Komuniteti mysliman shqiptar dhe shtrirja e tij në tokat e liruara

Qerim Lita

“Si kunder kemi kene drejtue qysh me kohë me anën e delegatëve tonë të gjitha teqet e sekteve të Komunitetit Mysliman përsa përfshijnë tokat e shlirueme… jemi të lidhun si mbas artit (nenit – Q. L.) 60 të Statutit të organizatës Drita Hyjnore me Tiranën. Si mbas urdhënit Kur’anor që na ka dhonë rreptësisht të mos përqahemi deklarojmë dhe nji herë Shkelqësi lidhjen t’onë me organizatën Drita Hyjnore të Tiranës dhe si do qoftë situata juridike e organizatës sherinjatit në këtë anë neve të sekteve sikurse kemi qenë qysh prej kohnave të moçme historike Islame kërkojmë mbrojtjen e të drejtave dhe të traditave fetare dhe hyjnore dhe ma tepër sot në kët ditë të lumnushme që parimet tona të shenjta janë tue zbatue….”.

Qerim LITA, Shkup

Ndryshimet politike dhe administrative që ndodhën pas fillimit të Luftës së Dytë Botërore dhe bashkimit të pjesës më të madhe të Kosovës dhe të Trevave Lindore e Veriore (më tej Tokat e Liruara) me Shqipërinë e Vjetër, imponoi nevojën e unifikimit të komuniteteve (bashkësive) fetare në përgjithësi, e të asaj myslimane në veçanti, e cila përfshinte mbi 95 për qind të popullsisë shqiptare në Tokat e Liruara. Kryesia e Komunitetit Mysliman Shqiptar, me 5 maj 1941, i shkruante qeverisë shqiptare se në Tokat e Liruara ishin 370 funksionarë fetarë, imamë, të cilët “nga përmbysja e Jugosllavisë kanë mbetur pa ju dhanë si mbas rregullit dirizhimi i nevojshëm për të kryemit e funksioneve të tyre” dhe se “për me ju dhanë urdhnat e nevojshme nga kjo Kryesi na janë drejtue, e prandaj pysim nëse nji drejtim i tillë duhet pranue?…”.
Për rrjedhojë, me dekret të kryetarit të Komunitetit Mysliman Shqiptar (më tej KMSH), Behxhet Shapatit, në Tokat e Liruara u emëruan disa persona nëpër institucionet e caktuara të këtij komuniteti, për kryerjen e shërbimeve më elementare, siç ishin mirëmbajtja dhe menaxhimi me objekteve fetare, me vakëfet, pagesa e nëpunësve fetarë etj. Nuk vonoi shumë, pas këtyre emërimeve, te masat e gjera myslimane në këtë pjesë shqiptare filloi të flitej se ata po e grabisnin me të madhe pasurinë e tundshme e të patundshme të atij komuniteti. Nisur nga kjo, kryetari i KMSH-së, Behxhet Shapati, me letrën nr. 378/1, të datës 28 gusht 1941, kërkonte nga komisari i Naltë Civil për Kosovë, Dibër e Strugë, Fejzi Alizoti, që krahas plotësimit të organizimit shtetëror në Tokat e Liruara, të bëhej edhe plotësimi i organizimit fetar, veçanërisht në sigurimin e pasurisë vakëfnore për t’i ruajtur nga grabitqarët ose nga lënia e tyre në duart e personave jokompetent e të dyshimtë. Si hap i parë për zgjidhjen e këtij problemi, për KMSH-në, do të ishte dërgimi i një komisioni të caktuar nga ai komunitet në ato vise, i cili do të kishte për detyrë “kryerjen e kontrollit” ndaj pasurisë dhe të ardhurave. Lidhur me këtë, komisari i Naltë Civil për Kosovë, Dibër e Strugë, Fejzi Alizoti, me 8 shtator 1941, e njoftonte Kryesinë e KMSH-së se “Institutet Fetare” të Tokave të Liruara vazhdonin të administroheshin sipas dispozitave ligjore të ish Mbretërisë Jugosllave dhe me personelin e njëjtë, ndërsa nga ana e Komisariatit “kanë vazhduar të paguhen subvencjonet-rrogë të ma parshme. Prandaj për para se të dërgohesh komisioni për të cilën bëni fjalë, jam i mendimit se duhet të dërgohet një person kompetent për të bërë një studim paraprak mbi gjendjen e tyre”.
