“Komuniteti turk, themeli i palëkundur i urës mes Kosovës dhe Turqisë”

Ministri i Zhvillimit Rajonal të Kosovës, Enis Kervan, tha se komunisteti turk në Kosovë është themeli i palëkundur i urës mes Kosovës dhe Turqisë.

Kervan, i cili gjithashtu është kandidat për deputet i Partisë Demokratik Turke të Kosovës (KDTP) në zgjedhjet e parakohshme parlamentare që do të zhvillohen më 14 shkurt në Kosovë, vlerësoi për Anadolu Agency (AA) punimet në kuadër të zgjedhjeve, si dhe lidhjet mes Turqisë dhe Kosovës.

Ai tha se në Kosovë po përjetojnë një proces zgjedhor ndryshe, duke shtuar se si përfaqësues të KDTP-së janë duke punuar në çdo fushë për t’i kontribuuar shoqërisë turke.

Kervan theksoi se janë duke bërë gjithçka për të mbajtur gjallë gjuhën, fenë, arsimimin dhe kulturën.

“Patëm gjithashtu kontribut për zhvillimin ekonomik të Kosovës në përgjithësi dhe komunitetit turk të Kosovës nëpërmjet ministrisë që drejtuam. Pavarësisht periudhës së pandemisë, në kuadër të mbështetjeve dhe projekteve që ministria jonë ka zbatuar në sektorin privat, krijuam edhe kushtet e punësimit”, u shpreh ai, duke theksuar se janë pranë popullit me programe për të ardhmen e fëmijëve të tyre.

Kervan potencoi se që nga momenti kur kanë filluar me detyrë, synimi kryesor i tyre ka qenë t’ua hapin rrugën të rinjve.

“Ne veçanërisht u munduam t’ua hapim rrugët të rinjve që janë diplomuar nga universitetet e Turqisë dhe Kosovës. Këtë e arritëm duke bërë bashkëpunim me institucione vendase dhe ndërkombëtare. Si rezultat i marrëveshjes së bërë me Odën Tregtare Kosovaro-Turke, të rinjve tanë të diplomuar nga universitetet do t’u hapen dyert e kompanive të fuqishme turke që veprojnë në Kosovë si praktikantë dhe atyre do t’u ofrohet një mundësi. Edhe do ta zhvillojnë veten, edhe do të jenë më afër mjedisit të punësimit, ndërsa gjithashtu do të parandalojmë migrimin e të rinjve tanë në vendet evropiane”, tha Kervan.

Ai ndër të tjerat tërhoqi vëmendjen në rëndësinë e realizimit të votës në zgjedhje, duke theksuar se votat që do të hidhen për KDTP-në, për arsye se kanë përfaqësuar më së miri marrëdhëniet mes Kosovës dhe Turqisë, do të jetë simboli i unitetit dhe solidaritetit.

“Ne jemi themelet e palëkundur të urës mes Kosovës dhe Turqisë”

Ministri Kervan gjithashtu theksoi rëndësinë e avancimit të marrëdhënieve të mira aktuale mes Kosovës dhe Turqisë, pas zgjedhjeve.

“Sigurisht që ne jemi themelet e palëkundur të urës mes Kosovës dhe Turqisë. Kjo do të vazhdojë kështu. Këdo ta pyesni në Kosovë, kur përmenden turqit e Kosovës, KDTP-ja, ndërmend vjen Turqia. Vijnë marrëdhëniet e mira ekzistuese historike, lidhje kulturore, marrëdhëniet politike, arsimore, të shëndetësisë. Prandaj, detyra jonë nuk është vetëm të përfaqësojmë turqit në Kosovë, në një mënyrë ne gjithashtu jemi ambasadorë shpirtëror të Turqisë këtu”, tha Kervan.

Duke folur në lidhje me ndihmat që Turqia ka bërë në Kosovë gjatë periudhës së pandemisë së koronavirusit të ri (COVID-19), ai tha se Turqia nuk i ka lënë kosovarët të vetëm gjatë periudhës me institucionet si Gjysmëhëna e Kuqe, TIKA dhe IHH.

Kervan gjithashtu shprehu pritjet e komunitetit turk në Kosovë për shtetësi të Republikës së Turqisë.

“Kushtetuta e Kosovës lejon shumë shtetësi. Prandaj, inshallah, në të ardhmen, jo në aspektin e migrimit në Turqi, por për t’u integruar me mëmëdheun, ky problem eliminohet dhe shtetësia që komuniteti turk në Kosovë është duke pritur pranohet nga shteti amë”, tha ministri Kervan.

Ndër të tjera, ai foli edhe për lidhjet shpirtërore mes popujve të Turqisë dhe Kosovës.

“Vëllezërit tanë me origjinë nga Kosova në Turqi, vëllezërit nga Turqia në Kosovë, me të vërtetë janë shembujt më të mirë të këtij mozaiku dhe ne do të bëjmë gjithçka për ta ngjyrosur edhe më shumë këtë. Me institucionet e Turqisë në Kosovë, me institucionet e Kosovës në Turqi, por më e rëndësishmja, besoj se do të arrijmë këtë me lidhjen shpirtërore mes Turqisë dhe Kosovës”, përfundoi ai.