Ballina Lajmet Kosovë Komisioni Shtetëror sjell fakte të reja për demarkacionin me Malin e Zi

Komisioni Shtetëror sjell fakte të reja për demarkacionin me Malin e Zi

Komisioni Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror ka ofruar faktet e radhës, të cilat heqin të gjitha dilemat lidhur me shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi.

Me argumente të pakundërshtueshme ligjore, administrative e hartografike, hidhen poshtë supozimet se pronat e Kosovës kanë mbetur në Mal të Zi, se në Mal të Zi ka tokë të askujt (terra nullius) i cili pretendohej se duhej t’i takonte Kosovës dhe se nuk ka territor shteti pa qenë ai territor brenda komunës, thuhet në komunikatën për media të Komisionit Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror .

Komunikata e Komisionit Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror:

Komisioni ka ofruar të gjitha dokumentet e nevojshme sipas të cilave bëhet e qartë se komunat e Malit të Zi, Plavë, Berane dhe Rozhajë, në brezin kufitar kufizohen dhe përputhen saktësisht me komunat kufitare të Kosovës Junik, Deçan, Pejë dhe Istog.

Është fakt i pamohueshëm se aty ku përfundojnë të dhënat zyrtare, ligjore e hartografike për territorin e Kosovës fillojnë të dhënat ligjore e hartografike të territorit të Malit të Zi dhe anasjelltas.

Dokumentacionet e ofruar dhe mundësia që çdo qytetar ta vërtetoj personalisht përmes kanaleve publike (portalet zyrtare elektronike) nga të dy shtetet, që janë prezantuar në këtë komunikatë, mbyll dilemat e parashtruara për shënjimin e vijës kufitare.

Shumë qytetarë dhe opozita protestojnë në Pejë kundër Demarkacionit (Foto)

Komisioni Shtetëror, duke u bazuar në ekspertizën dhe punën profesionale të bërë të vërtetuar nga ekspertët vendor e ndërkombëtar, garanton se vija kufitare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi është ajo e raportuar nga Komisioni, përkatësisht është ajo e vitit 1974, e vitit 1988, është ajo e vitit 1999  dhe e vitit 2015.

***

Komunat e Malit të Zi me ato të Kosovës kanë një vijë të përbashkët në periudhën 1974-2016

Supozimet e disa ekspertëve dhe njohësve të fushave të gjeografisë, gjeodezisë, hartografisë se ka mbetur prona e Kosovës në Mal të Zi, apo në Mal të Zi ka tokë të askujt – “terra nullius” pranë vijës kufitare nuk qëndrojnë. Komunat e Malit të Zi, Plavë, Berane dhe Rozhajë në brezin kufitar kufizohen dhe përputhen saktë me zonat kufitare të Kosovës siç janë komunat Junik, Deçan, Pejë, dhe Istog.  Nuk ka territor shteti pa qenë ai territor brenda komunës.

Komunat e Malit të Zi janë të përbëra me zona kadastrale sikurse edhe në Kosovë. Kështu që zona kadastrale Velike, Komuna e Plavës me zonën kadastrale Kuqishte Komuna e Pejës takohen në një vijë të përbashkët qe njëkohësisht është kufiri administrativ ndërmjet Komunës së Plavës dhe Pejës. Vija e përbashkët ndërmjet këtyre dy komunave është e pranuar nga të dy shtetet. Kjo vijë administrative ishte vija ndarëse ndërmjet Republikës se Malit të Zi dhe të KSA të Kosovës. Kjo vijë tani është e shënuar nga Komisioni shtetëror pa gabime dhe pa ndryshime.

