Me vendim të kryetarit të Komunës, Shpend Ahmetit, është formuar një komision për shqyrtimin e planifikimit të hapësirës ku parashihet të ndërtohet Xhamia Qendrore në Prishtinë.
Anëtarë të komisionit janë: Nazife Krasniqi, kryesuese, Sazane Raskova, anëtate, Burbuqe Hydaverdi, anëtare, Vedat Sahiti, anëtar, Esat Ramadani, anëtar, shkruan lajmi.net.
“Detyra e komisionit të cekur në pikën II të këtij vendimi, është dhënia e mendimit profesional dhe shqyrtimi i planifikimit të hapësirës ku parashihet të ndërtohet Xhamia Qendrore në Prishtinë. Për kryerjen e detyrave të cekura në pikën III të këtij vendimi, komisioni i raporton Kryetarit të Komunës’”, thuhet në njërën e pikave të këtij vendimi.
Vedat Sahiti, këshilltar i Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës ka thënë për lajmi.net se nuk është marrë një përgjigje definitive nga Komuna e Prishtinës se kur mund të lëshohet leja e ndërtimit. “Ka kohë që ne kemi aplikuar për leje të ndërtimit. Arkitektët tanë e kanë dërguar komplet dokumentacionin, planin ideor dhe të gjitha tjerat që kërkohet. Ne nuk kemi marrë përgjigje në afatin kohor të paraparë me ligj. Siç kanë thënë arkitektët tanë, ata e kanë formuar një komision për këtë çështje, po se di tash sa është ligjore ajo”, tha Sahiti.
Arkitekti, Valdet Osmani mendon se formimi i komisionit nga ana e kryetrarit të Komunës për ta shqyrtuar planifikimin e hapësirës ku parashihet të ndërtohet Xhamia Qendrore është i kundërligjshëm. “Ligji i ndërtimit dhe ai i planifikimit shumë mirë e përcakton procedurën për marrjen e lejes ndërtimore. Prandaj në këtë rast Kryetari i Komunës ka shkelur ligjin”, tha Osmani.
Më tetë tetor të vitit 2012, në prezencën e liderëve politikë e fetarë të vendit, ishte vendosur gurthemeli i godinës, siç thuhet të jetë, më të madhe fetare në kryeqytet.
Edhe vet kreu i Bashkësisë Islame të Kosovës, Naim Tërnava kohë më parë ka deklaruar se ndërtimi i Xhamisë së Re në Prishtinë parashihet të fillojë më 4 tetor, kurse lokacioni i caktuar nga Komuna e Prishtinës, siç dihet, është në afërsi të ndërtesës së PTK-së në Dardani. /Lajmi.net/