Sikurse komplekset biologjike nuk janë të lindura, por krijohen gjatë fazës së rritjes së individit, edhe kur flasim për vetëdije e pavetëdije kolektive kemi parasysh historinë e kombeve. Shumë historianë e studiues të disiplinave të tjera kanë shkruar për vendin që zë Kosova në formimin e vetëdijes kombëtare serbe dhe qëndrimet e tyre kanë variuar që nga apologjetët e justifikuesit e gjenocideve që serbët u kanë shkaktuar shqiptarëve e popujve të tjerë e deri te ata që janë tmerruar nga “kompleksi i Kosovës” dhe e kanë dënuar shovinizmin serb, duke e barazuar me nazizmin.
Enis SULSTAROVA, Tiranë
Në takimin e nivelit të lartë për Procesin e Berlinit, që u mbajt në Tiranë më 16.10.2023, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha: “Në një sulm terrorist kundër Kosovës më 24 shtator, një nga zyrtarët tanë policorë u vra, por autorët akoma enden të lirë në Serbi edhe pse publikisht e pranuan përfshirjen e tyre. Ky ishte një akt i lig i sponsorizuar nga Serbia, siç tregojnë provat e pakundërshtueshme… Katër herë në dy vitet e fundit Serbia ka sjellë ushtrinë e saj në kufirin tonë. Edhe njëzet e pesë vite pas fushatës gjenocidale, edhe pas kaq shumë raundeve të dialogut, Kosova ende kërcënohet me invazion nga Serbia. Ky moment na kërkon të reflektojmë dhe të mos e vazhdojmë punën si zakonisht. Një akt i tillë nuk duhet të kalojë pa u ndëshkuar”. Kryeministri Kurti, me shumë të drejtë, e vendos sulmin terrorist brenda një vije të pashkëputur të politikës së Serbisë, që shkon deri te gjenocidi i viteve 1998-1999. Sigurisht që vija shtrihet edhe më mbrapa në kohë: te anulimi i autonomisë së Kosovës, te Memorandumi i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Serbisë, te fushatat e UDB-së për mbledhjen e armëve, te deklarimi i rremë i shqiptarëve si turq dhe dërgimi i tyre në Turqi, te masakrat e çetnikëve serbë dhe të partizanëve të Titos gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore, te marrëveshja Jugosllavi-Turqi për përzënien e shqiptarëve, te masakrat e Luftës së Partë Botërore, te gjenocidi i viteve 1912-1913 te spastrimi etnik i Vranjës, Toplicës e Nishit më 1878, e deri te krijimi i shtetit modern serb. Vija nuk ka të bëjë vetëm me politikanë dhe intelektualë si Vuçiqi, Millosheviqi, Qosiqi, Rankoviqi, Çubriloviqi, Andriqi etj. Ka të bëjë me mënyrën se si është formuar vetëdija kombëtare serbe, rrjedhimisht ka të bëjë shumë edhe me Kishën Ortodokse Serbe, si shtylla qendrore e identitetit etnik serb në shekuj. Me terminologjinë e psikologjisë, dukurinë mund ta emërtojmë si “kompleksi i Kosovës”, ngaqë kemi të bëjmë me një tërësi emocionesh, ndjenjash, kujtimesh, perceptimesh e dëshirash kolektive të serbëve, të gjitha të përqendruara rreth mitit të Betejës së Kosovës së vitit 1389.