Fakte lidhur me të dhënat e territorit të Malit të Zi

Harta e Malit të Zi dhe harta e Kosovës e paraqitur në vijim shihet se janë të  ndara me njësi të njëjta administrative të punuara me të njëjtat standarde. Kjo do të thotë se të dy hartat janë të ndara në komuna dhe secila komunë e ndarë në zona kadastrale. Vija administrative e komunës dhe vija përkufizuese e zonës kadastrale është e matur në terren me metodat gjeodezike të kohës dhe të paraqitura në sistem koordinat shtetëror.

fakte1

Harta e Malit të Zi, viti 1988 dhe harta e Kosovës, viti 1979, me komuna dhe zona kadastrale, me standarde të njëjta.

Të gjitha të dhënat për zonat kadastrale, për komuna të Malit të Zi të regjistruara dhe publikuara në faqen zyrtare të drejtorisë së paluajtshmërive (Uprava za nekretnine), si ato me kadastër teknik ashtu edhe ato më kadastër përshkrues. Qasje të lirë në të dhënat kadastrale të Malit të Zi mund t’i gjeni dhe t’i vërtetoni në ëeb faqen zyrtare ëëë.nekretnine.co.me. Njëkohësisht mund të analizohen edhe të dhënat për territorin e Kosovës në Gjeoportalin Shtetëror të Kosovës, të paraqitura  në ëeb faqe ëëë.kca-ks.org  pastaj është  gjeoportali shtetëror në të cilin mund ta gjeni të dhëna të nevojshme për territorin e shtetit. Për  informim të  ekspertëve por edhe për informim të qytetarëve duhet sqaruar se kadastri zyrtar i një shteti është ai që shteti e ka krijuar zyrtarisht. Mali i Zi i ka zyrat kadastrale në secilin qytet dhe e ka autoritetin qendror Drejtorinë Qendrore për paluajtshmëri në Podgoricë. Mali i Zi e ka vlerësuar vlefshmërinë e të dhënave zyrtare të shtetit të vetë.

Në prezantimin 2  shihet se në kufirin me zonën kadastrale Velikë të Komunës Plavë kufizohet zona kadastrale Brezojevice e Komunës Plavë. Të gjitha këto zona kanë kadastër zyrtar si shihet në gjeoportalin zyrtar të Malit të Zi.

Fakti: Aty ku përfundojnë të dhënat zyrtare, ligjore e hartografike për territorin e Kosovës fillojnë të dhënat ligjore e hartografike të territorit të  Malit të Zi dhe anasjelltas.

Në prezantimin 3 paraqitet një pjesë e territorit të zonës Haxhaj-Pejë dhe zonës Velika-Plavë. Këto të dhëna janë ekstraktuar nga gjeoportalet e Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi. Aty ku përfundon territori i zonës kadastrale Velikë fillon territori i zonës kadastrale Kuqishte. Janë bërë edhe krahasimet me koordinatat e pikave. Pika e ilustruar është pikë ndarëse mes tri zonave Kuqishtë-Pejë, Velika-Plavë dhe Sekular-Plavë. Në këto territore të Malit të Zi pronat janë private, publike, shoqërorë, ka të tilla që janë në hipoteka.

Këto të dhëna të tanishme nuk janë krijuar së fundmi, por ato datojnë që nga periudha e ish-RSFJ-së. Dëshmitë dhe raportimet së ku përfundojnë zonat e Kosovës fillojnë zonat e Malit të Zi, Komisioni ia ka dorëzuar Qeverisë dhe institucioneve relevante. Këto dëshmi gjithashtu janë publikuar në faqen zyrtare të Kryeministrisë si dhe janë prezantuar nga Komisioni në media dhe intervista të ndryshme. Të dhënat e prezantuara këtu janë ekstraktuar nga gjeoportali i Republikës së Kosovës (http://geoportal.rks-gov.net) dhe për territorin e Malit të Zi janë ekstraktuar nga gjeoportali i Malit të Zi (http://www.geoportal.co.me). Këto dy gjeoportale janë me qasje të lirë. Në prezantimin 3 shihet përputhshmëria e të dhënave nga të dy shtetet.