Në të njëjtën ditë, Fejzi Alizoti me Qarkoren nr. 505, urdhëronte prefekturat e Tokave të Liruara, që rrogat t’u paguheshin vetëm atyre imamëve zyrtarë, të cilët “vërtetonin shërbimin e tyne me dekretet e lëshueme prej ‘Reisul-Ylema Mexhlit’ të qendrave Shkup e Sarajevë”.
Është e rëndësishme të vihet në dukje fakti se në mesin e ulemave të Tokave të Liruara dolën në shprehje dy pikëpamje që binin ndesh njëra me tjetrën. Një pjesë e tyre, si hafiz Sherif Langu, Bedri ef. Hamidi, Mulla Nura i Gjinocit, Bajram Agani, Remzi ef. Abdullahu, Hasan ef. Islami etj., e mbronin tezën e unifikimit, përkatësisht themelimit të një udhëheqje të vetme të Komunitetit Mysliman Shqiptar, veprimtaria e së cilës do të mbështetej mbi dispozitat ligjore e kushtetuese ekzistuese të shtetit shqiptar. Ndryshe nga këta, një pjesë tjetër ishin të mendimit se Komunitetit Mysliman në Tokat e Liruara duhej t’i jepej një “lloj autonomie”, e kjo sipas tyre mund të arrihej vetëm nëse do të riaktivizohej ish Mexhlisi i Ulemasë së Shkupit. Nismëtarë të kësaj ideje ishin disa personalitete politike e fetare me ndikim në Kosovë e më gjerë. Lidhur me këtë, inspektori i lartë për Kosovë, Koço Tasi, e njoftonte qeverinë shqiptare se në Kosovë po “bahet një lëvizje midis Myslimanëve për formimin e një ulema-mexhlisi të veçantë në Kosovë” dhe se nismëtarët e kësaj lëvizjeje ishin “njerëz politik me influencë”, si Z. Ferhat Draga dhe Z. Iliaz Agushi dhe disa hoxhallarë, si Z. Asim efendi Luzha, Hoxha i Istogut e tjerë.
“…Jugosllavia, shkruante K. Tase, kish formue dy ulema-mexhlizi me qendra në Sarajevë për Myslimanët e Bosnjës dhe Hercegovinës, dhe në Shkup për Muslimanët e Jugut d.m.th. të Sanxhakut, Kosovës dhe Maqedonis. Tashti me qenë se Shkupi politikisht mbeti jashtë Kosovës, të paktën sod, iniciatorët e kësaj lëvizje duan të formojnë një ulema-mexhliz të veçantë në Kosovë. Shumë prej krenvet Kosovarë dhe disa prej klerit Musliman disa promovojnë lëvizjen separatiste në fjalë, dhe kërkojnë bashkimin nën një xhemat me qendër Tiranë. Djelmënia intelektuale e kundërshton me gjith shpirt dhe punon për të kundërtën. Populli katundar tregohet indiferent dhe besoj se kishte me pranue barabar si njënën zgjidhje ashtu edhe tjetrën. …”.
Në fakt, një nismë e tillë erdhi në shprehje që në verën e vitit 1941, kur një grup hoxhallarësh, si Xhemil Efendiu, Sali Efendiu etj., i dërguan një letër Fejzi Alizotit, në të cilën ata theksojnë se popullsia shqiptare myslimane “të çliruar nga zgjedha jugosllave”, së bashku me myslimanët e Bosnjë e Hercegovinës, gjatë sundimit të ish Mbretërisë së Jugosllavisë, kishin pasur “një farë autonomie fetare legale me ligjet e veta”, e cila mbështetej në dy pika:
“1) Në arsimin fetarë e në punët e vakëfeve, myslimanët kanë pasur liri të plotë brenda kufijve ligjore të autonomisë fetare;
2) Kjo autonomi ka pasur të ardhurat e veta prej vakëfeve dhe prej subvencioneve që i jepte Qeveria”.