Sikurse komplekset biologjike nuk janë të lindura, por krijohen gjatë fazës së rritjes së individit, edhe kur flasim për vetëdije e pavetëdije kolektive kemi parasysh historinë e kombeve. Shumë historianë e studiues të disiplinave të tjera kanë shkruar për vendin që zë Kosova në formimin e vetëdijes kombëtare serbe dhe qëndrimet e tyre kanë variuar që nga apologjetët e justifikuesit e gjenocideve që serbët u kanë shkaktuar shqiptarëve e popujve të tjerë e deri te ata që janë tmerruar nga “kompleksi i Kosovës” dhe e kanë dënuar shovinizmin serb, duke e barazuar me nazizmin. Për këtë artikull, na vjen në ndihmë një libër nga fusha e marrëdhënieve ndërkombëtare me titullin “Crisis and Ontological Insecurity: Serbia’s Anxiety over Kosovo’s Secession” (Kriza dhe pasiguria ontologjike: Ankthi i Serbisë për shkëputjen e Kosovës), autori të cilit është Filip Ejdus (botuar nga Pagrave Macmillan më 2020). Pyetja që ngre autori është se si ka mundësi që Serbia të tregojnë një qëndrueshmëri të gjatë në qëndrimin e saj kundër pavarësisë së Kosovës, edhe përballë kostove të mëdha politike, ekonomike dhe të reputacionit ndërkombëtar, pa llogaritur pengesat që i ka sjellë procesit të integrimit europian vendeve të tjera në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Përgjigjen ai e kërkon përmes teorisë së sigurisë ontologjike. Kjo teori niset nga supozimi se shtetet janë agjentë veprues me një kuptim të caktuar për vetveten dhe se ata në politikën e jashtme janë të gatshëm të vënë në rrezik sigurinë e tyre fizike dhe të pësojnë humbje materiale, vetëm e vetëm që të ruajnë vazhdimësinë e identitetit të tyre dhe të mos ta ndryshojnë këtë të fundit. Identiteti u jep siguri ontologjike, që sipas sociologut Entoni Gidens [Anthony Giddens], do të thotë që “në nivelin e të pandërgjegjshmes dhe të ndërgjegjes praktike të kesh përgjigje për pyetje themelore ekzistenciale lidhur me ekzistencën dhe qenien, fundësinë dhe jetën njerëzore, përvojën me të tjerët dhe vijimësinë e identitetit të vetes” (cituar te libri i Ejdusit, f. 16). Autori, më pas, shpjegon se si siguria ontologjike e serbëve dhe e Serbisë është e ndërtuar rreth idesë se Kosova është një trevë thelbësore për formimin dhe ruajtjen e vijimësisë së kombit, që duket edhe te metaforat e përdorura: “zemra e Serbisë”, “Serbia e Vjetër”, “djepi i Serbisë”, Jeruzalemi serb”, “toka e shenjtë e serbëve” etj.
Kjo nuk është një tezë e re, sepse është vërejtur nga pothuaj të gjithë studiuesit që janë marrë me historinë e Kosovës a të Serbisë ose me shpërbërjen e Jugosllavisë. Elementi i ri që sjell Ejdusi ka të bëjë me sjelljen ndërkombëtare të Serbisë pasi e ka humbur Kosovën. Refuzimi për të njohur shtetësisë e Kosovës dhe kapja pas shpresës së rikthimit të ushtrisë dhe të shtetit serb në Kosovë nuk është një sjellje aspak joracionale për shumë serbë, edhe pse në të natyrshëm ka elementë mistikë. Gjithçka ka të bëjë me investimin 150-vjeçar, racional dhe emocional, te ideja se identiteti serb nuk qëndron dot pa Kosovën.
Kthimi i Betejës së Fushë-Kosovës së vitit 1378 në një mit serb nisi pak kohë pas ngjarjes. Dy vite pas betejës, Lazari u shpall shenjtor i Kishës Serbe dhe nisën të qarkullonin tekste hagjiografike se si ai kishte pranuar humbjen e mbretërisë tokësore për të fituar mbretërinë qiellore. Me gjasë, qëllimi politik pas shenjtërimit do të ketë qenë legjitimimi i sundimit të trashëgimtarëve të tij përballë rivalëve. Gjatë shekujve të sundimit osman kisha e nderoi kultin e mbretit të vrarë dhe kujtimi i tij u ruajt në epikën serbe. Krijimi i Serbisë në shek. XIX u ushqye nga ëndrra e ringritjes së perandorisë mesjetare serbe. Fillimisht, Kosova nuk figuronte në planet që bëheshin për zgjerimin territorial, por Bosnjë-Hercegovina dhe Mali i Zi, që ishin të populluara nga sllavët. Shqipëria veri-perëndimore figuronte si një rrugë e mundshme për daljen në det, meqenëse bregdeti dalmat ishte nën sundimin austro-hungarez. Pasi Austro-Hungaria e fitoi protektoratin mbi Bosnjën dhe nisi aneksimin e kësaj treve, Rusia u këshilloi udhëheqësve të Serbisë zgjerimin e shtetit drejt jugut. Mitet rreth Kosovës fituan për herë të parë një vend qendror në nacionalizmin perandorak serb, duke u bërë motiv i krijimeve të shumta me natyrë politike, fetare, letrare e artistike. Shqiptarët që banonin në Kosovë nisën të shiheshin si barbarë që dhunonin varret e manastiret serbe dhe si agjentë të Perandorisë Osmane. Kompleksi i kolektiv Kosovës, si mungesë e qendrës historike të kombit e të shtetit, mori formë në këtë periudhë.
