Ballina Jeta Shëndetësi Koncentrati i mirëqënies për një formë të mirë trupore. Zbuloni vetitë e...

Koncentrati i mirëqënies për një formë të mirë trupore. Zbuloni vetitë e ananasit

Ka një ngjyrë të verdhë shumë të këndshme për t’u parë, një shije të ëmbël dhe shumë të këndshme, është freskues dhe ndihmon në hidratim.

Bëhet fjalë për ananasin, i cili ka të gjitha cilësitë për të qenë një mik në ditët e nxehta të verës.

Nëse kësaj i shtojmë faktin që favorizon sensin e ngopjes me pak kalori dhe që kontribuon në eleminimin e lëngjeve të tepërta, duke luftuar kështu fryrjet dhe celulitin, nuk na mbetet gjë tjetër veçse ta shtojmë në dietën tonë të përditshme.

Ananasi kultivohet kryesisht në vendet e Amerikës jugore dhe i përket familjes Bromeliaceae, me origjinë nga Amerika jugore, Tailanda dhe Filipinet.

Sot është e thjeshtë t’i jesh ananasët në dyqane, markete dhe në çdo stinë.

Për t’i shijuar beneficet e këtij fruti, duhet të konsumohet i freskët, pasi trajtimet dhe përpunimet të cilave i nënshtrohet fruti kur futet nëpër kuti, mund të shkatërrojnë cilësitë ushqyese dhe kurative që përmban.

Mbi të gjitha, frutit të konservuar i shtohet edhe sheqer, duke shtuar në mënyrë të ndjeshme kaloritë.

VLERAT USHQIMORE – Ananasi ka shumë cilësi ushqyesi. Ai është i njohur veçanërisht për efektet pozitive që ka për tretjen, me efekte të mrekullueshme kundër celulitit.

Edhe pse është i ëmbël, fruti përmban pak kalori (vetëm 42 për 100 gramë), ndaj është shumë i përshtatshëm edhe për dietat me pak kalori.

Është shumë i pasur me ujë dhe ka karbohidratet në formën e sheqerit, sidomos glukozë, sakarozë dhe fruktozë.

Ananasi është i varfër me fibra, ndërkohë që është një burim i vërtetë i vitaminës C dhe potasiumit e magnezit.

Ai është i pasur me bromelina, një bashkim enzimash që kryejnë një funksion të rëndësishëm tretjeje dhe stimulojnë metabolizmin.

Kjo substancë gjendet tek fruti dhe gjendet edhe në dyqanet që tregtojnë produkte bukurie natyrale edhe në formë të shtesës ushqimore dhe është e nevojshme për të ndihmuar tretjen e ushqimeve proteinike, si anti inflamator dhe antibakterial, përveçse për të luftuar grumbullimin e lëngjeve të tepërta.

PËR BUKURINË – Ananasi ka cilësi të mira kundër rrudhave dhe shpesh përdoret në kozmetikë, duke shfrytëzuar cilësitë hidratuese dhe zbutëse në përgatitjet për produktet që zbusin lëkurën dhe pastrojnë.

Cilësia më e njohur e ananasit është fakti që është antiinflamator dhe falë bromelinës, eviton grumbullimin e lëngjeve të tepërta, duke qenë kështu një anti celulit shumë i mirë dhe gjendet më së shumti në kërcellin e ananasit.

Tuli i frutit dhe lëngu i tij, mund të përdoren për të krijuar një maskë të përgatitur vetë, e cila mund të aplikohet në lëkurë, të lihet 10 minuta dhe të shplahet.

E MIRA E ANANASIT – Fruti është shumë i përdorshëm për preparate të ndryshme.

Mënyra më e mirë për ta shijuar është të konsumohet si frut më vete ose me një sallatë frutash.

Mund të shtohet edhe në sallatë, bashkë me disa fruta të thata, për t’i dhënë sallatës pak shije të ëmbël dhe të freskët.

Ai gjithashtu mund të përdoret në mish ose peshk, i shtrydhur apo me kos. Gjithashtu mund të përdoret për të aromatizuar ujin, duke i shtuar ujit ananas dhe ndonjë gjethe menteje. Lihet në frigorifer për ndonjë orë dhe konsumohet.

DISA KËSHILLA – Edhe pse fruti është i pasur me cilësi të dobishme, ka vend për këshilla. Personat që vuajnë nga çregullimet e veshkave duhet ta konsumojnë ananasin me kujdes dhe nën kontrollin e mjekut. E njëjta gjë vlen edhe për ata që vuajnë nga mpiksja e gjakut, pasi bromelina shton rrjedhjen e gjakut, ndaj efekti i tij mund t’i ngjajë efektit të ilaçeve dhe bën që të ekspozohesh ndaj hemoragjive.

Duhet patur kujdes edhe nëse personi që konsumon ananas po merr njëkohësisht edhe antibiotikë, pasi bromelina fuqizon përthithjen e amoxicilinës.

Exit mobile version