Më tej, në letër, përshkruheshin organet “autonome” të atij komuniteti, që kishin qenë Reis-ul-ulemaja, përkatësisht kryetari i Bashkësisë Fetare Islame me qendër në Sarajevë, dy mexhliset e ulemasë, njëri në Shkup e tjetri në Sarajevë, ndërsa për çështjet vakëfnore dhe financiare ishin kujdesur dy drejtori, njëra në Shkup e tjetra në Sarajevë. Përveç kësaj, në çdo qytet kishin funksionuar zyrat e vakëfeve dhe të gjyqeve të sheriatit, të cilat ishin marrë me çështje të trashëgimisë, martesës, divorcit etj., mbi bazën e ligjeve të tyre (jugosllave). Këto gjyqe janë varur prej dy gjykatave të larta me qendër në Sarajevë dhe Shkup, ndërsa këto bashkërisht kanë qenë të varura nga Ministria e Drejtësisë në Beograd. “…Mbas shkatërrimit të ish Mbretënisë Jugosllave, edhe mbasi Shkupi gjindet në dorë të Bullgarëve ky bashkim u prish vet vetiu; e në marrëveshje me kryetarët e fesë edhe të krahinave të tjera të Kosovës, Dibrës e Strugës, dëshirojmë qi ta riformojmë, përsëri këtë autonomi në mes nesh; prandaj i lutemi Shkelqësis s’Uej të keni mirësinë me na i marë para syshë këto të drejta e të na i siguroni funksionimin e këtyre zyrave edhe në të ardhshmen”.
Rrjedhimisht, më 22 nëntor të vitit 1941, me nismën e një grupi të caktuar të hoxhallarëve, në Prizren u organizua një mbledhje e zgjeruar, e cila nga të pranishmit u emërtua si “Kongresi i Klerit Mysliman të Kosovës”, në të cilën u zgjodh “Këshilli i Naltë i Sheriatit”, i cili do ta zëvendësonte ish udhëheqjen e “Mexhlisit të Ulemasë së Shkupit”. Kongresi, me vota unanime, e zgjodhi Hafiz Ali Krajën nga Shkodra për Kryemyfti të Përgjithshëm, ndërsa haxhi Iljaz Agushin, Hasan Islamin, hafiz Sulejman Shehabin dhe hafiz Abdullah Hëzërin për anëtarë. Përveç kësaj, Kongresi i miratoi edhe konkluzionet prej 5 pikave:
1. Pasi deri tash nuk është krijuar ndonjë dispozitë ligjore e re rreth administrimit fetar islam, kjo duhet të vazhdojë në bazë të ligjeve të mëhershme, përderisa të krijohet gjendja juridike e re.
2. Pasi ligjet e Komunitetit Mysliman të Tiranës përmbajnë një sferë kompetence me një hapësirë të caktuar territoriale, këto ligje, tash për tash, as në bazë të parimeve fetare e as në bazë të parimeve juridike, për sa i takon veprimit fetar të këtushëm, nuk janë të aplikueshme.
3. Parimisht, pasi gjendja paraprake, në këto vende, provizorisht është lënë e paprekur prej Qeverisë Mbretërore me krijimin e Komisariatit të Naltë Civil për Kosovë, Dibër e Strugë, si përfundim, në përputhje me këtë, është pranuar si e paprekshme edhe gjendja e parë e elementit mysliman në juridiksionin e Komisariatit.
4. Në fakt, kjo gjendje është pranuar shprehimisht edhe me shkresën e Komisariatit të Naltë Civil Nr. 487 e datës 8/IX/1941-XIX e me atë të Kryesisë së Komunitetit Mysliman të Tiranës Nr. 378/VI dt. 19/IX/1941-XIX, ku thuhet se: “…institutet fetare aty vazhdojnë të administrohen brenda kufijve të kompetencave të harmonizuara me ligjet e mëhershme dhe me personelin paraprak”.