Pas luftërave ballkanike dhe pas Luftës së Parë Botërore, Serbia mori në zotërime të gjera dhe, në kuadër të Jugosllavisë, sundonte edhe mbi sllovenët e kroatët. Megjithatë, për sa kohë që në Kosovë do të mbizotëronin shqiptarët, zotërimi i trevës nuk do të ishte i sigurt. Përgjigja ishte përpjekja për spastrimin etnik të shqiptarëve dhe kolonizimin e Kosovës me serbë dhe malazezë. Lufta e Dytë Botërore e pengoi këtë përpjekje dhe me gjithë masakrat ndaj shqiptarëve në mbarim të kësaj lufte, serbët nuk arritën të kishin shumicën etnike në Kosovë. Mbizotërimi i mitit komunist të “bashkim-vëllazërimit” bëri që mitet e Kosovës të mbeteshin mënjanë, mirëpo persekutimi dhe përzënia e shqiptarëve vijuan edhe në dekadat e parë të Jugosllavisë socialiste. Nuk është rastësi që pas rënies së Rankoviqit dhe përmirësimit të pozitave politike e shoqërore të shqiptarëve të Kosovës, shkrimtari Dobrica Qosiq, në maj të vitit 1968, u thoshte zyrtarëve të lartë komunistë se humbja e Kosovës do të sillte mjerime dhe ndërlikime historike për popullin serb. Disidenca kundërkomuniste serbe ishte e shënuar nga kompleksi i Kosovës. Qosiqi e të tjerë intelektualë serbë autonominë e Kosovës e barazonin me rikthimin e sundimit osman mbi “Serbinë e Vjetër” (po aty, f. 67-70). Kompleksi i Kosovës nuk kishte prekur vetëm intelektualët, por të gjitha shtresat shoqërore serbe. Kosova përjetohej si pika e rëndesës e shpirtit serb dhe “shqiptarizimi” i krahinës përfaqësonte për shumë serbë gjithçka që shkonte keq me federatën e socializmin. Atmosfera ishte gati për daljen e Millosheviqit në skenën e historisë.
* * *
Gjenocidi më i fundit në Kosovë ia hoqi Serbisë dhe popullit serb çdo pretendim moral për të pasur autoritet mbi trevën. Përgjegjësia për gjenocidin është kolektive, sidomos e atyre serbëve që nanuriseshin e nanurisen ende nën efektin hipnotik të kompleksit të Kosovës. Këtë duket se e thotë edhe intelektuali serb Sërda Popoviq ku pyetej nëse ishte i gatshëm ta mbronte Millosheviqin në Gjykatën e Hagës: “Do ta mbroja Millosheviqin nëse do të pranonte që linja e mbrojtjes së tij të ishte se ai nuk është fajtori i vetëm, që ta ndajë përgjegjësinë me shumë të tjerë në Serbi” (“Serbia tjetër 3”, përg. Shkëlzen Gashi, Prishtinë, Admovere, 2022, f. 55). Megjithatë, rrëzim politik i Millosheviqit, dorëzimi i tij në Hagë dhe riafrimi me Perëndimin, te pushtetarët e ri në Beograd ngjalli iluzione për kthimin e Kosovës në Serbi. Ndërsa Popoviqi në verën e vitit 2000 e dinte qartë atë që do të vinte, sepse “asnjë rezolutë 1244 nuk ndihmon, sepse një popull i tërë, pas përvojës që ka pasur atje, nuk do që të pranojë të jetë nën ‘mbrojtjen’ e shtetit serb” (po aty, f. 66). Edhe pse në qendrat e pushtetit në Perëndim u krijua bindja se pavarësia e Kosovës ishte e pashmangshme, ato treguan maksimumin e vëmendjes ndaj kompleksit të serbëve për Kosovën, duke nxitur përfaqësuesit politikë të shqiptarëve që t’i bënin Serbisë lëshime të konsiderueshme në bisedimet e Vjenës, lëshime që më pas u përfshin në Pakon Ahtisari. Shteti shumetnik me gjuhën serbe zyrtare në gjithë territorin; numër i garantuar i ulëseve në Kuvend, që është më i më i lartë se sa përqindja e serbëve në popullatë; komuna të reja me shumicë etnike serbe; ekstraterritorialiteti i kishave dhe manastireve ortodokse etj., janë të gjitha elementë që serbëve u lejonin prani të konsiderueshme institucionale dhe fetaro-kulturore në Kosovën e pavarur. Mirëpo, Serbia nuk pranonte pikërisht epitetin “e pavarur”, sepse do të vinte në krizë pikërisht sigurinë ontologjike të mitit të “djepit të Serbisë”. Oferta e Serbisë ishte formula “më pak se pavarësi dhe më shumë sesa autonomi”, pra gjithçka tjetër do t’u lejohej shqiptarëve në Serbi, përpos shtetit të tyre.
