuar gradualisht, ose me trashëgimi, duke rezultuar në përqendrimin e pronës së paraardhësit dhe të afërmit në një trashëgimtar, apo për shkak të luhatjeve në treg. Por kur vjen fundi i një dinastie, dhe shteti i ri ndërtohet, pasuritë e patundshme e humbin atraktivitetin e tyre, për shkak të mbrojtjes së dobët të ofruar nga shteti dhe kushtet e përgjithshme të kaosit dhe shkatërrimit. Shërbimet e tij janë zvogëluar dhe çmimi i tij bie, kështu ai është i fituar për një shumë të vogël dhe kalon në trashëgimi të personave të tjerë. Tani kur shteti i ri është themeluar, rendi dhe mirëqenia janë kthyer dhe vendi ka filluar rigjallërimin e tij, tani pasuria e patundshme bëhet prapë atraktive, për shkak të leverdive të mëdha, si dhe çmimi i saj ngritët një herë, e ky është kuptimi i termave: “luhatje të tregut të pasurive të patundshme.” Pronari i pronave të tilla bëhet njeriu më i pasur në mesin e njerëzve më të pasur të gjeneratës së tij, dhe kjo nuk është për shkak të përpjekjeve dhe fitimeve te tij. Cilësia e individit është e paaftë për sigurimin e kësaj pasurie aq të madhe.

Paraja është masë dhe vlerë e ruajtjes

Zoti i Madhërishëm i ka krijuar dy metale të çmuara, arin dhe argjendin, për të shërbyer si masë për vlerën e të gjitha mallrave të tjera. Ata janë gjithashtu të përdorur në përgjithësi nga njerëzit për kursime ose thesare. Mallrat e tjera, edhe pse janë të ruajtura, nganjëherë kjo është vetëm me qëllim të marrjes se arit dhe argjendit. Për mallra të tjera janë subjekt i luhatjeve të tregut, nga të cilat ata (ari dhe argjendi) janë imun.

Përfundimi

Si përfundim, mund të themi se të gjithë dijetarët e hershëm dhe të mirënjohur kanë dhënë një kontribut në ekonomi duke diskutuar për koncepte dhe probleme ekonomike si pjesë e rëndësishme e shoqërisë njerëzore, përveç shkencave të tjera për të cilat janë të njohur në mbarë botën. Konceptet ekonomike të diskutuara nga dijetarët e hershëm myslimanë janë edhe konceptet kryesore ekonomike në nivel mikro dhe makro, si për shembull: prodhimi, kërkesa, furnizimi, monopoli, koncepti i pasurisë, politikat fiskale, buxheti i shtetit dhe ndarja e tij, etj.. Dijetarët e përzgjedhur për t’u diskutuar në këtë artikull i takojnë kohërave të ndryshme, duke filluar nga shekulli i tetë e tutje. Është e pamundur që të përfshihen të gjithë dijetarët që kanë dhënë kontribut në këtë lëmi apo shumica e tyre, por, ky punim do të jetë një fillim i cili duhet të plotësohet me hulumtime të tjera të kësaj natyre.

_______________________________________
1. Ligji i Hamurabit (code of Hammurabi), i shkruar në shekullin XVIII para erës së re. Ky ligj është shkruar në guri nga mbreti babilonas, Hamurabi dhe ka 282 ligje, disa prej këtyre ligjeve rregullojnë edhe aktivitete ekonomike.
2. Themelimi i bejtul-mal, i cili në konceptin ekonomik të kohës moderne ka luajtur rolin e bankës qendrore të një vendi, ku përveç se janë trajtuar politikat ekonomike, u ka mundësuar popullit që të kenë edhe kursime, por edhe huazime.
3. Muhammad Sharif Chaudry, Fundamentals of Islamic Economic System, (Lahore: Burhan Education and Welfare Trust, 1999), faqe. 195.
4. Muhammad Hamidullah, “Budgeting and Taxation in the Time of the Prophet Muhammad (P.U.B.H.)”, The Islamic Review 1956. Faqe. 20.
5. Ugi Suharto, Kitab al-Amwal: Abu Ubayd’s Concept of Public Finance (Kuala Lumpur: International Institute of Islamic Thought and Civilization – ISTAC, 2005) f. 93. 210
6. Sabri Orman, ‘Abu Hamid al-Ghazali on the Formation and Development of Economic, Social and Political Life’, Al-Shajarah, Vol. 10 No. 1. 2005. F.
15
7. Syed Muhammad Naquib Al-Attas & Wan Mohammad Nor Wan Daud, The ICLIF Leadership Competency Model: An Islamic Perspective (Kuala Lumpur: The International Centre for Leadership in Finance, 2007) faqe 116- 117.
8. Ibn Taymiya, Public Duties in Islam: The Institution of Hisba. Përkthyer në gj. Angleze nga, Muhtar Holland, (The Islamic Foundation: Leicester, 1985), faqe 19-47.

Nga: Dr. Islam Hasani /bislame