5. Në rastin e kundërt, kishin me qenë “zero” veprimet e zhvilluara, deri më tash, me dispozitat fetare, si: kurorëzimet, lëshimet, namazi i xhumave dhe i Bajramit etj. etj..
“Prandej, për këto arsye, Kongresi i Klerit Mysliman në fjalë, e pa të nevojshëm krijimin e autoritetit kompetent për dirizhimin e veprimeve fetare, në bazë të ligjeve në fuqi në juridiksionin e Komisariatit, ka përpilue programin e punimit dhe me këtë e me procesin që ban pjesë integrale të këtij programi, ka procedue në formimin e Këshillit të Naltë të Sheriatit me personat e caktuam në procesin e sipërmë”.
Menjëherë pas këtyre dy ngjarjeve (kërkesës për autonomi dhe vendimeve të “Kongresit” të Klerit Mysliman të Kosovës) pasuan reagime të shumta si nga paria, ashtu edhe nga ulematë dhe popullsia shqiptare e Tokave të Liruara, në të cilat kundërshtohej ashpër kërkesa për dhënien e “autonomisë fetare”, përkatësisht krijimit të institucioneve paralele brenda KMSH-së. Ndër reagimet e para duhet veçuar parashtresën e nënshkruar nga Mulla Nura i Gjinocit dhe 24 krerët e tjerë të Suharekës, të cilët me 21 janar të vitit 1942 ia dërgojnë nënprefektit të atij rrethi, përmes së cilës shprehnin mllefin dhe keqardhjen e tyre për lajmin se në qarkullim ishte kërkesa për “autonomi fetare” nga një grup hoxhallarësh, “me të cilën kërkesë ndoshta edhe pa dashas” shkaktohet moszbatimi i përgjithshëm i ligjeve shqiptare. “Ky grup pa përgjegjës ose ma mirë me thanë pa mirnjoftje ndaj sakrificat e popullit Shqiptarë, në këtë kërkesë jo vetëm që shkakton nji turbullim, por edhe nji dam të math për idenë e bashkimit të Kosovës me Shqipnin e Vjetër”. Nga kjo kuptohet se paria e Suharekës i lutet nënprefektit që t’ua përcjellë autoriteteve kompetente dëshirën e tyre që të “ndalohet zbatimi i kësaj kërkese” të hoxhallarëve, të cilët “nuk kanë qëllim tjetër veç se me mbush xhepat e tyne” dhe se një kërkesë e tillë as që mund të merret parasysh nga ana e popullit, për arsye se e njëjta “jo vetëm që ashte një kërkese foshnjore por ma tepër pse damton interesat e përgjithshme, mbasi nesër elementat Sllav tue përfitue nga ky rast mund të përhapin propaganda tue qenë të civilizuam shumë ma tepër se hoxhallarët t’onë që nën këtë maskë mund të punojnë për realizimin e idesë së tyne kombëtare. Këtë gja sllavët kanë baë me kohë, siç tregon jo vetëm historija e tyne por edhe dokumentat të cilat gjinden sot në prefekturën e Prizrenit. Dëshira e popullit, thuhet në fund të parashtresës, ashtë vetëm e vetëm zbatimi i shpejtë i administratës dhe i ligjevet thjeshtë Shqiptare.”.
