Kompania turke Aselsan do të prodhojë respiratorë në Kazakistan

Kompania turke Aselsan, në bashkëpunim me një kompani lokale, do të prodhojnë 1.500 aparate për frymëmarrje për afro 300 institucione shëndetësore në Kazakistan, njoftoi një zyrtar i firmës, raporton Anadolu Agency (AA).

Ziya Çamoğlu, drejtori i përgjithshëm i Kazakistan Aselsan Engineering (KAE), një konglomerat i firmës turke Aselsan dhe firmës Kazakistan Engineering, tha për AA se me Ministrinë e Shëndetësisë të Kazakistanit kanë nënshkruar marrëveshje për 1.500 aparate të frymëmarrjes.

“Ne do t’i dorëzojmë këto sisteme në afërsisht 300 institucione shëndetësore në 243 provinca ose rrethe, do të ofrojmë trajnim dhe t’i bëjmë pajisjet gati për përdorim”, tha Çamoğlu.

Duke theksuar se një pajisje e tillë e teknologjisë së lartë po prodhohet për herë të parë në Kazakistan, Çamoğlu deklaroi se “Lloje të ndryshme mobile dhe mekanike të pajisjeve janë prodhuar në vend, por respiratorët për kujdes intensiv, aparatët e frymëmarrjes, po prodhohen për herë të parë”.

Çamoğlu tha se projekti është hartuar pas një dakordimi midis qeverive të Kazakistanit dhe Turqisë, duke shtuar se dorëzimi i aparateve do të realizohet në shtator dhe tetor.

KAE, e cila është themeluar në vitin 2011 në bashkëpunim nga ASELSAN dhe Kazakistan Engineering, plotëson nevojat e ushtrisë së Kazakistanit në fushën e industrisë së mbrojtjes.