Kompleksi i Xhamisë së vjetër në fshatin Arbëri ish (Leskovec) merr statusin e monumentit në mbrojte shtetëror

Me propozim të Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren, Xhamia e vjetër e fshatit Arbëri (Leskovec) i është shtuar regjistrit të monumenteve në mbrojte shtetërore.

Gjatë vitit 2019 në xhaminë e fshatit në Leskovec janë realizuar ndërhyrjet restauruese emergjente me karakter të shpëtimit, financuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Ndërsa punimet janë realizuar dhe monitoruar nga Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren.

Fshati Arbëri ish (Leskovec) shtrihet në shpatijet veriore të malit Cvilen, 3-4 km në jug të Prizrenit. Ndër gjurmët e këtij lokaliteti janë edhe varrezat e fshatit, në formë të zgjatur, me gur të mëdhenj dha pa simbole. Përveç varrezave të vjetra të këtij fshati, gjendet Xhamia e vjetër, e cila është ndërtuar në një terren të pjerrtë, me pozitë dominuese ndaj terrenit. Krahas xhamisë në parcelë gjenden edhe rrënojat e ndërtesës që shërbente si medrese.
Duke u bazuar në tipologjinë, teknikën dhe materialet e ndërtimit supozohet se xhamia është ndërtuar gjatë pjesës së parë të shek. XX nga banorët e fshatit të cilët kanë përdorur materialin vendor, duke e adaptuar ndërtimin sipas konfiguracionit të terrenit, derisa si tipologji janë frymëzuar nga xhamitë lokale të lagjeve të Prizrenit. Në anën lindore të xhamisë janë ruajtur gjurmët e një ndërtese që ka shërbyer si medrese dhe si objekt banimi për hoxhën e fshatit.

Xhamia ka planimetri drejtkëndore, përbëhet prej pjesës së hajatit, sallës së lutjeve dhe minares. Salla e lutjeve ka pjesën e mahvillit (galerisë) e cila është punuar nga konstruksioni i drurit, ku dallohen shtyllat e punuara nga druri, me kapitel të punuar me drugdhendje me formë të valëzuar, dhe parmaku i galerisë i punuar gjithashtu nga druri i gdhendur. Mihrabi ka bazë gjysëm rrethore, është gdhendur në thellësi të murit nga gurët, dhe në pjesën e sipërme përfundon me maje të thepisur.

Minberi është dëmtuar dhe tani kanë mbetur vetëm gjurmët në mur. Në tavan gjithashtu është punuar një rozetë tetëkëndore e punuar me drugdhendje, të dekoruar me motive gjeometrike.
Është ndërtuar me materiale dhe teknikë tradicionale të ndërtimit, ku dallohen muret e punuar me gurë me formë të parregullt, të shtanguar me hatulla horizontale nga druri. Minarja ka planimetri shumë këndore, dhe është ndërtuar prej konstruksionit të drurit, që si tipologji paraqet raritet për trevat tona. Kulmi është katër ujor i ndërtuar prej konstruksioni të drurit dhe është mbuluar me llamarinë të zinkuar. Dyshemeja e xhamisë nuk është ruajtur derisa tavani është ndërtuar prej dërrasave.

Gjatë kohës xhamia ka pasur disa renovime sikurse renovimi i kulmit dhe rindërtimi i hajatit. Pjesa verilindore e hajatit pjesërisht është rindërtuar me blloqe të çimentos dhe janë ndërtuar shkallët prej betoni për pjesën e mahvillit (galerisë) ku ndodhej edhe dhoma e imamit.

Gjatë kohës pjesa e hajatit të xhamisë ka shërbyer si mësonjëtore derisa gjatë viteve 1970 është ndërtuar shkolla e mirëfilltë në anën veri-perëndimore. Gjatë viteve 1990 me ndërtimin e xhamisë së re në fshat, hajati i xhamisë së vjetër është shfrytëzuar si hapësirë banimi për Imamin, përderisa salla e lutjeve është shfrytëzuar si depo e shkollës fillore të ndërtuar në vitet 1960’ pranë xhamisë së vjetër.

Xhamia e vjetër e fshatit Arbëri (Leskovec) ka vlera të rëndësishme historike – paraqet një shembull të xhamive të ndërtuar me minare nga druri, që ndërlidhet edhe me vlerën e raritetit, pasi që paraqet njërin prej shembujve shumë të paktë të ruajtur në Kosovë. Gjithashtu, kjo xhami një kohë ka shërbyer edhe si shkollë dhe ka qenë burimi i edukimit të gjeneratave të reja.