Ndërkohë, prefekti i Prizrenit, Sami Koka, përmes një shkrese të besueshme, e njoftonte Ministrinë e Punëve të Brendshme për një parashtresë tjetër, të nënshkruar nga 400 qytetarë të Prizrenit, në mesin e të cilëve figuronin edhe emrat e Ibrahim Fehmiut dhe Xhemail Kabashit, dy intelektualëve dhe veprimtarëve të shquar shqiptar të Qarkut të Prizrenit e më gjerë, ku ngjashëm sikurse në parashtresën e mësipërme të krerëve të Suharekës, edhe në të kërkohej që “të mos të merret parasysh kërkesa e disa hoxhallarëve”, me të cilën kërkohej “autonomi fetare për myslimanët e Kosovës”, por të veprohet edhe në këto vise “ashtu siç veprohet në Shqypnin e vjetër pa kurrfarë rezerva”, si dhe “mos të çelet Seminari ortodoks i këtushëm”, përkatësisht shkolla e mesme ortodokse serbe në Prizren, e cila njihej me emrin “Bogosllovija”. Në vazhdim, Koka shkruante se atë prefekturë e kishin vizituar një numër i madh i qytetarëve të Prizrenit dhe të fshatrave përreth, në mesin e tyre edhe hoxhallarë, të cilët kishin dalë me mendime “krejtësisht të kundërta” me ato të hoxhallarëve dhe se ishte krijuar një bindje thuajse e mbarë opinionit të atij qarku se dhënia e një “autonomie fetare” nënkuptonte ndarja nga gjiri i Shqipërisë, “gjë të cilën jo vetëm disa e provojnë, por nuk kanë me e pranue dhe konseguencat nuk dihen se ç’mund të jenë”. Sa i përket lajmit për “çeljen e Seminarit ortodoks”, Koka shprehte bindjen e tij se përkundër asaj se “çështja në dukje si çështje thjesht fetare”, ajo krejtësisht, sidomos në këtë moment, ka karakter politik, prandaj, sipas tij, hapja e atij seminari do të shkaktonte një reaksion aktiv nga të gjithë shqiptarët me pasoja jashtëzakonisht të mëdha. Shkresës së mësipërme, prefekti S. Koka ia bashkëngjet parashtresën e qytetarëve të Prizrenit, të cilën në vazhdim po e paraqesim të plotë:
“Para disa ditëve ka dalë fjala që, nji grup Hoxhallarësh kërkojnë mbajtjen e autonomisë fetare dhe të disa Ligjeve në viset e Lirueme, në tjetrën anë ndigjohet se, do të hapet Seminari (Bogosllovija) Orthodokse në Prizren. Këto dy veprime të fillueme prej njerzve të pa ndërgjegjshëm kanë banji përshtypje fortë të keqe në popullin e këtij qyteti, sa qi na të nënshkruemit nuk kemi mujt me qëndrue në heshtje e të mos ç’faqim keqardhjen t’onë.
1.)- Me aksionin e nji grupi të vogël Hoxhallarësh, shofim se behët në rrezik bashkimi i plotë me Shqipnin e Vjetër, për të cilën bashkim kena luftue e kena dhanë aqë prova të gjalla e me sakrifica të shumta. Këjo shprehje mendimi i këtij grupi as qi afrohet mendimit të popullit, as qi përfaqëson kend, por, me këtë vepër duen të sigurojnë interesat e veta personale, pa marrun parasyesh interesat e përgjithshme. Konseguencat e këtij veprimi kishin me qenë këto: ndamja midis Myslimanëve, të Kosovës dhe t’atyne të Shqipnis së Vjetër si dhe grindja midis Myslimanve, Katolikve e Ortodoksve; me nji fjalë këjo autonomi kishte me qenë nji gardh i fortë qi pengon bashkimin t’onë.
2.)- Hapja e Seminarit (Bogosllovija) në Prizren, do t’i jep nji rast të mirë propagandës nacionaliste Serbe në këto vise se, Bogosllovija në fjalë, në kohnat e ma parshme ka dhanë ma shumë Oficera, Politikanë e Serb-shovinista, se njerëz të besimit qi kanë muejt me i shërbye Kishës Orthodokse. Këto tradita të Seminarit në fjalë, vetëm na banorët e qytetit të Prizrenit e dijmë shumë mirë, pse e kemi provue në lëkurat tona.
Ju lutemi të merrni masat ku duhet që të ndalohen qysh në fillim këto dy aksione, si dhe të njoftoni Autoritetet kompetente që, populli i këtuhit kërkon zbatimin e të gjitha Ligjevet Shqiptare, pa asnji dallim”.