Pavarësia e Kosovës nuk është pranuar nga asnjë parti me peshë në Serbi, ndërsa krerët e kishës vazhdimisht bëjnë deklarata të tipit “pa Kosovën, Serbia është si një trup pa kokë e pa zemër” (cit. te libri i Ejdusit, f. 117), apo se serbët janë të gati të presin 2,000 vite për Jerusalemin e tyre dhe një ditë do të kthehen në të. Deri tani politika e Vuçiqit, e përmbledhur te formula “edhe Kosovën, edhe Europën”, ka dhënë fryte, sepse është pranuar nga Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara. Plani franko-gjerman nuk parashikon njohje zyrtare të Kosovës nga Serbia e megjithatë Serbia nuk e ka vënë nënshkrimin poshtë tij. Sulmi terrorist më 24 shtator 2023 tregoi se Serbia përgatitet për ndërhyrje të armatosura e pushtim të Kosovës kur ta lejojnë rrethanat. Edhe njëherë kjo politikë gjen një përkrahje të gjerë te populli serb. Shoqëria serbe nuk po e trajton seriozisht kompleksin e Kosovës, kështu që as nuk mund të flasim për kapërcimin e shpejtë të tij. Në horizont nuk po duket një Serbi tjetër, ku do të mbizotëronin zëra si ai i Bogdan Bogdanoviqit, i cili në një intervistë të vitit 2001 thoshte: “Sa më parë të shkëputemi prej Kosovës dhe rrëfimit kosovar, aq më mirë për një Serbi moderne. Kosova, kështu siç është në vetëdijen serbe, nuk shkon me botën moderne” (“Serbia tjetër 1”, përg. Shkëlzen Gashi, Prishtinë, Admovere, 2021, f. 62).
* * *
Për sa kohë që Serbia këmbëngul se Kosova i përket asaj, Republika e Kosovës nuk ka rrugë tjetër, veçse të përgatitet politikisht, ushtarakisht, diplomatikisht e kulturalisht për të përballuar agresionet e ardhshme. Serbët e Kosovës janë nën trysninë e Beogradit, por atyre rruga e përfaqësimit politik në demokraci dhe e pjesëmarrjes në institucione nuk u është mbyllur asnjëherë. Në një situatë shumë problematike gjenden shqiptarët e Luginës së Preshevës, për të cilët kryeministrja e Serbisë, Bërnabiq, tha se “nuk i qëllon askush”, por që prej një dekade po i nënshtrohen një spastrimi të heshtur etnik, me anë të të ashtuquajturit “pasivizim i adresave”. Qytetarët shqiptarë të komunave të Medvegjës, Bujanocit dhe të Preshevës, që ua kanë pasivizuar adresat, janë fshirë nga regjistrat e popullsisë, nuk rinovojnë dot letërnjoftimet, nuk marrin pjesë në zgjedhje vendore dhe nuk mund të përfitojmë nga shërbimet e pushtetit vendor. Vendimet për pasivizim janë marrë arbitrarisht nga degët e Ministrisë së Brendshme, pa dijeninë e qytetarëve dhe këta nuk mund të ngrenë padi në gjykata për ta kundërshtuar. Veçanërisht shqiptarët që përkohësisht punojnë apo studiojnë jashtë Serbisë, shënjestrohen nga ky proces për t’ua bërë të vështirë kthimin dhe qëndrimin në vendin e tyre. Duke marrë parasysh edhe militarizimin e rëndë të Luginës së Preshevës, shqiptarët aty ndodhen nën një trysni të përhershme për ta braktisur vendin. Qeveria e Republikës së Shqipërisë ka për detyrë të kujdeset për të drejtat e pakicës shqiptare në Serbi dhe ajo duhet t’i kërkojë me ngulm Serbisë që të heqë dorë nga pasivizimi i adresave dhe nga trajtat e tjera ta përndjekjes. /revistashenja