Komiteti i Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Pranimin e Anëtarëve të Rinj nuk arriti konsensus mbi pranimin e Palestinës si anëtare e plotë e OKB-së, tha të enjten për Anadolu misioni i përhershëm i Maltës në OKB.
“Nuk kishte konsensus për një rekomandim për anëtarësim”, tha misioni i Maltës, i cili aktualisht mban presidencën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për muajin prill.
Në deklaratë theksohet më tej se Malta do të përgatisë një raport për këtë çështje dhe do t’ua shpërndajë anëtarëve të Këshillit.
Përfaqësuesja e Përhershme e Maltës në OKB, Vanessa Frazier, në fjalën e saj për gazetarët deklaroi se nuk kishte asnjë problem për kushtet për anëtarësim, duke thënë se dy të tretat e Komitetit e mbështesin anëtarësimin.
Në vitin 2011, Palestina paraqiti një ofertë për t’u bërë anëtare e plotë e OKB-së, por nuk arriti të sigurojë mbështetjen e kërkuar nga anëtarët e Këshillit të Sigurimit.
Megjithatë, i dërguari palestinez në OKB, Riyad Mansour njoftoi më 2 prill se i ka dërguar një letër Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres duke kërkuar që aplikimi i tyre për anëtarësim të rishqyrtohet.
Më 3 prill, Guterres i shkroi letër Këshillit të Sigurimit të OKB-së duke bërë thirrje për shqyrtimin e kërkesës së Palestinës.
Në Këshillin e Sigurimit ka nisur procesi i pranimit të anëtarëve të rinj të OKB-së. Pas diskutimeve, Këshilli pritet t’ia referojë çështjen Komisionit për Pranimin e Anëtarëve të Rinj.
Nëse komiteti përgjigjet pozitivisht, Këshilli i Sigurimit i OKB-së duhet të votojë, me kushtin që asnjë nga anëtarët e tij të përhershëm të mos ushtrojë të drejtën e vetos dhe të paktën nëntë nga 15 anëtarët të votojnë në favor të një rezultati pozitiv.
Nëse Këshilli miraton, çështja i referohet Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Miratimi i anëtarësimit në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së prej 193 anëtarësh kërkon një shumicë prej dy të tretave të votave.
Që nga viti 1974, Palestina ka marrë pjesë në OKB si vëzhguese.