Kundër hapjes së Seminarit Ortodoks ishte edhe kryetari i Misionit Shkollor të Jashtëzakonshëm për Kosovë, Ali Hasharova, i cili i shkruante Komisariatit të Lartë Civil për Kosovë, Dibër e Strugë se ai që nga koha e Perandorisë Osmane, e sidomos gjatë sundimit tridhjetëvjeçar, ka qenë “çerdhe e propagandës serbe në Kosovë”, prandaj, sipas tij, përderisa nuk përfundon lufta as që duhet të bisedohet “rreth çeljes së kësaj çerdhe të përhapjes së sllavizmit në Kosovë. Mbas mbarimit të luftës çështja mund të studjohet më mirë dhe me seminarin, në qoftë se do të hapet, ka për t’u rregulluar në mënyrë që të mos ketë mundësi të zhvillohet në të propagandë në damin t’onë, sikurse ka ndodhur në të kaluarën”.
Ndërkohë, kërkesës së parisë së Suharekës, së cilës i printe Mulla Nura, si dhe të grupit prej 400 qytetarëve të Prizrenit iu bashkëngjitën të gjithë prijësit e teqeve të të gjitha tarikateve, përfshi edhe atë bektashian, si: sheh Hasani i Prizrenit, sheh Mujedini i Rahovecit, sheh Haliti i Hoçës, sheh Ferati i Domnjonit, sheh Rexha i Lukinjës, sheh Haliti i Gjakovës, sheh Rama i Gjakovës, sheh Mustafa i Gjakovës, sheh Tahiri i Pejës, sheh Osmani i Junikut, sheh Islami i Nevakës, sheh Osmani i Gjakovës, sheh Bedredini i Prizrenit, sheh Mehmet Aliu i Prizrenit, sheh Fejzullahu i Lubizhdes, sheh Bajrami i Rahovecit, sheh Mehmeti i Gjakovës, sheh Mahmuti i Pirenit, sheh Ganiu i Prizrenit, sheh Qamili i Prizrenit dhe sheh Emini i Rahovecit, të cilët me telegramin e datës 20 prill 1942, dërguar kryeministrit shqiptar, Mustafa Kruja, ndër të tjera, shprehen:
“Si kunder kemi kene drejtue qysh me kohë me anën e delegatëve tonë të gjitha teqet e sekteve të Komunitetit Mysliman përsa përfshijnë tokat e shlirueme…jemi të lidhun si mbas artit (nenit – Q. L.) 60 të Statutit të organizatës Drita Hyjnore me Tiranën. Si mbas urdhënit Kur’anor që na ka dhonë rreptësisht të mos përqahemi deklarojmë dhe nji herë Shkelqësi lidhjen t’onë me organizatën Drita Hyjnore të Tiranës dhe si do qoftë situata juridike e organizatës sherinjatit në këtë anë neve të sekteve sikurse kemi qenë qysh prej kohnave të moçme historike Islame kërkojmë mbrojtjen e të drejtave dhe të traditave fetare dhe hyjnore dhe ma tepër sot në kët ditë të lumnushme që parimet tona të shenjta janë tue zbatue….”.
Po kështu u veprua edhe në nënprefekturën e Gjilanit, ku ulematë dhe popullsia shqiptare myslimane e atij rrethi i shkruajnë kryeministrit Kruja se krijimi i një Komuniteti unik Musliman Shqiptar “kishte me iu sjellë kontributin ma të vlefshëm bashkimit kombëtar… Asht vërtet se me krijimin e gjendjes së tashme të lumnueshme qeverija mbretnore ndodhet para shumë problemevet por në mes të këtyne na vjen me besue se si mbas randësis veçant qi ka do t’i rezervohet nji kohë edhe kësaj nevoje të domosdoshme…”.
Në linjë të njëjtë me këta qëndronte edhe inspektori i lartë i Këshillit Kombëtar për Mbrojtjen e Kosovës me qendër në Prizren, Koço Tase, sipas të cilit dhënia e “autonomisë” Komunitetit Mysliman në Kosovë do të kishte pasoja të dëmshme edhe atë:
“Së pari, do të formonte një argument politik për Serbët, të cilët pa dyshim do t’a invokonin kur t’u shfaqej rasa, për me provue që Muslimanët e Kosovës nuk janë një me Shqiptarët e Shqipnis së vjetër, por diçka tjetër, pasi e patnë në dorë m’u bashku me t’a shpirtërisht e s’deshnë.