Në prezantimin 4 është paraqitur rruga për Çakor. Në përfundim të zonës kadastrale Kuqishte, parcela P-71611050-00273-0, Pasuri Shoqërore Rrugët, vazhdon parcela 1 e bllokut 71 dhe 63 e regjistruar në Komunën e Plavës si pronë komunale me kulturë si auto udhë. Ky është kontinuiteti i të dhënave në territorin e Kosovës dhe Malit të Zi.

Komisioni Shtetëror edhe tani u ofron mundësinë të interesuarve që të lexojnë dhe interpretojnë këto harta e dokumente zyrtare për të krijuar bindjen nga dokumentacioni zyrtar e jo nga emocionet apo qëllimet tjera. Në prezantimin 4, shihet Baza e të dhënave, harta dhe pjesa tekstuale e të drejtave për pronat në Mal të Zi.

Pra, ky është komplet dokumentacioni që Mali i Zi e ka për territorin e vet të shtrirë deri në zonën kadastrale Kuqishte, Haxhaj e tutje. Baza e të dhënave nga territori i Kosovës dhe Malit të Zi është në përputhshmëri të plotë, që shihet në prezantimet e bëra.

Rekomandohet që të pyeten pronarët nga Komuna e Deçanit dhe Pejës, të cilët në mënyrën me të sinqerte i kanë konfirmuar pronat e tyre në Bjelluhë, në zonën kadastrale Velike, Komuna Plavë. Regjistri i këtyre pronarëve edhe me trashëgimtaret e tyre në Bjelluhë është i arkivuar në Komunën e Deçanit dhe në sekretariatin e Komisionit shtetëror.

Ky është konfirmim dhe vërtetim për territorin ku pronarët kosovarë, pronat i kishin edhe para vitit 1974 dhe i kanë në territorin e Malit të Zi në Bjelluhë. Kushdo që dëshiron mund ta shoh këtë dokumentacion me emra e mbiemra, me numër të letërnjoftimit, etj.  në regjistrat e sekretariatit të Komisionit shtetëror.

Dokumentacioni i ofruar nga të dy shtetet mbyll dilemat e parashtruara për shënimin e vijës kufitare, dhe ato vetëm duhet lexuar. Trajtimi në aspektin historik i shënimit të vijës kufitare mund të këtë vend në të ardhmen nëse paraprakisht parashtrohen ato kritere.

Komisioni Shtetëror duke u bazuar në ekspertizën dhe punën profesionale të bërë, është plotësisht i bindur se vija kufitare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi është ajo e raportuar nga Komisioni, është ajo e vitit 1974, e vitit 1988, është ajo e vitit 1999  dhe e vitit 2015.

Komisioni shtetëror bëri punën ligjore e profesionale në shënimin e vijës kufitare me saktësi të kërkuar dhe të vërtetuar nga ekspertët vendor e ndërkombëtar.

Metodologjia e shënimit të kufirit nga Komisioni shtetëror është e drejtë dhe e njëjtë sikurse ishte për shtetet nga ish Jugosllavia: Slloveni-Kroaci, Kroaci-Bosnje e Hercegovinë, Bosnje e Hercegovinë-Mal i Zi, Serbi –Maqedoni.

Komisioni shtetëror për shënjimin dhe mirëmbajtjen e kufirit shtetëror nëpërmjet fakteve zyrtare garanton që Republika e Kosovës nuk e rrezikon asnjë metër katror të sipërfaqes së saj.

Prandaj, Republika e Kosovës zyrtarisht e ka territorin e përkufizuar për 1305 zona kadastrale brenda 38 komunave dhe këto 38 komuna e përbejnë shtetin e Republikës së Kosovës. Hartat shkollore, atlaset shkollore e enciklopedike, dëshirat e të ngjashme mund të trajtohen për çështje tjera, por jo për shënimin e kufirit shtetëror.

Exit mobile version