Kompania Moderna thotë se vaksina e saj kundër COVID-19 ka efikasitet mbi 94 për qind

Kompania amerikane e bioteknologjisë Moderna njoftoi sot se vaksina e saj kundër koronavirusit të ri (COVID-19) ka efikasitet prej 94,5 për qind, transmeton Anadolu Agency (AA).

Nga kompania thonë se studimi i saj për një vaksinë të suksesshme ka përfshirë më shumë se 30 mijë pjesëmarrës në SHBA, ndërsa në analizën e saj janë përfshirë 95 pjesëmarrës nga komunitete të ndryshme me raste të koronavirusit.

Moderna tha se planifikon të paraqesë vaksinën e saj për Autorizim për Përdorim Emergjent (EUA) me Administratën e Ushqimit dhe Barnave të SHBA-së në javët e ardhshme dhe pret që EUA të bazohet në analizën përfundimtare të 151 rasteve.

“Ky është një moment i rëndësishëm në zhvillimin e vaksinës sonë kundër COVID-19”, tha në një deklaratë Stephane Bancel, drejtori ekzekutiv i kompanisë Moderna.

“Që nga fillimi i janarit, ne e kemi ndjekur këtë virus me synimin për të mbrojtur sa më shumë njerëz nëpër botë. Gjatë gjithë kohës, ne e kemi ditur që çdo ditë është e rëndësishme”, shtoi ai.

Vaksina e kompanisë Moderna është bërë vaksina e dytë kundër COVID-19 me pretendime për shkallë të lartë të efikasitetit.

Javën e kaluar, prodhuesi amerikan i barnave Pfizer dhe kompania gjermane e bioteknologjisë BioNTech njoftuan se vaksina e tyre kundër koronavirusit kishte efikasitet prej më shumë se 90 për qind, megjithëse kishte shqetësime në lidhje me mënyrën e ruajtjes për shkak të temperaturës.

Nga kompania Moderna përmes një kumtese tjetër njoftuan se presin jetëgjatësi më të madhe për vaksinën kundër COVID-19 në temperatura të ulëta në frigorifer.

“Vaksina kundër COVID-19 mbetet e qëndrueshme për 30 ditë në temperatura prej 2 deri 8 gradë Celcius, temperatura e një shtëpie standarde ose frigoriferi mjekësor”, thuhet në kumtesë.