Së dyti, po u vendos një herë, do të jetë zor të suprimohet, se nesër, me mbarimin e luftës, kur reziku i jashtëm, që e shtërngon sot Kosovarin të tolerojë çdo masë qeveritare, të shduket, do të na duhet të derdhim shumë djersë, mbase dhe gjak, për të ndrequr gabimet e bamë
Së treti, do të pengonte volutën shoqnore.
Së katërti, do të formonte një armë të fortë në dorë të xhahilëve-konservatorë-reaksionarë, të cilët me anën e saj mund të influecojnë nesër gjithë jetën politike dhe shoqnore të Kombit”.
“Për këto arsye, jemi të mendimit që Qeveria duhet ta përballë këtë problem me guxim. Hekuri rrihet sa është i nxehtë. Sot është momenti psikologjik për vepra guximtare; vuajtjet e kalueme dhe frika e nesërme e bëjnë Kosovarin të urtë dhe gati të pranojë çdo masë të Qeveris së vet, akoma dhe sakrificë materiale dhe morale”, shprehet inspektori i lartë i K.K.M.K-së, Koço Tase, në fund të raportit, dërguar, më 28 prill 1942, Kryesisë së Këshillit të Ministrave në Tiranë.
Pikërisht këto reagime nxitën kreun e lartë politik e shtetëror që të ndërmarrë një iniciativë për krijimin e Komunitetit të ri Mysliman Shqiptar, në kuadër të të cilit do të përfshiheshin edhe Tokat e Liruara. Në pranverë të vitit 1942, me urdhër të Mustafa Krujës, Ministria e Drejtësisë hartoi projektligjin për organizimin e Komunitetit Mysliman në mbarë hapësirën shqiptare. Në raportin që kjo ministri ia dërgoi kryemnistrit M. Kruja, thuhej:
“Zgjenimi i kufive të Shqipnisë dhe bashkimi i myslimanëve shqiptarë të tokave të reja me ata të Shqipnisë së vjetër ka ba të nevojshme një ndryshim e plotësim të dispozitave të Statutit të Komunitetit Mysliman. Tue qenë se çashtja paraqet një karakter urgjent dhe eleborimi i një statuti të ri kishte me lypë kohë, u pa e nevojshme që sot për sot të krijohet një këshill administrativ që merr emnin Këshilli i Ulemave, për të ushtrue funksionet e Kryetarit të Komunitetit dhe të Këshillit të Përgjithshëm, të cilët me hymjen në fuqi të dekretligjës së propozueme quhen të zhgarkueme nga funksionet e tyne. Këshilli i Ulemave ngarkohet me përgatitjen e statutit të ri të Komunitetit”.
Më 9 qershor të viti 1942, me dekret të Mëkëmbësit të Përgjithshëm, u emërua udhëheqja e re e Komunitetit Mysliman, që përbëhej nga kryetari, dy nënkryetarë dhe dy këshilltarë. Kryetar i Këshillit u emërua ish kryetari i Mexhlisit të Ulemasë së Shkupit, Hafiz Sherif Langu nga Dibra e Madhe, nënkryetarë sheh Qazim Hoxha dhe Dervish Hilmi Islami, ndërsa këshilltarë u emëruan Sulejman ef. Kadiu dhe ish anëtari i Mexhlisit të Ulemasë së Shkupit, hafiz Bedri Hamidi nga Shkupi.
Me këto emërime dhe me caktimin e Sali Hoxhë Vuçitërnës për drejtor të përgjithshëm të Vakëfeve, organizata myslimane shqiptare, përveçse mori karakter mbarëkombëtar, e rriti edhe cilësinë e seriozitetin e saj. Udhëheqja e re e KMSH-së i kushtoi rëndësi të madhe organizimit dhe zgjedhjeve të organeve drejtuese fetare në Tokat e Liruara. Siç rezulton nga raportet e Komisariatit të Lartë për Kosovë, Dibër e Strugë, me qendër në Prizren, pasuria dhe prona e këtij komuniteti deri në atë kohë nuk “administrohej në mënyrën e duhur” dhe ishin bërë “abuzime të shumta” nga disa njerëz të papërgjegjshëm. Për mënjanimin e kësaj dukurie negative, inspektori i lartë i KKMK-së, Koço Tasi, më 6 korrik 1942, i propozoi kryeministrit Mustafa Kruja, që në ato vise të vendosej një “administratë e mirë” dhe e përgjegjshme, e cila “kishte me mujtë me sigurue t’ardhuna sa me u ba ballë rrogave të Klerit Musliman dhe shpenzimeve për funksionimin e një Medreseje moderne”.
