Komunat dhe prindërit kërkojnë kthimin e nxënësve në shkolla, MASh ende pa vendim

Kur kanë mbetur edhe një javë për fillimin e vitit të ri shkollor, Ministria e Arsimit dhe Shkencës ende nuk ka vendosur se si do të mbahet procesi mësimor.

Kjo ministri ka ofruar tre skenar për organizimin e mësimit, ku drejtoritë e Arsimit në komunat e Kosovës, po edhe Këshilli i Prindërve të Kosovës po kërkojnë që nxënësit të fillojnë mësimin në objektet shkollore, duke e përjashtuar tërësisht mundësinë e fillimit të mësimit në distancë.

Besim Avdimetaj, kryesuesi i drejtorëve komunalë të Arsimit, njëherësh drejtor i Arsimit në Komunën e Pejës, thotë se të gjitha komunat po përkrahin dy skenarët e para, ndërsa kundërshtojnë mbajtjen e mësimit online.

Ai thotë se të gjitha komunat janë të përgatitura teknikisht për të filluar vitin e ri shkollor ku do të respektohet distanca sipas rekomandimeve të IKSHPK-së.