Bashkësia Islame e Kosovës shfrytëzoi një takim me kryetarin e Prishtinës, Shpend Ahmeti dhe Albin Kurtin për të treguar se xhamia në qendër të Prishtinës, saktësisht skaj objektit të PTK-së në kryeqytet, do të filloj të ndërtohet shumë shpejt, duke lënë të nënkuptohet se Komuna i ka dhënë lejën e ndërtimit.
“Në këtë takim u diskutua për mundësinë e rifillimit të restaurimit të xhamisë Sulltan Murat në Prishtinë dhe xhamisë qendrore te Posta në Prishtinë që së shpejti do të filloj ndërtimi i saj”, thuhet në komunikatën e BIK.
Por BIK nuk është as afër marrjes së lejes.
Adonis Tahiri nga Komuna e Prishtinës i tha Insajderit, se në këtë takim është e vërtetë që është diskutuar për “çështjen e xhamisë së Madhe” por jo për dhënie të lejes.
“Për leje ekzistojnë procedura ligjore që do të respektohen në tërësi. Kryetari nuk jep leje në takime”, ka thënë Tahiri për Insajderin.
“Madje, as që jep leje fare”, ka shtuar ai.
Sipas Tahirit, në këtë takim me kreun e BIK-ut janë diskutuar çështje të ndryshme të interesit të përbashkët, “një ndër to edhe çështja e Xhamisë së Madhe”.
E për ta marrë lejen për ndërtimin e Xhamisë, BIK do të duhet të ndjekë disa rregulla.
“Në mbledhjen e ardhshme të Kuvendit Komunal, Bashkësia Islame do të prezantojë projektin e Xhamisë si dhe do të diskutohen çështjet e ngritura nga diskutimet e përbashkëta”, ka thënë Tahiri.