Për rrjedhojë, udhëheqja e KMSH-së urdhëroi drejtorin e Vakëfeve, Salih Hoxhë Vuçitërnin, që, së bashku me inspektorin e lartë të kësaj drejtorie, Ismail Omerbashin, të kryenin një inspektim të shpejtë e të gjithanshëm në Tokat e Liruara. Nga ky inspektim rezultoi se gjendja ishte tepër e rëndë. Në raportin dërguar Kryesisë së Ulemave të KMSH-së, Hoxhë Salih Vuçitërni, ndër të tjera theksonte: “Administrata e Komunitetit Mysliman n’ato vise asht zero e nuk ka as erën e nji Komuniteti Mysliman, me qenë se, si mbas organizimit të kohës jugosllave, si nëpër Prefektura ashtu edhe ndër Nënprefektura, nuk ekziston asnji autoritet fetar nga Ilmija, qi t’a përfaqsojë elementin Mysliman t’atij rajoni në ç’do raste qi t’a lipë nevoja”. “Populli mysliman i ç’do Prefekture dhe Nënprefekture, shkruante ai, duhet të ketë kryetarë fetarë të tij, si Myfti, Myderriz e Vaiz, me anën e të cilëve mund të përfaqësohet”.
Mbështetur në këtë raport, kryesia e KMSH-së zgjodhi organet drejtuese si: Kryemyfti, Myfti, Myderrizë dhe Vaizë në të gjitha qendrat e Kosovës e të Prefekturës së Dibrës. Në krye të këtyre organeve u zgjodhën personalitete të njohura fetare e kombëtare shqiptare, si: Mulla Idriz Gjilani, myfti në Myftininë e Gjilanit, Rexhep Remzi ef. Abdullahu, kryemyfti i Prefekturës së Prishtinës, Hasan ef. Islami, kryemyfti i Prefekturës së Prizrenit etj.
Për shkak të gjendjes së vështirë financiare të Komunitetit Mysliman në Tokat e Liruara, Kryesia e Ulemave të KMSH-së, në shtator të vitit 1942, i propozoi qeverisë shqiptare miratimin e një buxheti të veçantë për këto vise. Në të, krahas rrogave të nëpunësve fetarë, parashikoheshin edhe mjete plotësuese për botime të veçanta fetare në gjuhën shqipe, për meremetimin e objekteve fetare, për mirëmbajtjen e medreseve dhe mbulimin e shpenzimeve për nxënësit e tyre, për aktivitete të ndryshme kulturore me karakter fetar etj. Organizimi i mirëfilltë fetar në Tokat e Liruara ishte preokupimi parësor i udhëheqjes unike të KMSH-së edhe gjatë viteve 1943-1944, përkatësisht deri në mbarim të Luftës së Dytë Botërore dhe ripushtimin e Kosovës e të Trevave Lindore Shqiptare nga forcat komuniste jugosllave, kur pushoi së vepruari kjo organizatë myslimane shqiptare, për të cilën kontribut të rëndësishëm dhanë edhe ulematë e shehlerët e njohur shqiptarë nga Tokat e Liruara, si: Sherif Langu, Bedri Hamidi, Mulla Idriz Gjilani, Mulla Nura i Gjinocit, Sheh Hasani i Prizrenit e shumë të tjerë, të cilët, siç u vu në dukje më sipër, qenë ndër të parët që e kundërshtuan kërkesën për dhënie të një “autonomie fetare”, përkatësisht krijimit të një udhëheqje paralele brenda këtij komuniteti fetar në Tokat e Liruara.